Pas rënies së komunizmit, në vend të thuhen të vërtetat siç kanë ndodhur, shpesh shtypi i falsifikon ato. Në shtypin e “pavarur” pas vitit 1992 është botuar “fjala e Ramiz Alisë në mbledhjen e Byrosë Politike me dyer të mbyllur në vitin 1989” dhe sipas shkrimit të gazetës MAPO të datës 22.07.2018, për Kosovën sikur paskësh thënë: “Kosova është në pragun e shpalljes së Kushtetutës. Le të bëjnë si të duan, sepse Ne kemi platformën tonë”.

Në fakt, kjo është e gjitha një gënjeshtër, pasi në të vërtetë, Ramiz Alia ka folur për Kosovën në mbledhjen me sekretarët e KQPPSH, Hekuran Isai dhe Lenka Çuko, mbajtur në 9 maj 1989. 

Me disa shkurtime të pa rëndësishme, përmbajtja e bisedës është kështu:   

 

Sekret.

Mbledhje e shokëve sekretarë të Komitetit Qendror të Partisë

(9 maj 1989) 

(Morën pjesë sekretarët e KQPPSH, Hekuran Isai dhe Lenka Çuko)

 

SHOKU RAMIZ ALIA: Çeshtja e Kosovës përbën një problem të madh kombëtar të ndjeshëm, që kërkon studime të veçanta. Rrethanat në të cilat ndodhet tani Kosova bëjnë të nevojshme që tani të gjejnë argumente të reja shkencore për të vërtetuar përpara opinionit botëror autoktoninë e Shqiptarëve të Kosovës. Tezat e dikurshme që Shqipëria u cungua nga Fuqitë e Mëdha më 1913, që gjysma e popullit shqiptar mbeti matanë kufirit të caktuar prej këtyre fuqive janë të parëndësishme e të kufizuara për të bërë efikase luftën kundër historiografisë serbe etj. Natyrisht këto teza janë të vërteta historike të pamohueshme, por historia e marrëdhënieve tona me Kosovën ose e marrëdhënieve tona me Jugosllavinë nuk mbaron këtu. Kjo nuk duhet harruar e nënvleftësuar. 

Jugosllavia, siç e kemi ndjekur nëpërmjet shtypit, ka filluar kundër nesh një propagandë të shfrenuar shpifëse që kalon gjer në absurditete nga më të mëdhatë. Kohët e fundit ata kanë shkuar aq larg sa falsifikuan dhe shkrimtarin e madh francez Viktor Hygo. Njëfarë shkrimtari serb i quajtur Bashko Trifunoviç paska bërë një zbulim. Sipas tij, Viktor Hygoi në një poemë paska hymnizuar heroizmin e luftëtarëve serbë në betejën e Kosovës. Mirëpoi ky “zbulim” plasi si flluskë sapuni se këto vargje Hygoi i ka shkruar për heroizmin e ushtrisë franceze në betejën e Vaterlosë! Kalemxhinjtë e Miloshevicit nuk e kanë për gjë të falsifikojnë, sepse ata synojnë të diskreditojnë Kosovën, ta paraqesin atë si një qendër të serbizimit të tyre, të diskreditojnë Shqipërinë. 

Shumë zhurmë po bëjnë serbët për 600 vjetorin e betejës së Kosovës, të cilën po përgatiten ta përkujtojnë me madhështi në 28 qershor. Cili është qëllimi i tyre? Ata duan ta bindin opinionin se pas humbjes së kësaj beteje ata na qenkan detyruar të largoheshin nga trojet e veta dhe atje u vendosën shqiptarët, pra kosovarët qenkan të ardhur! Po cili ka qenë pozicioni i shqiptarëve në atë kohë, në ato luftëra? Për këtë historianët tanë duhet të thonë fjalën e tyre. Lidhur me këtë temë në Jugosllavi janë shkruar ose janë duke u përfunduar libra, monografi, studime e artikuj të shumtë, për të provuar me “fakte të reja” autoktoninë e serbëve në Kosovë. 

Shkencëtarët tanë nuk duhet të mbështeten vetëm në të dhënat e arkeologjisë, është e domosdoshme që historia ta thotë fjalën e saj. Opinionin botëror duhet ta fitojmë me logjikë e drejtësi. 

SHOKU HEKURAN ISAI: Ne tashmë e kemi të qartë dhe e dimë ku do të rrahin jugosllavët për të festuar 600 vjetorin e betejës së Kosovës. Ata do të mbështeten te kisha dhe te ndonjë fakt tjetër i rremë. Mirëpo arkivat e Turqisë me siguri që do të kenë dokumente të asaj periudhëe. 

Po sikur të organizonim një sesison shkencor për autoktoninë e shqiptarëve në truallin tonë dhe të ftonim edhe historianë e shkencëtarë nga vende të tjera? Pastaj nga kumtesat shkencore do të dilnin se cilët janë banorët e hershëm të këtyre trojeve. 

SHOKU RAMIZ ALIA: A është orientuar historiografia jonë që të përpunojë e të shkruajë për këto probleme? Çështja qëndron kështu: për ne Jugosllavia është një armik i madh e i rrezikshëm ndaj të cilit duhet të reagojmë. Në propagandën e tyre vihen re dy drejtime kryesore: 

E para, ata përpiqen të argumentojnë se gati-gati nuk ekziston kombi shqiptar, prandaj gjysmën e Shqipërisë e quajnë greke, gjysmën tjetër sllave, se shqiptarët kanë ardhur nga Azia apo Kaukazi etj. 

E dyta, zhurmë bëjnë për të krijuar përshtypjen se në Shqipëri persekutohen fetë. Për të mashtruar opinionin publik lidhur me ngjarjet tragjike të Kosovës, si dhe për të shpifur kundër Shqipërisë, jugosllavët zgjodhën tribunat e organizatave ndërkombëtare. Kështu problemin e fesë e ngritën dhe në debatin mbi çështjen e të drejtave të njeriut në Komitetin Social të Këshillit Ekonomik e Shoqëror të OKB-së (EKOSOK), duke u munduar ta paraqesin çeshtjen sikur në Shqipëri persekutohen fetë, bile përdorin si shembull fenë katolike dhe ortodokse për të na futur në grindje me Italinë e Greqinë. Po myslimanët çfarë janë? Myslimanët janë nacionalistë, shprehen ata, nuk janë komunistë, pra ata janë fondamentalistë islamikë. Këtë e bëjnë për t’i paraqitur kosovarët që janë myslimanë si fondamentalistë islamikë, si terroristë, që shfrytëzojnë çdo mundësi. Propaganda e tyre është vërtet e rreme dhe shpifëse, por mos harroni se kur përsëriten vazhdimisht, profka të tilla diçka mbetet te njerëzit, sidomos te ata që nuk janë në korent të ngjarjeve. 

Ngjarjet në Kosovë duhen ndërkombëtarizuar. Kjo mund të bëhet në mënyra e rrugë të ndryshme, por kryesorja është shtruarja e tyre në organizatat dhe forumet ndërkombëtare, po këtë rrugë tani për tani ne nuk duhet ta ndjekim.

Shoku Foto do të shkojë për vizitë në Gjermaninë Perëndimore. Ai në biseda që do të bëjë, veç problemeve të tjera, do të flasë edhe për problemin e Kosovës. Reizi kur vajti për vizitë në Francë, ndër çështjet e tjera shtroi edhe ngjarjet e Kosovës. Unë gjithashtu, në bisedat që bëj me ambasadorët e huaj, kur këta dorëzojnë kredencialet prek edhe çështjen e Kosovës. Shtypi dhe propaganda japin përditë fakte e bëjnë komente për ngjarjet në Kosovë. Këto janë disa forma për ndërkombëtarizimin e problemit të Kosovës. 

Jugosllavët dëshirojnë që ne ta ngremë çështjen e Kosovës në forumet ndërkombëtare, sepse në këtë mënyrë mund të na implikojnë e të na futin në disa ingranazhe të rrezikshme. Në qoftë se do të ngrinim çështjen e Kosovës në OKB, jugosllavët do të thoshin se kombësitë e ndryshme që jetojnë në Shqipëri persekutohen, ose katolikët, të cilët i barazojnë me komb, nuk kanë liri etj. etj. ç’mund të bëjë forumi ndërkombëtar? Ai mund të ngrerë një komision për të parë gjendjen e kombësive në Kosovë dhe në Shqipëri, apo për të parë në se persekutohen katolikët etj. Natyrisht komisione të tilla nuk do të lejojmë të vijnë në vendin tonë, kështu që ata veprimin tonë do ta publikojnë dhe në këtë mënyrë do të tërheqin opinionin publik në anën e tyre. Mos harroni se gazetat e ndryshme evropiane kanë shkruajtur për ngjarjet në Kosovë, por, ama, asnjë qeveri në Evropë nuk ka mbajtur qendrimin e duhur ndaj këtyre ngjarjeve.

Kur krijohen situata të tilla nuk mjafton të sqarohet opinioni publik vetëm me propagandën e shkruar, kjo mund të bëhet me kontakte. Bota nuk bindet vetëm me artikujt e shkruar në gazetat, duhen gjetur rrugë të tjera. Kjo është detyrë e diplomacisë…”

error: Content is protected !!