Reforma Agrare dhe Kolonizimi në Kosovë

Në territoret e Kosovës, të sunduara nga Serbia, që pastaj kaluan nën Perandorinë Osmane më 1389, mbizotëronte ligji feudal. Toka i përkiste Shtetit, fisnikëve dhe Kishës. Pronat e brendshme, (Bashtina) dhe feudet (Pronja) nuk kultivoheshin direkt nga pronarët e tyre por nga bashkëfshatarët e tyre (bujq), të cilët i jepnin në natyrë pronarit një pjesë të prodhimit.

Kur Serbia në fillim të shekullit XIX (1804-1812) u çlirua nga osmanët, përzuri nga territori i shtetit të ri pronarët myslimanë dhe shpalli se bujqit ishin pronarë të tokave që punonin deri atëherë.

Në territoret e mbetur nën perandorinë osmane si në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, vazhdoi sistemi i vjetër. Megjithatë, nuk kishte grindje të mëdha midis pronarëve dhe bujqve për arsye se, si pronarët dhe kultivuesit ishin të gjithë shqiptarë.

Në 1918 Jugosllavia e hoqi tërësisht sistemin e çifçinjve në Bosnjë – Hezergovinë dhe në Kosovë. Më 6 janar 1919, princi Regjent Aleksandër i Serbisë i drejtoi një manifest popullit serb, kroat e slloven ku u shpjegonte se ishte dëshira e tij të arrinin në një zgjidhje të shpejtë e të drejtë të çështjes agrare dhe se çdo serb, kroat e slloven të ishte zot i tokës së tij.

Një manifest i tillë kishte dy objektiva kryesore të reformës: shfuqizimi i sistemit të çifçinjve dhe kolonizimin.

Në 1928 në Kosovë e Maqedoni pronarëve iu morën rreth 270.000 ha dhe u pronësuan 20.000 familje pa tokë. Mesatarisht, çdo familje bujku përfitoi 14 ha tokë.

Reforma jugosllave shpërbëri sistemin gjysmë feudal dhe bujqit e vjetër i bëri pronarë të tokës. Nga ish pronarët që thirreshin bej ose aga, disa ishin pronarë të mëdhenj që posedonin 300 deri në 500 ha. Shumica ishin pronarë me nga 5 deri 10 ha, por kishte edhe zona ku pronarët zotëronin 60 deri 70 ha.

Personat e dëmtuar nga shpronësimi duhej të zhdëmtoheshin nga qeveria jugosllave. Një urdhër i 12 majit 1921 parashikonte një shumë prej 255 milion dinarë për të paguar këstet e caktuara.

Por, në përgjithësi, kishte ndodhur që pronarët shqiptarë ishin trajtuar më keq se pronarët serbë.

Kolonizimi i Kosovës është bërë duke filluar nga viti 1920, me qëllim kryesor të sillte në Kosovë një numër të madh sllavësh. Qeveria e ish Jugosllavisë, për këtë qëllim, kishte zgjedhur, në rajone të ndryshme të ish Jugosllavisë, elementët më besnikë e më të devotshmit në fushën nacionale. Të dërguar në Kosovë u kishte shpërndarë tokë falas dhe u kishte dhënë çdo mbështetje për kolonizimin, sistemimin në tokat me pronar shtetin apo komunat- si me pyje e kullota komunale- si dhe me tokat që u përkisnin pronarëve privatë, të goditur nga ligji për reformën agrare.

Kuadri ligjor që ofronte kolonizimi i brendshëm ishte i ndryshëm. Kishte dy ligje për këtë qëllim: njëri i 24 shtatorit 1920 që vlente për Kosovën e Maqedoninë dhe tjetri i 20 majit 1922 që zbatohej në Veri (Vojvodinë, Banato etj). I pari ishte kundër shqiptarëve ndërsa i dyti kundër hungarezëve e rumunëve.

Shpërbërja e kolonive

Në prill 1941 Gjermania pushtoi Jugosllavinë dhe territoret shqiptare nën ish Jugosllavi u ndanë midis aleatëve: Gjermanisë, Italisë dhe Bullgarisë. Pjesa më e madhe e Kosovës, territoret në veriperëndim si Plava, Gucia, Ulqini, Tuzi, Rozhaja si dhe ato lindore si Tetova, Dibër, Gostivar, Kërçovë dhe Strugë iu bashkuan Shqipërisë.

Pjesa tjetër në Verilindja u vu nën pushtimin bullgar, ndërsa në zonën gjermane të pushimit, u përfshinë rrethet e Mitrovicës, Vushtrrisë, Podujevës (Llapi) dhe Pazarit të Ri.

Tokat e Liruara nga ish Jugosllavia dhe që u vunë nën Italinë u bashkuan me Shqipërinë me Dekretin Mbretëror nr. 264, datë 12 gusht 1941 – XIX.

Pas pushtimit gjerman të Jugosllavisë, gati të gjitha ish kolonitë serbo-malazeze në Kosovë u shpërbënë. Shkatërrimi më i madh ndodhi në momentet e para ndërsa territori ishte akoma i pushtuar nga gjermanët, të cilët u lanë liri të plotë shqiptarëve të Kosovës. Pastaj vazhduan në mënyrë sporadike deri në fund të nëntorit të vitit 1941.

Disa kryetarë bashkie u kishin sugjeruar prefektëve që, për të vënë rregull, të emëronin një komision për rishpërndarjen e tokave.

Shumë nga pushtuesit e tokave pretendonin se ishin pronarë të tokave, përpara se serbët t’i kishin kolonizuar. Tokat e ish kolonive, në përgjithësi, ishin kultivuar por në mënyrë shumë të çrregullt. Duhej përgatitur që të sistemohej për vitin që vinte.

Për territoret e përfshira nën sundimin italian u formua Komisariatit të Lartë Civil për Kosovë, Dibër e Strugë.

Komisariati i Lartë Civil nxori një urdhër mbi dhënien nga ana e bujqve të ¼ – ës së prodhimit pronarëve të vjetër, të pajisur me dokumente zotërimi.

Kundër urdhrit të Komisariatit u çuan vetëm bujqit katolikë të Gjakovës, të cilët, të shtytur prej priftërinjve të tyre mbajnë një qëndrim të kundërt. U deshën përpjekjet e vet Komisarit të Lartë, i ndihmuar prej Kolonelit të Karabinierisë së Prizrenit për bindur,duke u paguar një sasi të hollash që kapi shumën prej më se 10.000 franga. Një vit me pas, me bujqit katolikë u bashkuan edhe një pjesë e bujqve myslimanë dhe indirekt, krejt elementi sllav.

Më 25 nëntor 1941 Mëkëmbësia e Përgjithshme Mbretërore iu drejtua Komisariatit të Lartë Civil për Kosovë, Dibër e Strugë duke i kërkuar elementët e nevojshëm për të marrë në studim të thellë si për çështjen bujqësore ashtu edhe atë të kolonizimit në viset e liruara. Komisariati ngarkoi prefekturat të kryenin studimin përkatës në njësitë që administronin, por prefekturat e shihnin të pamundur të kryenin studime të tilla në një kohë të shkurtër. Ato sugjeronin krijimin e një zyre bujqësore që me anën e nëpunësve të saj kompetentë në këtë lëmë të studionin çështjet që kishte si objekt shkresa e Mëkëmbësisë së Përgjithshme.

Për vet rëndësinë që kishte çështja agrare, Komisariati i Lartë Civil u shpërbë dhe në vend të tij u krijua Ministria e Tokave të Liruara, e cila, në 9 shkurt 1942, u vu në dijeni të çështjes në fjalë duke ngarkuar prefekturat përkatëse. Por, deri në 5 qershor 1942 prefekturat nuk kishin mundur të realizonin detyrën e ngarkuar.

Në 3 korrik 1942, ministri i Tokave të Liruara i dërgonte Kryesisë së Këshillit të Ministrave një shkresë ku vinte në dukje se me afrimin e stinës verore shpirtrat ishin ndezur e egërsuar. Si pasojë e këtij ashpërsimi një shumicë e madhe e shqiptarëve të atyre viseve janë ndarë në dy grupe të mëdha përballë njeri tjetrit. Grupi i pronarëve, i cili priste një vendim përfundimtar për çështjen e tokës nga ana e qeverisë qendrore, dëshironte të vazhdonte zbatimi i urdhrit të Komisariatit të Lartë Civil mbi dhënien e një të katërtës së prodhimit. Tjetri, i formuar prej bujqve, të cilët nuk donte t’u jepnin asgjë pronarëve të vjetër.

Ministri theksonte se po të mos merrej një masë e shpejtë, qoftë edhe e përkohshme, mund të ndodhnin ngjarje shumë të pa pëlqyeshme.

Sipas ministrisë, vetëm në të tre Prefekturat e Kosovës ndodheshin afro 125.000 banorë të interesuar në zgjidhjen e çështjes së tokës në favor të pronarëve të vjetër, pasi ata, si pasojë e zbatimit të Reformës Agrare Jugosllave dhe të ligjit të Kolonizimit, më vonë, ishin zhveshur nga pasuritë e tyre dhe kishin vuajtur për 30 vjet.

Shumica prej tyre kishin qenë pronarë të vegjël, pasi pronarë të mëdhenj ishin pakica. Ata shfaqnin gatishmërinë të shkonin dhe të punonin tokën, në qoftë se iu kthehej zotërimi i tokës së tyre. Ata dëshironin që, deri sa të zgjidhej çështja e tokës, t’iu jepej nga ana e bujkut ¼ e prodhimit që të mundnin të jetonin.

Kundrejt tyre ndodheshin afro 150.000 banorë, bujq të vjetër dhe që, në bazë të Reformës Agrare dhe të Ligjit të Kolonizimit ishin bërë pronarë, ku 70 për qind e tyre d.m.th. 105.000 banorë ishin sllavë. Ata, natyrisht, nuk bënin pjesë haptazi në grupin e dytë, ndonëse prisnin që, në përfundim të ngatërresave që mund të zhvilloheshin, të përfitonin edhe ata, ose, të paktën, ngatërresat të degjeneronin në turbullira.

Për këta, sipas ministrisë, qeveria mbretërore nuk mund të tregohej më e butë dhe më e mëshirshme se sa ishin treguar qeveritë e ndryshme serbe dhe jugosllave kundrejt shqiptarëve.

Shumica e 45.000 banorëve, ish bujq shqiptarë, ndodheshin në Prefekturat e Pejës dhe të Prizrenit. Në prefekturën e Dibrës dhe Nënprefekturën e Gostivarit, bujqit ishin, kryesisht bullgarë.

Për të ulur tensionin midis dy grupeve, Komisariati i Lartë Civil me urdhrin e tij për dhënien nga ana e bujqve të ¼ të prodhimit pronarëve të vjetër, të pajisur me dokumente zotërimi të rregullt, mundi deri diku të qetësonte gjendjen. Urdhri nuk u zbatua vetëm në ato vende ku mungoi bashkëpunimi i Komandës së Karabinierisë Mbretërore me autoritetet administrative. Kundër urdhrit të Komisariatit u çuan vetëm bujqit e Gjakovës. U deshën përpjekjet e vet Komisarit të Lartë, i ndihmuar prej Kolonelit të Komandës së Karabinierisë të Prizrenit për ti ulur, duke u paguar një sasi të hollash që kapi shumën prej më se 10.000 franga. Në 1942 me bujqit e Gjakovës u bashkuan një pjesë e bujqve të tjerë dhe jo hapur, natyrisht, krejt elementi sllav.

Përpara kësaj situate, mbasi qeveria mbretërore nuk ishte ende në gjendje të merrte masa përfundimtare për të cilat duhej kohë dhe studime të gjata, ministri i Tokave të Liruana propozonte që, me një urdhër ose Dekret Ligj të ri të vazhdohej zbatimi i urdhrit të Komisariatit të Lartë Civil në të gjitha Tokat e Liruara. Qeveria të deklaronte, njëkohësisht, që kishte për tu dhënë atyre bujqve që e meritonin një sasi të hollash. Natyrisht kjo sasi të hollash do të ishte vetëm për bujqit shqiptarë, myslimanë dhe katolikë. Porositej Komanda e Karabinierisë të bashkëpunonte me autoritetet administrative të vendit për zbatimin e urdhrit të mësipërm.

Qeveria Mbretërore të merrte vendim për zgjidhjen e çështjes së Kolonizimit duke shpallur Dekretin relativ, në mënyrë që t’iu jepte të gjithë të interesuarve të Tokave të Liruara ndjesinë se ajo ishte me të vërtetë duke u interesuar për çështjet e tyre jetike.

Ministri kërkonte të veprohej me shpejtësi për të zgjidhur përfundimisht çështjen agrare në Tokat e Liruara, sipas parimeve themelore që do të vendoste qeveria në interes të Atdheut, të kombit shqiptar dhe të bujkut e pronarit kosovar.

Duhet theksuar se autoritetet gjermane të Mitrovicës e vunë edhe ata që në vitin 1941 në zbatim parimin e dhënies së ¼ e prodhimit të vendosur prej Komisariatit të Naltë Civil.

Studimi i Prof. Lorenzonit

Qeveria thirri nga Italia profesorin e njohur Lorenzonin, i cili kishte bërë studimin e Reformës Agrare të Mbretërisë Shqiptare në vitet 1930. I shoqëruar nga një zyrtar i lartë i qeverisë dhe inxhinieri i njohur Selim Zyma, edhe ai ish kryeinxhinier i Reformës Agrare të Mbretërisë Shqiptare, në maj 1942 Lorenzoni shkoi në Kosovë, ku bëri një studim në zonat që i ishin bashkuar Shqipërisë. Ai përshkoi zonat Prizren, Dushanovë, Gjakovë, Pejë, Çakor, Deçan, Mirinë, Plavë, Guci, Vitomoricë, Stimlie, Prishtinë, Selo, Vrelo, Ferizaj dhe Gnillane.

Për të marrë informacion në terren, ai takoi autoritetet civile dhe ushtarake të atjeshme, vizitoi disa fshatra dhe koloni të vjetra serbo-malazeze që ndodheshin gjatë rrugës, familje të fshatarëve dhe u takua me pronarë të ndryshëm.

Lorenzoni, në studimin e tij, e ndau reformën agrare që Jugosllavia kishte zbatuar në Kosovë e Maqedoni pas luftërave ballkanike nga çështja e kolonizimit, të zbatuar pas luftës botërore.

Problemi i kolonizimit dhe ndërprerja e sistemit të çiflikut

Lorenzoni konstatoi se popullsia shqiptare nuk mbante të njëjtin qëndrim ndaj sllavëve. Kështu, ndërsa ata jetonin në paqe me serbët dhe malazestë që kishin qenë në Kosovë para vitit 1912, por kërkonin largimin e menjëhershëm të rreth 30000 serbëve e malazezëve, të sjellë nga Jugosllavia në territorin e Kosovës, që pas vitit 1941 i përkiste shtetit shqiptar.

Në një mbledhje në Pejë, në 11 maj 1942, në kabinetin e Prefektit pronarët i thanë inxhinier Selim Zymës se ata duhej të ktheheshin pronarë të tokave siç ishin përpara reformës agrare jugosllave. Një grup pronarësh, të pranishëm në mbledhje, i kërkuan inxhinier Zymës që ata ishin të gatshëm të paguanin në favor të shtetit shqiptar shumat që kishin marrë nga qeveria jugosllave si dëmshpërblim për shpronësimin e tyre, për tu bërë përsëri pronarë të lirë të tokave siç kishin qenë para vitit 1919.

Profesor Lorenzoni shprehte konsiderata për faktet e parashtruara. Ai vinte në dukje se pas lirimit të tokave të Kosovës nga Jugosllavia, në raportet e tokës sundonte anarkia. Megjithëse ishte në fuqi ligji jugosllav mbi Reformën Agrare, asnjë nuk e zbatonte. Në fushën e kolonizimit kishin ndodhur shkatërrime të mëdha në vitin 1941 e të tjera vazhdonin të ndodhnin. Ish pronarët shqiptarë donin të vendosnin sistemin e çifligut, por si do të bëhej me kolonët. Zëvendësimi i kolonëve serbo-malazezë ishte bërë pa rregull e pa plan dhe kishin ndodhur e ndodhnin abuzime të çdo lloji. Gjithnjë e më shqetësues bëhej çështja e sistemimit të serbo-malazezëve e gjithnjë e më i rrezikshëm përqendrimi i masave të mëdha të tyre nëpër qytete. Qeveria e Tiranës duhej të nxirrte direktiva të qarta e të drejta për autoritetet lokale për të gjetur zgjidhje të problemit të përkohshëm e të përhershëm, por ato të ishin gjithnjë ligjore.

Propozime të Lorenzonit

Profesor Lorenzoni bëri propozime konkrete për të vënë rregull. Duhej ngritur pa zvarritje Zyra Speciale Agrare projektin i e cilës ia kishte paraqitur Mëkëmbësit Jakomoni dhe kryeministrit Mustafa Kruja. Zyra nuk duhej të kishte karakter politik. Ajo duhej të ishte organ ekzekutiv dhe jo legjislativ.

Gjithashtu, do të funksiononte Gjykata pa të cilën nuk mund të vendosej paqja. Ajo do të zgjidhte çështjet e diskutueshme që mund të lindnin në Kosovë nga dispozitat e Reformës Agrare Jugosllave.

Në çdo rast që do të evidentohej, ata do të ndihmoheshin nga një nëpunës i Zyrës Speciale Agrare.

Lorenzoni propozonte edhe zgjidhjen e problemit të ish kolonëve serbo-malazezë të cilët duheshin shpërblyer.

Ish qeveria jugosllave kishte zhdëmtuar vetëm një pjesë të pronarëve. Të tjerët duhej të zhdëmtoheshin dora dorës por, duke u trajtuar në përgjithësi shqiptarët, të drejtat e të cilëve nuk ishin respektuar plotësisht.

Pas përfshirjes së Kosovës në Shqipëri pronarët e vjetër shqiptarë të tokave të shpronësuara kërkuan të merrnin përsëri tokat e tyre. Ata u mbështetën edhe nga Komisari i Lartë Civil për Kosovën, i cili kishte propozuar që ata që i posedonin tokat, të bërë pronarë nga reforma agrare, duhej tu paguanin pronarëve të vjetër një të katërtën e prodhimeve bujqësore.

Situata e re e krijuar në vazhdim do të lindte konflikte të reja. Revokimi i ligjit jugosllav të Reformës Agrare do të thoshte të kënaqeshin një numër i kufizuar i pronarëve të mëdhenj, por bënte të pakënaqur mijëra fshatarë të tjerë.

Kështu që u pa më e leverdishme që qeveria shqiptare, pasi të kryheshin studimet e nevojshme, të përfshinte në bilancin e saj shumën që do të rezultonte e nevojshme për dëmshpërblimin e njëjtë për pronarët e vjetër e lënien e tokës fshatarëve të cilëve ish Jugosllavia ua kishte dhënë në pronësi.

Më 8 qershor 1942 Prof. Lorenzoni i paraqiti kryeministrit një program pune imediate për Zyrën Speciale Agrare për Kosovën e Dibrën dhe një projekt bilanci për funksionimin e saj. Ai propozonte të ndahej puna e zyrës në dy seksione dhe programin e ndante në dy pjesë: një që i përkiste kolonizimit dhe tjetri reformës agrare.

Sipas Lorenzonit, qeveria jugosllave gjatë kolonizimit kishte zbatuar një sistem të saktë arkivor ku kishte regjistruar të gjitha familjet dhe personat që kishin ardhur nga viset e tjera të Jugosllavisë dhe kishin përfituar tokë në Kosovë. Për secilin nga kolonët kishte katër formularë ku përfshinte të dhëna të sakta për identitetin e tyre dhe të dhëna të plota për tokën dhe vendin ku ndodhej ajo.

Prof. Lorenzoni i sugjeronte Ministrisë së Tokave të Liruara të merrte në dispozicion arkivin e cituar prej tij i cili ndodhej në Prizren, Pejë, Prishtinë e Dibër. Duhej të tregohej kujdes i madh që materiale të tilla të çmuara të ruheshin e të mos humbnin.

Nëpërmjet dokumenteve të tilla, Zyra duhej të inspektonte të gjitha vend ndodhjet e ish kolonive jugosllave. Në se pjesa më e madhe e tyre ishin shkatërruar, ishte e mundur që nëpërmjet dokumentacionit të identifikohej pozicioni dhe lokaliteti. Ato ishin në numër 800 që u korrespondonin më shumë fshatrave, ndërsa në të tjerat nuk ishin ndërtuar shtëpi në fusha pasi u ishin dhënë kolonëve që banonin në qytete.

Për problemin e kolonizimit duhej studiuar dhe shfrytëzuar arkivi i reformës agrare jugosllave dhe të inspektoheshin 800 kolonitë serbo-malazeze. Gjithashtu, të planifikohej ristrukturimi i ish kolonive me vetëm elementë shqiptarë për vitin e ardhshëm bujqësor.

Përsa i përkiste raportit agrar, Lorenzoni udhëzonte që të studiohej dhe shfrytëzoheshin arkivat dhe dokumentet jugosllave që ekzistonin në Beograd e Shkup. Gjithashtu, të studiohej dhe shfrytëzohej Kadastra e Kosovës dhe të realizoheshin intervista dhe hetime, duke pyetur autoritetet dhe qytetarët.

Pronarë dhe bujq dy grupe kundërshtare

Në 23 korrik 1942, pronarët e vegjël të tokave të Nënprefekturës së Gjakovës iu drejtuan Ministrisë së Tokave të Liruara në Tiranë ku kërkonin abrogimin e ligjit të Reformës Agrare Jugosllave. Sipas ligjit të asaj reforme, toka bëhej pronë e një bujku pasi ai ta kishte punuar për 6 deri 10 vjet. Por në fakt tokat u shpërndaheshin bujqve serbë e malazezë. Ata theksonin se serbët e malazeztë që kishin përfituar tokat e tyre nga reforma jugosllave ishin larguar, por në tokat e tyre kishte hyrë “klasa e bujqve që përkrahet në dëm të pronarëve”.

Deri sa të zgjidhej kjo çështje që kërkonte studime të gjata, ministri propozonte të lëshohej një Urdhër ose Dekret-Ligj i ri që të vazhdonte zbatimi i urdhrit të Komisariatit të Lartë Civil në të gjitha Tokat e Liruara.

Në këtë Urdhër Qeveria Mbretërore të deklaronte, njëkohësisht, që kishte për t’iu dhënë bujqve që e meritonin një pagesë në të holla. Natyrisht pagesa do të ishte vetëm për bujqit shqiptarë myslimanë dhe katolikë.

Porositeshin Komanda e Karabinierisë për të bashkëpunuar me autoritetet administrative të vendit në zbatimin e urdhrit të lartpërmendur.

Qeveria Mbretërore të merrte një vendim për zgjidhjen e çështjes së kolonizimit në mënyrë që tu jepte të gjithë të interesuarve të Tokave të Liruara ndjesinë se ajo ishte me të vërtetë duke u interesuar për çështjet e tyre jetike.

Autoritetet gjermane të Mitrovicës, kishin filluar të zbatonin që në fillim parimin e dhënies së një të katërtës së prodhimit të vendosur me Urdhrin e Komisariatit të Lartë Civil.

Sipas qeverisë, çështja duhej zgjidhur në interes të Atdheut, të kombësisë shqiptare dhe të bujkut e pronarit kosovar.

Më 2 korrik 1942 Kryesia e Këshillit të Ministrave i shkruante Ministrisë së Tokave të Lirueme se Prof. Lorenzoni i kishte paraqitur kryeministrisë projekt dekrete e propozime për zgjidhjen e problemit të ngatërruar që ishte krijuar për tokat e liruara të Kosovës e Dibrës.

Duke qenë se për të marrë në studim çështjet me karakter agrar e kolonizues ishte kompetente ajo ministri, Kryesia e Këshillit të Ministrave i dërgoi të gjitha projektet, për ti marrë parasysh sa herë që do të kishin nevojë për të bërë ndonjë propozim mbi këtë problem.

Projektligji i Prof. Lorenzonit

Më 28 maj 1942 Profesor Lorenzoni paraqit një projekt ligj me 10 nene. Në nenin 1 të Projekt-Ligjit parashikohej që aplikimi i dispozitave të ligjit jugosllav në lidhje me kolonizimin e brendshëm të provincave të Pejës, Prishtinës, Prizrenit e Dibrës, i vitit 1919 e në vijim, do ti nënshtrohej rishikimit, zbatimi i të cilit i besohej Zyrës Agrare speciale për Kosovë e Dibër.

Në Artikullin 2 theksohej që, nëse rezultonte që territoret të cilat më parë u ishin shpërndarë në pronësi qytetarëve të kombësisë jo shqiptare, terrenet në fjalë mund të shpronësoheshin në zbatim të artikullit 52 të Statutit Themelor të Mbretërisë Shqiptare e të artikullit 796 të Kodit Civil të Mbretërisë Shqiptare.

Në Artikullin 3 vihej në dukje që deri sa procedura e shpronësimit të përfundohej, të gjitha fermat bujqësore e të gjitha tokat që formonin ish kolonitë jugosllave të cituara më sipër, nëse ishin braktisur nga kolonët e vjetër, viheshin në administrim të Shtetit Shqiptar.

Në Artikullin 4 parashikohej që, Shteti Shqiptar ua jepte fermat e tokat e përmendura në përdorim të përkohshëm komunave lokale, të ndihmuara e të kontrolluara nga Zyra bujqësore speciale për Kosovë e Dibër.

Në Artikullin 5 përcaktohej që për vitin bujqësor në vazhdim kolonitë e territoret në fjalë i mbeteshin në posedim të qetë atyre që i kishin kultivuar… Prodhimet do tu takonin atyre kundrejt pagesës së një të katërtës së prodhimit të tyre, e cila do të shërbente për të grumbulluar një fond për të dëmshpërblyer kolonët e mëparshëm.

Në Artikullin 6, theksohej se Zyra Bujqësore speciale për Kosovën e Dibrën ngarkohej të përgatiste për vitin e ardhshëm bujqësor një plan për ristrukturimin dhe riorganizimin e ish kolonive jugosllave, bazuar mbi principin që ato duhet tu jepeshin ekskluzivisht fshatarëve të kombësisë shqiptare që nuk posedonin tokë ose sipërfaqja nuk ishte e mjaftueshme për të jetuar familja bujqësore.

Projekti i kryeministrit

Nga ana e tij edhe kryeministri Mustafa Kruja paraqiti një projektligj me 12 artikuj. Sipas tij, Urdhri i Komisariatit të Lartë Civil për Kosovën, Dibrën dhe Strugën, për sa i përkiste hakut të pronarëve nga prodhimi i tokës së punuar prej bujqve, mbetej në fuqi deri sa të rregullohej çështja agrare e viseve të përmendura.

Pronari duhej të provonte të drejtën e pronësisë me dokumente ose në mungesë të justifikueshme të këtyre me vendim të një këshilli të përbërë prej prefektit e nënprefektit, që e kryesonte, të sekretarit federal ose politik, të gjyqtarit të paqit, të agronomit dhe të kryetarit të bashkisë apo komunës, në juridiksionin e të cilës ndodhej prona. Ky këshill do ta jepte vendimin pasi të dëgjonte të dy palët e interesuara e dëshmitarë të besueshëm që njihnin çështjen. Vendimi kishte vlerë të përkohshme deri sa njëra palë të provonte të drejtën e vet në bazë të ligjit që do të rregullonte çështjen agrare të Tokave të Liruara.

Në rast se bujku nuk ishte në gjendje të mirë për të paguar hakën e pronarit, e po të ishte prej kombësisë shqiptare, detyrimin e tij e merrte përsipër shteti. I interesuari duhej të paraqiste një dëshmi të pleqësisë, të vërtetuar prej këshillit të komunës, për të provuar cilësitë e mësipërme.

Tokat e braktisura nga kolonët e që nuk punoheshin, mund ti jepeshin për punim kujtdo që ti lypte me një kërkesë të paraqitur nënprefektit të rrethit. Në lutje duhej të caktohej sasia dhe vendi i ndodhjes së tokës. Frutet e kësaj toke i përkisnin atij që e punonte, pa marrë parasysh se kush ishte pronari i saj.

Shuma që paguheshin prej shtetit dhe prej katundarëve do të përdorej për një sistemim përfundimtar të çështjes agrare.

Dekreti i Jakomonit

Më 30 gusht 1942, Mëkëmbësi i Perandorit Viktor Emanuel III, Francesko Jakomoni, nxori Dekretin Mbretëror nr. 224, ku dekretoi që poseduesit duhet të paguanin pronarit 1/5 e prodhimit. Dekreti ishte firmosur edhe nga kryeministri Mustafa Kruja, Shuk Gurakuqi, Ekrem Vlora dhe Kostandin Kote.

Në zbatim të dekretit, në 22 shtator 1942, kryeministria i dërgoi një shkresë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe prefekturave të Tokave të Liruara. Shkresa urdhëronte që ata të cilët i kishin punuar atë vit ato toka t’u jepnin ish pronarëve ose trashëgimtarëve të tyre (privat, komune ose shtet) një të pestën e prodhimit bruto.

Kjo sasi duhej tu jepej pronarëve të kohës para aplikimit të Reformës Agrare dhe jo pronarit të ri që kishte përfituar nga ligjet e Reformës Agrare dhe Kolonizimit dhe që për çdo arsye e kishte lënë tokën të papunuar dhe ishte larguar.

Prefektët dhe autoritetet përgjithësisht, duhet të kishin kujdes që asnjë bujk shqiptar mos të nxirrej jashtë prej tokave që posedonin, për në favor të kolonistëve sllavë, mbasi çështja e së drejtës së pronësisë së këtyre mbi tokat shqiptare në Kosovë do të zgjidhej, në kohën e volitshme me një vendim të veçantë të qeverisë shqiptare.

Me gjithë masat e marra nga qeveria, Dekretligji hasi në kundërshtimin e bujqve dhe zbatimi i tij u vu në vështirësi. Në 15 janar 1943 nënprefektura e Gjakovës i shkruante prefekturës së Prizrenit se me gjithë përpjekjet e pareshtura të bëra prej nënprefektit me anë konferencash rreth qëllimit të Dekretit Mbretëror nr. 224, datë 30. 8. 1942, pranë bujqve dhe pronarëve saj për zbatimin e tij në një formë miqësore; nuk kishin arritur përfundimin e duhur pozitiv. Ky përfundim nuk kishte arritur për shkak se komanda e karabinierisë nuk u kishte dhënë ndihmën e nevojshme për zbatimin e urdhrave rreth dekretit në fjalë. Komanda justifikohej se nuk kishte një urdhër nga komanda eprore për të bashkëpunuar.

Pengesa e dytë ishin vet bujqit, të cilët, të ekzaltuar prej premtimeve të dhëna nga ana e autoriteteve të larta në kohën kur ata kishin vizituar Tokat e Liruara, nuk bindeshin aspak për tu dhënë të drejtat që u takonin pronarëve.

Pronarët legjitimë, duke parë pengesat që autoritetet lokale hasnin, iu drejtuan me lutje të shumta dhe ankesa qeverisë duke theksuar që nëse qeveria kishte vullnet për ekzekutimin e Dekretit Mbretëror, duhej ta zbatonte, ndryshe të njoftoheshin për të mos trokitur në dyert e saj. Nënprefektura i kërkonte prefekturës të ndërhynte pranë organeve të larta që të urdhëronte komandën e karabinierisë për të bashkëpunuar me autoritetet lokale me qëllim që bujqve tu hiqej ekzaltimi dhe pronarëve tu hiqej pesimizmi dhe pakënaqësia që ata tregonin.

Ngjarjet e vitit 1943 u zhvilluan me shpejtësi dhe qeveria u rrëzua. Në vjeshtë tërë vendi u pushtua nga gjermanët dhe qeveritë e krijuara zbatuan po atë dekret. Pati vështirësi, por deri në nëntor 1944 nuk mund të zgjidhej çështja e tokës, dhe me largimin e gjermanëve Kosova u vu përsëri nën Jugosllavi. Këtë herë nën pushtetin komunist të regjimit të Titos.

error: Content is protected !!