Më 1 tetor 1913, populli i Tiranës u mblodh në një miting dhe pasi diskutoi për problemet e qeverisjes, i dërgoi një letër kryetarit të Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemal bej Vlorës.
Letra u firmos nga kryetari i bashkisë Tiranë, Zyber Nekiu, dhe 46 përfaqësues të popullit të Tiranës.

LETËR E PËRFAQËSISË SË MITINGUT TË POPULLIT TË TIRANËS DËRGUAR QEVERISË PROVIZORË TË VLORËS
(1 tetor 1913)
“Në një kohë kritike kur atdheu në çdo anë ish invaduar nga armiku dhe kur që ahu i zi i familjeve tona arrinte deri në qiell dhe kur ulërimat shpirtcopëtonjëse e të pafajshmëve që mbyteshin dhe ulurimat e grave të veja dhe të vajzave virgjëresha që çnderohen tronditën botën dhe kur që këto gjëra shkaktonin mëshirën e dhëmshurinë e tërë botës, gjithë njerëzit që ishin të zot të kapnin armët me qëllim që të përmbushin detyrën patriotike të tyre, ashtu si i pëlqen Perëndisë, luftonin me gjak e me zjarr në kala të Shkodrës.
Në këtë kohë një kongres që u formua prej atdhetarëve, pjesa më e madhe e të cilëve duke qenë të ndjekur nga ana e armikut, kërkonin vend për të gjetur derman dhe një pjesë e vogël janë ndjekur e të goditur nga hallet e familjeve të tyre të cilat i linin nën thundrën e ordhisë invadonjëse që turrej, u mblodhën në Vlorë dhe kryesinë e qeverisë ua ngarkoj zotërisë suaj. Kësisoj, fati i popullit iu dorëzua këtij Kabineti e cila u formua prej njerëzve që dihen dhe me aftësi e cilësi provizore nga shkaku i mungesës së personaliteteve dhe me besim se ata do të ndërronen e do rregullohen me t’u ngritur bllokimi do vrapojnë e do vijnë atdhetarë.
Kësisoj u formua një kabinet dhe u la nën kontrollin e një senati që u zgjodh nga bashkëatdhetarët tanë. Po ky kabinet ish me cilësi provizore nga shkaku se në atë kohë mungonin personalitetet shtetërore dhe me besim se më vonë do të ndryshonte dhe do të ndreqej posa që të ngrihej bllokimi mbasi atëherë do të vraponin të vinin persona të zotë të cilët kanë fituar respektin dhe besimin e popullit.
Disa nga senatorët të cilët ishin ngarkuar që të mbronin të drejtat e popullit, në një kohë edhe ministrat nuk kishin ndonjë punë për të bërë mbasi pjesa më e madhe e atdheut ishte nën okupim, u emëruan këshilltarë dhe kësisoj u munguan nga e drejta që kishin për të kontrolluar qeverinë. Pjesa tjetër e senatorëve që mbeti, ju me veprimet tuaja, sipas qejfit, i shtrënguat që të linin detyrën e tyre dhe kësisoj që në çap të parë dhe pa mos u tharë akoma procesverbali i Kongresit, ju vendimin e mbledhjes kombëtare për sa i përket çështjes së kontrollimit e muart nëpër këmbë dhe e përpoqtë t’a vinit përsëri nën zgjedhë këtë popull që ka parë kaq mizorira, popull i cili duke fituar indipendencën besoi se do t’i siguroheshin të drejtat dhe liria që dëshironte. Ju nga arka, e cila përtërihet prej djersës së ballit dhe më e drejtë akoma prej çmimit të gjakut dhe të shpirtit të këtij populli, të sekuestruar dhe të shtypur, ju guxuat e ushqyet ata njerëz që punojnë vetëm për të realizuar ambiciet tuaja, pa mos marrë parasysh aspak se këta njerës ishin e çfarë karakteri kishin. Është për të ardhur keq që ju nuk u menduat, të paktën të ngrehet makari një zyrë qeveritare që të ruhej dinjiteti i Kombit, Këshillin e Përgjithshëm të Kombit të cilit duhej t’i paraqisit masat që dash të merrte qeveria për tu bërë derman plagëve të rrezikshme që u hapën në gjirin e atdheut tonë të shtypur e fatkeq dhe t’i tregonit Evropës ndërshmërinë që kanë shqiptarët dhe të mendonit të zgjidhnit dhe të merrnit një Sovran me qëllim që të të çkulnit nga rrënja gjithë këto ambicie dhe grindje dhe më së fundi duke dhënë llogari mbi veprimet qeveritare të kërkonit vot besimin.
Kundrejt këtyre detyrave ju, çfarë bëtë dhe çfarë po bëni? Përse ju tremb kaq rëndë kërkesa që shfaq populli për të thirrur mbledhjen dhe përse bëni kaq berihaj me qëllim që të kërkoj dëshira e popullit. Na të gjorët që u privuam nga kjo e drejtë legale, vamë e iu drejtuam Komandantit të vlefshëm shqiptar dhe përfaqësuesit tonë të përgjithshëm Esad Pasha i cili, tre muaj më parë me burrërinë si luan dhe me inteligjencën si Platoni, i njoftoi tërë botës atdhedashurinë dhe fisnikërinë natyrale të tij dhe iu betua që në këtë kohë të rrezikshme të atdheut të marrë përsipër mbrojtjen e vendit dhe t’i shërbejë atdheut.
Zotëria e tij megjithëse, si mbrojtës i Shkodrës ka arritur në kulmin e namit dhe të lumturisë sa që i kanë zili tërë bota dhe megjithë që është i pajisur me tërë të mirat hyjnore, duke qenë i shtytur nga patriotizma e tij dhe me qëllim që t’i konsakroj jetën vetëm e vetëm shpëtimit të atdheut, pranoi ministrinë e Brendshme të Shqipërisë se me disa kondita të cilat u lavdëruan nga të gjithë shqiptarët dhe u pranuan tërësisht nga ana juaj. Konditat që paraqiti Zotëria e tij janë të njohura nga të gjithë ne, bile edhe nga të huajt.
Bej Efendi! Ju nga këto kondita të pëlqyera të cilat ishin sipas llogjikës së interesave kombëtare dhe që i përgjigjeshin dëshirave të përgjithshme të Kombit – me përjashtim të atyre Tarafdarëve tuaj – i muarët përsipër se do t’i vinit në zbatim po vallë përse, deri sot, makari qoftë edhe njërën, përse nuk e vutë në zbatim? Po, duhet të jeni të sigurt se populli po insiston për të kërkuar të drejtat e veta. Ju keni qëllim që si e si të forconi qeverinë e sotme dhe kësisoj të siguroni pavarësinë e veprimeve tuaja. Ju duke mos patur hiç ndonjë kompetencë, nisët të jepni konçensione, të bëni ligje, të përdorni arkën e pakët si ju teket dhe të lironi fajtorë dhe kriminelë nga burgu pa dijeni të gjyqit.
Këto janë prova të ambicies personale tuaj. Këto qëllime dhe veprime tuaja megjithë që bashkëatdhetari beratas i kritikoj botërisht dhe ashpërsisht, ju, jo vetëm nuk i ndreqët, po heshtët sikur se hesht një i dënuar.
Na populli i këtij qyteti duke parë që interesat e shenjta nacionale po bëhen lodra qejfit dhe të ambicies, u mblodhëm në këtë miting dhe vendosëm të kërkojmë nga ju që të vihen në zbatim artikujt e poshtëshënuar, me konditë që përgjegjësia materiale dhe morale u përket juve. Kërkojmë të zbatohen:
Art. 1. Vlora duke qënë qendra e qeverisë shkakton mosrrënjosjen e autoritetit qeveritar … dhe si përfundim Kryesia e Qeverisë mbetet nën influencën e bashkëqytetarëve – prandaj me qëllim që të ruhet nderi i qeverisë ashtu edhe për të lehtësuar ngrehjen e qeverisë në malësira qëndra e qeverisë nga Vlora, të transferohet në Durrës.
Art. 2. Duke biseduar me Esad Pashën të formohet një kabinet i cili të përbëhet prej elementëve të zotë dhe që kanë besimin e kombit.
Art. 3. Të thirret Senati dhe riformohet si nevojë e vendit.
Art. 4. Tu hiqet vrejtja Fuqive të Mëdha që sa më parë të merren masat e duhura seriozisht për zgjidhjen e Sovranit të Shqipërisë.
Art. 5. Qeveria provizore gjithë llogaritë dhe veprimet e saj së bashku me tërë dokumentet përkatëse do t’ia dorëzojë kabinetit të ri, mbasi kjo do të marrë fatin e kombit në dorë duke ngritur për sipër përgjegjësi materiale dhe morale. Kabineti i ri, nga ana juaj do të vihet në dijeni të plotë dhe do të sigurohet në mënyrë të durushme në se qeveria Provizore ka dhënë ose jo ndonjë koncension dhe nëse ka marrë ndonjë gabim i cili dëmton interesat e vendit dhe është në kundërshtim me ligjin dhe me dëshirën e përgjithshme të popullit mbasi një e tillë gjë nuk mund të pranohet kurrë nga ana e kombit”
1 vjeshtë e parë 1913.
Kryetari i Bashkisë Tiranë Zyber Nekiu dhe nënshkrimet e 46 shokëve të tij.
AQSH, fondi 145, dosja III-5.2, f. 146-155.

error: Content is protected !!