Esad Pashë Toptani, sipas Stephen Bonsal
Stephen Bonsal, i komisionit amerikan në Konferencën e Paqes në Versajë, në librin e tij Little nations at Versaille, midis të tjerave përshkruan bisedat me Esad Topanin.
Essadi, – shkruante Bonsal, – kishte dhuntinë e mrekullueshme dhe po aq të rrezikshme të fliste një gjuhë piktoreske dhe me raste e lëshonte gjerë frerin…
“Në Konferencën e Londrës të vitit 1913” – më tha Essadi – “makineria e shtetit të ri u ndërtua mirë, por zgjedhja e kryemakinistit në timon ishte e papërshtatshme. Shumë shpejt u kuptua se qëllimi i vërtetë i Princit ishte të dobësonte shqiptarët që më pas ne, ashtu të drobitur ,të mos kishim zgjidhje tjetër por të binim në prehërin e Austrisë dhe kështu të mos kishim më mundësi që të ndalnim marshin gjerman në det. Por pas një periudhe të shkurtër ne u larguam, marrëdhëniet tona u bënë të ftohta e më të ftohta dhe unë, edhe pse isha ende në detyrë si ministri i tij i luftës u detyrova të marr roje personale për t’u mbrojtur kundër makinacioneve dhe intrigave të zotërisë së tij. Princi rrethohej vetëm nga ushtarakë hollandezë e austriakë të cilët kishin ardhur me kokëfortësi të madhe për të “modernizuar” pallatin e vjeter në bregdet ku ne pjestarët e kabinetit dhe qeverisë jetonim e punonim”.
Bonsal përshkruan edhe konsideratat e Esad Toptanit për oficerët holandezë: “Por në fakt ata kishin ardhur për të hequr nga skena e ditës Essad Pasha-në, sigurisht në një mënyrë të tillë që vrasja të mos linte dyshime. Princi mendoi që do të ishte më e lehtë që kjo të ndodhte në atë vend, pranë bregdetit, larg prej atmosferës së lirisë së maleve të mia ku shqiptarët kanë folenë. Gjatë gjithë kohës, intrigantët e tij ishin ose më mirë bënin sikur ishin shumë të zënë me punët e tyre ndërkohë që natën përvidheshin fshehurazi në pallat për të ndërtuar kurthet e tyre ogurzeza dhe unë shpejt kuptova se qëllimi i tyre i vërtetë ishte të mësonin se ku flija unë gjatë natës. Kur perdja e miqësisë tonë më në fund ra dhe flota austriake bombardoi shtëpinë time, një predhe e cila fatmirësisht nuk shpërtheu ra në dhomën time të gjumit, ku sigurisht unë jam mësuar të mos fle asnjëherë”.
Essadi dukej edhe më kritik për sjelljet e italianëve gjatë ditëve të fundit të qëndrimit të tyre të parë në brigjet shqiptare. (italianët u larguan përpara krizës austro-bullgare në 1916)
“Unë isha në male” – më thotë Essadi – “gjoja për gjueti, por faktikisht kisha shkuar të takoja krerët e fiseve malore dhe të ndërtonim me ta një plan të përbashkët për të luftuar armiqtë tanë. U tregova atyre që si brenda kufinjve tanë ashtu dhe jashtë tyre ne shqiptarët numërojmë 5 milion dhe të gjithë me një ndërgjegjje shumë të fortë kombëtare, të gjithë të dëshiruar për pavarësinë e Shqipërisë, por që jemi shumë të dhënë pas luftrave ndërmjet fiseve tona dhe hakmarrjeve familjare dhe në këtë pikëdo të ishte me vend të kërkonim një protektorat të dyfishtë, amerikan ose anglez për shembull, sa kohë që ne shqiptarët të kemi mësuar artin e vetë-qeverisjes dhe sigurisht të kuptojmë mirë shijen e vërtetë të paqes”.
“Në fakt, kjo ishte dhe shpresa e pritshmëria ime personale kur papritur filluan bombardimet dhe garnizoni italian lëshoi armët dhe të gjithë u gjunjëzuan duke bërtitur Santa Madonna, Santa Madonna, por duke qenë se thirrjeve të tyre hyjnore për ndihmë nuk u erdhi asnjë përgjigje atëherë ata u detyruan t’ia mbathnin si burracakë, madje edhe më shpejt se kaq. Kishim një kolonel francez atje në krye të misionit francez i cili quhej Colardet të cilit une i thashë: Më lejoni mua dhe njerëzve të mi të mbrojmë urën dhe ju siguroj se austriaket s’do të mbërrijnë kurrë në anën tjetër. Por ai u përgjigj: Jo, më mirë ua besoj këtë këtyre batalioneve lepujsh sesa bandës tuaj të uqërve”. Siç e dini dhe ju, unë e dija mirë se këta europianët me njeri-tjetrin ishin aspak miqësorë por mbi të gjitha ata ia kishin frikën trimave shqiptarë. Më pas ata italianët frikacakë u përvodhën deri tek porti dhe ia dolën të shkonin tek anijet por përpara se t’ia mbathnin menduan të ushqehen mirë dhe u prenë kokat dy prej kuajve të mi më të mirë të cilët i kisha blerë në Angli me një çmim të lartë, kafshë të shkëlqyera, të stërvitura mrekullisht për luftë dhe ata lepujt burracakë i hëngrën si racione mishi në udhëtimin e tyre”. Stephen Bonsal, Little nations at Versaille.