Xhafer Sadiku

(Si u kap Bajram Kamberi)
Në fund të shtatorit 1948, në fshatrat e Tepelenës, Zhapokikë, Luftinjë, Kamçisht, Gllavë e Allkomemaj, kundërshtarë të regjimit komunist u organizuan për të vepruar kundër tij. Qysh në fazën e organizimit bashkëpunëtori i Sigurimit të Shtetit “Rocoli” informoi se rreth datës 8 tetor rreth 40 elementë nga fshatrat në fjalë po përgatiteshin për tu hedhur në arrati brenda vendit e për të luftuar me armë kundër regjimit.
Me të marrë këtë sinjal, shefi i Sigurimit të Tepelenës Xhezo Makashi, mori takim me bashkëpunëtorin tjetër, “Dushku”, që ishte nga radhët e këtyre elementëve për të saktësuar më mirë këto të dhëna. Por, “Dushku” e informoi se nuk kishte gjë për tu shqetësuar.
“Dushku” ishte ndër më kryesorët në organizimin e kryengritjes. Ai lajmëroi Bajram Kamberin, që sipas Sigurimit, ishtë caktuar komandant i kësaj çete dhe Xhemal Brahimin i caktuar si komisar i kryengritësve, se tërë veprimtaria e tyre dihej nga Sigurimi.
Xhemal Brahimi dhe Bajram Kamberi duke parë se veprimtaria e tyre ishte zbuluar, vendosën që të organizaohen shpejt dhe të dilnin në arrati brenda vendit, 7 ditë më parë se data që kishin caktuar.
Në 1 tetor 1948, në mëngjes herët, shkoi në Degën e Punëve të Brendshme Tepelenë fshatari Qamil R.., i cili informoi se rreth 37 persona nga fshatrat e sipërcituara ishin ngritur me armë kundër pushtetit nën komandën e Xhemal Brahimit dhe Bajram Kamberit.
Regjimi mori masa të shpejta dhe u dërguan forca të mëdha ushtarake dhe vullnetarë të rrethit. Gjithashtu, u armatosën edhe persona të tjerë të besuar, për të ndihmuar në operacionin kundër kryengritësve.
Mbas 48 orë luftime, kryengritësit u thyen por në përpjekje u vra shefi i Seksionit të Sigurimit Xhezo Makashi. Nga kryengritësit u vranë 5 veta, u kapën 32 dhe mundën të shpëtojnë Xhemal Brahimi dhe Bajram Kamberaj. I pari u arratis jashtë vendit, ndërsa i dyti në malet e krahinës së tij.
Komandanti i kryengritësve Bajram Kamberi mbeti dy muaj në arrati dhe bënte përpjekje të largohej jashtë vendit. Por sigurimi kishte studiuar miqtë e tij dhe kishte gjetur se në Malëshovë të Përmetit kishte një mik, i cili ishte bari dhe që bagëtitë i mbante jashtë fshatit, pradaj Sigurimi vendosi ta tërhiqte në shërbim të tij.
Bajram Kamberi mbasi qendroi dy muaj ne arrati në pyjet e krahinës së Buzit dhe duke parë se bazat e tij u goditën, vendosi të arratisej në Greqi me ndihmën e mikut të tij në Malëshovë të Përmetit. Bajrami shkoi në stanin e mikut të tij që ishte rekrutuar nga Sigurimi, i cili e priti mirë dhe në të njëjtën kohë nisi për në Këlcyrë kunatën për të informuar Sigurimin. Të tjerat merren me mend.
Në gjyqin e zhvilluar kundër pjesëmarësve në kryengritjen e Zhapokikës, 2 u dënuan me vdekje, ndërsa 20 u dënuan nga 25 në dy vjet. Dhjetë të tjerë u lanë të lirë dhe u këshilluan nga komiteti i Partisë. Prej këtyre, dy u rekrutuan nga Sigurimi që të kontrollonte në të ardhmen familjet dhe miqtë e pjesëmarrësve në kryengritje.
______________
Shkrimi eshte mbeshtetur ne burime te Sigurimit te Shtetit.

error: Content is protected !!