“Po dëshmorët e asaj lufte kush janë?!”]

Sot, krerë të së majtës, me në krye Ilir Metën dhe Nasip Naçon, festuan 70 vjetorin e çlirimit të qytetit të Beratit. Kur vjen momenti për të nderuar dëshmorët e asaj lufte, ata përmendin emrat e Margarita e Kristaq Tutulanit, të vrarë shumë kohë përpara se të çlirohej Berati. Përse?! Ku janë dëshmorët e asaj lufte?
E vërteta është krejt tjetër: ajo është meritë e krerëve të xhandarmërisë së qarkut të Beratit, Kapitenëve të Klasit të Parë, Pjetër Gurakuqi, Ramadan Doda dhe Gani Jashari-Zhepova që bënë planin për çlirimin e Beratit.

Plani i detajuar nga oficerët e xhandarmërisë i’u dërgua Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacional-çlirimtare më 6 shtator 1944, nga Kapinova, prej zëvendës-komandantit të qarkut të Beratit, Ali Shehu i cili raportonte se :

‟A) E gjykojnë të arësyshme që të dy ata bashkë me gjithë fuqitë e tyre të qëndrojnë në Berat për mbrojtjen e qytetit nga gjermanët, për të mbajtur rregullin dhe për të mos alarmuar popullsinë.
B) Ata propozojnë që të rrinë gati duke ruajtur pozicionet strategjike të qytetit dhe të jenë gati të hyjnë në luftë në momentin e fundit me urdhër të Shtabit Madhor, duke kordinuar veprimet e tyre me ato të ushtrisë tonë.
C)-Në rast se Shtabi Madhor ka vendosur marrjen me çdo kusht të qytetit, ata propozojnë që mësymja të bëhet nga ana e Kuçovës, për të cilën ata po përgatisin një skicë të vendosjes së trupave gjermane, armatimet dhe fortifikatat, skicë e përpiluar me kujdes e saktësi dhe që do të dërgohet nesër me postë prej një shoku që kam lënë unë atje. Ata thonë, sipas thënieve të vetë komandantit gjerman, se duke pushtuar fushën e aviacionit, gjermanët që ndodhen në Berat mbeten të rrethuar.
Ç)-Në rast se Shtabi i Përgjithshëm nuk i gjen të arësyshme propozimet e paragrafeve A,B,C, ata janë gati me gjithë fuqitë e tyre të hidhen në rradhët tona”.

Për çlirimin e Beratit u zbatua pika C e planit. Shtabi i Përgjithshëm kishte vendosur marrjen e qytetit, prandaj sulmi filloi mbi Kuçovë. Më 8 shtator 1943 Batalioni ‟Riza Cerova” sulmoi armikun në tre pika: Kompania e I tek Bregu i Ali Shemetit në Perondi; Kompania e II dhe e III nga Bregu i Qamurit–Goraj dhe Kompania e IV sulmoi mbi spitalin Kuçovë.
Më 13 shtator 1943 dy kompani të Batalionit “Riza Cerova” “sulmuan Kuçovën …ndërsa Batalioni II sulmoi nga Shëndellia dhe Kalaja…”. Gjatë marrjes së qytetit, forcat partizane humbën vetëm një partizan i cili u vra në mënyrë aksidentale.
_______________________
* Kapitenët e Klasit të Parë, Pjetër Gurakuqi, nga familja e famëshme Gurakuqi, ish komandant i Qarkut të Beratit dhe Ramadan Doda, nga Reçi i Dibrës, u dënuan me vdekje dhe pushkatuan nga regjimi komunist, ndërsa kapiten Gani Jashari (Zhepova) u dënua me burgim të përjetshëm dhe vdiq në burgun e Burrelit. Nuk u dihet varri.

error: Content is protected !!