Me rastin e 15 vjetorit të marrjes së pushtetit nga komunistët, udhëheqja e regjimit kishte vendosur realizimin e një filmi që do të shfaqej më 29 nëntor 1959. Skenari ishte gati që në janar të atij viti dhe u diskutua në mbledhjen e 20 janarit 1959 të Byrosë Politike të KQPPSH.

Filmi artistik me ngjyra “FURTUNA” do të ishte prodhim i kinostudiove “MOSFILM” Moskë dhe “Shqipëria e Re” Tiranë, me skenaristë Fatmir Gjata, Llazar Siliqi, Arkadi Pervencev, Juri Ozerov dhe Kristaq Dhamo. Kryeregjizor do të ishte J. Ozerov dhe regjizor K. Dhamo.

Sipas skenarit, në sfondin e flakëve fillonin e dukeshin nën tingujt e këngës patriotike “Për mëmëdhenë” fytyrat e disa të dënuarëve me pushkatim prej pushtuesve. Pak nga pak dëgjohej kënga “Shqiponjat partizane”, dhe tingujt hymnit proletar të “Internacionales”.

Një krismë arme dëgjohej në mes të këngës… dhe binte patrioti i parë, e ky sipas skenarit ishte një njeri i veshur me rrobe punëtori, me fytyrë burrërore, thua të gdhendur nga dora e skulptorit.

Krisë tjetër…binte i dyti, i veshur me rrobë malësori që ngrinte në mënyrë kërcënuese grushtin e tij. Rrëzohej i treti me fytyrë përdhe, thua se donte të përqafonte tokën në këtë çast të fundit të jetës.

Ja ku mbetej vetëm i fundit, një djalosh, e ky sipas skenarisëve duhej të ishte si një shqiponjë të re krenare që përbuzte vdekjen, me sy që lëshonin shkëndia, me kraharorin e hapur, i fuqishëm, i pashëm, bir i vendosur i Shqipërisë. Ai vazhdonte të këndonte edhe duke vdekur! Një krismë dhe tingëllonte një akord muzike…

Merret vesh, në film do të kishte skena ku talleshin misionet angleze, baltosej Balli Kombëtar, mburrej Bashkimi Sovjetik etj.

Personazhet kryesore ishin: Hajdari, “prijës largpamës komunist”, Arbeni, djaloshi trim dhe entuziast, Zana vajzë e hijëshme, Rapo patriot i vjetër, studenti Ramiz, Shpresa vajzë edhe kjo, Hasani një burrë trim dhe fshatarja Hajrie.

Diskutimi për skenarin u bë në Mbledhjen e BP KQPPSH të cilën e kryesoi Hysni Kapo ku merrnin pjesë Beqir Balluku, Gogo Nushi, Liri Belishova, Manush Myftiu, Spiro Koleka, Haki Toska dhe Ramiz Alia.

Meqë në mbledhjen e Byrosë Politike nuk ishin Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, mbledhjen e drejtonte Hysni Kapo, i cili tha se këtu të bënin vrejtje të përgjithshme, por aprovimi të bëhej pasi të jepnin vrejtjet e tyre Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu. Pasi të aprovohej skenari me ndryshimet e Byrosë Politike, ai të dërgohej në Moskë.

Liri Belishova tha se Enver Hoxha e kishte lexuar më parë skenarin dhe kishte bërë vrejte dhe do ti shprehte ajo.

Çeshtja e parë, sipas Hoxhës; në film duhej të dilnin traditat e popullit shqiptar për liri, lufta e Skënderbeut, lufta e Vlorës, e Bajram Currit etj. Megjithëse këto dilnin në fillim të filmit, shoqëruar me zërin e spikerit, Enver Hoxha theksonte se traditat e popullit duhej ti shikonin edhe në pjesë të tjera të filmit, pasi nuk ishin parashikuar në skenar. Sipas tij, nuk kishte këngë patriotike, vargje të Naimit, ose dalja e pushkës nga muri etj që përfaqësojnë tradita të lavdishme të popullit tonë për liri.

Çeshtja e dytë që kishte ngritur Enver Hoxha ishte të dilte lufta heroike e masave, e partizanëve dhe e popullit tonë. Kjo, sipas tij, nuk ishte paraqitur mirë. Në film kishte disa përpjekje por jo sulme masive të partizanëve që të përfundonte me çlirimine ndonjë qyteti, prandaj duheshin shtuar. Lufta e qytetit paraqitej por duhej shtuar një demostratë.

Çeshtja tjetër që ngrite Enver Hoxha ishte ajo se skenaristët nuk flisnin shumë për Bashkimin Sovjetik. Po kështu, sipas tij, ardhja e kolonelit Ivanov pranë Shtabit të Përgjithshëm paraqitej shumë e zbehtë. Gjithashtu libri i Stalinit duhej thënë me aksion. Enver Hoxha kishte vrejtje edhe për paraqitjen e anglezëve, ndërsa për luftën politike tha se “elementët e Ballit ishin njerëz të mëdhenj në qytete, të cilët ne na quanin të vegjël dhe që nuk kishim autoritet”. Ai u foli për Baba Fajën “si njeri i dalë nga populli”.

Liri Belishova bëri vrejtje, duke theksuar se filmi sikur nuk e jepte tabllonë e okupacionit në fillim por në fund. Po kështu, ajo tha se për vajzën që ishte kapur, do të ishte më mirë të vritej se sa të çnderohej, sepse gjermanët sikur nuk kanë bërë shumë çnderime në Shqipëri… Rapua të mos paraqitej si njeri injorant por me kulturë dhe si njeri i popullit. Belishova bëri vrejtje se në film kishte shumë emra myslimanë. Sipas saj, në film mund të paraqitej ndonjë episod i partizanëve pas betejës si ndonjë bisedë, lexime etj.

Ramiz Alia vrejti se teksti mund të merrej si bazë, por kishte gjëra që duhej të rregulloheshin. Disa aksione paraqiteshin si aventura, si psh ajo që me dy granata fundosej anija në det, ose skena e hipjes mbi tank. Komandanti Rapo paraqitej si injorant, po kështu paraqitej hoxha në fshat që i binte këmbanës për të thirrur popullin. Për të thirrur popullin tek ne nuk përdorej këmbana, theksoi Alia, po të qëlluarit tre herë me pushkë. Për dasmën ishte i mendimit se nuk ishte mirë të visheshin Arbeni me Zanën dhëndërr e nuse, por të paraqiteshin në një mënyrë tjetër ku të tregohej se i mbështeste populli.

Dasma duhet të mbesë, tha Liria. – Të mbesë por të rregullohet, – ndërhyri Ramizi. Ai mendonte se duhej të shihej çeshtja e Zanës pse Abazi, që ishte i ati i Zanës, mbante anën e Eshrefit, një intelektual që përkrahte Ballin. Të viheshin më shumë beteja ofensive, pse edhe dimri delte sikur ishin në tërheqje. Të dalë më mirë figura e armikut, – vuri në dukje Alia, – mbasi sikur paraqitet budalla, i dobët, dhe kështu sikur ne e kemi kollaj. Xhavit Aga nuk paraqitet mirë, figura e tij del jo e goditur mirë. Legaliteti nuk del fare, kurse mund ët përmendet. Po kështu englezët dalin fare si karikaturë dhe Inteligjent Servisi del fare lehtë.

Ai u ndal edhe tek heronjtë kryesorë: Po të lexosh me vëmendje skenarin del që Hajdari është Hysni Kapo, sepse ai është edhe sekretar i komitetit qarkor, antar i shtabit të përgjithshëm, përgjegjës i punës në bregdet. Kurse për Arbenin del se është shoku Mehmet, sepse ai ka qenë në Spanjë, e nxjerr me shami të kuqe në qafë që tregon se është në brigadën e parë. Rapo vritet kot me një cifël, kurse heronjtë e tjerë dalin deri në fund të shëndoshë si molla.

Manush Myftiu shprehu mendimin se skenaristwt i kishte gjetur belaja se udheheqja donte një film ku të ishin të gjitha. Mendimi im është që ky tekst është më i miri nga ajo që duam ne, – theksoi Myftiu, – sepse ne e duam të jetë episodik dhe përfaqësonjës, ku të kemi të tëra gjërat dhe të jetë një orë e gjysmë. Ashtu siç e duam ne ky ka gjetur mënyrën më të përshtatshme.

E meta më e madhe e këtij teksti, tha Manush Myftiu, është se çdo gjë e mirë paraqitet nga ana jonë dhe çdo gjë e keqe nga ana e armikut…. Ballistët kryesorë nuk kanë qenë si këta njerëz por personalitete politike dhe me influencë. Në krye të tyre qendronin njerëz si Bahri Omari, Skënder Muco etj, që konsideroheshin baballarët e kombit dhe që ishin të gjithë reaksionarë. Prandaj kjo të rregullohet.

Spiro Koleka, midis të tjerave vuri në dukje tha se armiqtë dhe ballistët paraqiten si budallenj, qole, e jo si figura. Zana të mos dalë si bija e Abazit, por një bijë populli dhe heroinë. Ai mbështeti pikpamjen e Belishovës duke theksuar se ortodoksë ka pak dhe katolikë asnjë. Dy të tretat mund të dalin myslimanë, tha ai, por të ketë edhe emra të besimeve të tjera, të përzier, pse partia jonë ka bërë një punë të madhe për bashkimin e popullit. Nga njerëzit duhet të ketë edhe katolikë sepse edhe në lufta ka pasur të tillë.

Problem për Byronë ishte edhe fundi i filmit i cili mbyllej me një fjali: “doli pranvera”. Për udhëheqjen komuniste filmi duhej të mbyllej me ndonjë betejë të madhe.

error: Content is protected !!