Një nga pretendentët e vetofruar për fronin e Shqipërisë ishte Duka Montpensier. Në një raport dite dërguar Vjenës, ambasadori i Austro-Hungarisë në Londër përshkruante një bisedë për këtë çeshtje:

“Më 11 të këtij muaji (shkurt 1913, – shënimi im), më vizitoi Princi Philip i Saksonisë e Koburgut e i Gothas së bashku me Dukën Montpensier për të ma paraqitur këtë për thronin e Shqipërisë dhe për të ma rekomanduar. Princi më tha se Duka po vjen fill prej së mbesës, Dukeshës së Orleanit, (të kunatës së Dukës), e cila ia rekomandon nxehtësisht, duke ia theksuar hapur se Duka ka cilësi fort të mira dhe nuk i ngjet aspak të vëllait të madh të vet, burrit të saj, Dukës së Orleanit.

Asaj i duket ay fare i aftë për pozitën që dëshiron të ketë. Pas këtyre fjalëve mu lut Duka du Montpensier që ta parkrahë kabineti i Vjenës kandidaturën e tij dhe më tha se shpreson që ta pranojë në audiencë dhe Madhëria e tij Apostolik.

Unë iu përgjigja Lartësisë së tij Mbretërore, se po marr shënim për kandidaturën e vet. Veç se i thashë se për Thronin e Shqipërisë gjer më sot më janë paraqitur shumë kandidatura dhe hë për hë s’është dhënë ndonjë vendim mbi këtë punë, bile do të zgjasë edhe mjaftë kohë.

Me gjithë këtë, i thashë se në tërë çeshtjet që kanë të bëjnë me Shqipërinë veprojmë në marrëveshje me Italinë, me sa e di unë Qeveria italiane nuk dashka që në thronin e Shqipërisë të vihet ndonjë princ katholik, duke e motivuar me faktin se as 1/3 e popullsisë së shtetit shqiptar të nesërm nuk është katholik dhe se prandaj po të vihet në krye të shtetit shqiptar ndonjë katholik mund t’i bëjë dëm unitetit kombëtar shqiptar.

Duka mu përgjegj se kandidaturën e vet ia paska pëlqyer dhe Selia e Shenjtë, veç kësaj qenka dhe sigur se Markezi Di Sanxhuliano do ta pranojë atë si Princ të Shqipërisë.

Kur më pyeti Duka se kur mund t’i jap një përgjigje të prerë mbi këtë punë, i’u përgjigja duke i bërë bisht e duke i thënë se s’mund t’i injoroj dot dhe kandidatët e tjerë. Veç kësaj i premtova se lutjen e tij për t’u pranuar në audjencë do t’ia parashtroj Madhërisë së tij Perandorit t’ënë, por i shtova, se besoj që Madhërija e Tij tash për tash s’e ndjen vehten fare mirë dhe prandaj hë për hë s’un e marr mendja ta presë në audjencë”.

Pas kësaj bisede, Duka Montpensier bëri një vizitë në Vlorë ku kërkoi mbështetjen e krerëve të qeverisë së Vlorës, për kandidaturën e tij për princ të Shqipërisë. Ismail Qemali, i shoqëruar nga Isa Boletini, bëri një vizitë në Londër për të mbështetur kandidaturën e Dukës, por pa sukses.

____________

Nr. 5785. Raport dite mbi një intervistë me Dukën Montpensier, 13 shkurt 1913, Nr. 725.

Markezi Di Sanxhuliano, – ministër i Jashtëm i Italisë.

error: Content is protected !!