Historiografia zyrtare na njeh me variantin e saj për shkollën shqipe në Korçë, mirëpo nëse kërkojmë nëpër arkiva dhe në publicistikë do të njihemi me hollësi për kontribute të pariotëve, roli i të cilëve është zbehur apo është mohuar nga historiografia zyrtare.
Kështu, revista DITURIJA e Lumo Skëndos, në numrin e 1 Marsit 1927, botonte shkrimin e Nuçi Naçit, mësuesit veteran dhe një nga figurat kryesore të arsimit shqip.
Sipas Naçit, nga viti 1877 gjer 1885 çështja kombëtare mori zhvillim të madh dhe shoqërira që u filluan në Stamboll e Bukuresht, zunë e shtypnin libra e gazeta në gjuhën amtare.
Në gjithë qytetet kryesore të Shqipërisë shoqëria e Stambollit dërgoi ftesa dhe i këshillonte që të kërkonin mësonjëtore për të kënduar vegjëlia gjuhën shqipe.
Shqiptarët që kishin themeluar shoqërinë shqiptare në Stamboll, nëpërmjet Naim Frashërit, arritnë të merrnin nga Ministria e Arsimit e Turqisë leje për të çelur shkollë private në gjuhën shqipe, në Korçë. Leja u dha mbi emrin e të ndjerit Pandeli Sotirit.
Shoqëria “Drita” e Bukureshtit u muarr vesh me atë të Stambollit që, të bisedonin me kryetarin e kishës dhespotët e atehershmë që të futej gjuha shqipe në shkollat që ishin të Patrikanës.
Për këtë qëllim antari i shoqërisë Drita, Thimi Markua, në verë 1885 erdhi në Korçë dhe u paraqit në mbledhjen e Mitropolisë, ku u tregoi dëshirën e gjithë korçarëve të Bukureshtit, si edhe një letër nga Anastas Lakçe, “në të cilën Lakçeja u thosh Dhimogjerondisë se, interesi e donte që të futej gjuha shqipe në shkollat e komunitetit të Korçës, që të mësohej nga çunat e vajzat”.
Sipas Nuçi Naçit, këshilli kishëtar bashkë me Dhespotin e asaj kohe (Fillotheos) së pari thanë se mund të bëhej një punë e tillë; po, më pas, thanë se duhej leje nga Patriku.
Leja u kërkua, po përgjigja ishte që nuk mund të pranohej në shkollat e komunitetit të Korçës një gjë e tillë, “mbasi nuk rridhte nga dëshir’ e popullit, po nga disa njerës të blerë prej propagandës Austriake, e nga disa Protestanë!”
Kjo gjë shkaktoi grindje midis këshillit dhe anëtar i tij, Jovan Kosturi, u largua nga mbledhja.
Ata dërguan ne Stamboll dhe thirrën Pandeli Sotirin, i cili erdhi dhe në mbarim të vitit 1885 u çel shkolla e parë shqipe për djem e vajza në Korçë.
Mytesarifi i Korçës në atë kohë ishte Mahmud pashë Elbasani, i cili e përkrahu idenë kombëtare
Shkolla u çel në ndërtesën e vëllazërisë Kristaq Terpo, vëllazëri e cila e fali që të përdorej për shkollë.
Aty nisnë të jepeshin të parat mësimet e gjuhës shqipe nga Pandeli Sotiri, i cili për vitin shkollar 1885-1886 pati ndihmës z. Thanas Sina nga Postenani i Leskovikut, ndërsa për gjuhën turqishte avokat Ibrahim Efendinë.
Si ky vit i fillimit ashtu edhe viti 1886-1887 pati afro 200 nxënës, vajza e djem.
Nuçi Naçi shkruante se ishin intrigat e Mitropolisë dhe Patrikanës që “e shtrënguanë Pandeli Sotirë të hiqet pa ardhur fundi i vitit 1887”.
Naçi jepte edhe hollësi të tjera që ndikuan në tërheqjen e Pandeli Sotirit.
Sotiri kishte grua greke nga Fanari dhe sipas Naçit, “ajo e shtrengojti të largohej së këtejmi”.
Pandeliu u tërhoq në Starnboll ku, pas ca kohës, gjeti vdekjen. Bazuar tek shkrimi i Nuçi Naçi, atë “e kishin flakur nga penxheret e shtëpisë ku rrinte, tre katësh; thonë së këtë vdekje të tmeruarë j’a pregatiti e shoqja edhe i vjehri”.
Pas vdekjes së tij, shkolla mbeti në duart e z. Thanas Sinës
Viti shkollar 1887-1888 u çel me mësues z. Thanas Sina të cilit për ndihmës j’u dha Petro Nini nga Luarasi i Kolonjës, të cilin Naçi e portretizon si “burrë me zemër trime dhe të pa frikuar”.
Ndjekjet nga ana e Mitropolisë dhe të disavet nga parësija, po shtoheshin edhe ca më shumë, pasi që ata e dinin që shkolla vazhdonte pa leje, me qenë se lejen që i ishte dhënë Pandeli Sotirit e kishin zhdukur.
Në fillim të vitit 1888 Thanas Sina dha dorëheqjen nga që s’ kishte leje private për të mbajtur atë shkollë.
I ndjeri Petro Nini, i pa trembur guxoj edhe mori drejtorinë e shkollës. Për vitin shkollar 1888-1889 ishte vetëm ai për mësues, si edhe për turqishten avokati i sipërcituar.
Duke e ditur se Petro Nini e mbante shkollën pa patur leje private, e kallëzuan më shumë mënyra te qeveria Turke, me qëllim që të mbyllej shkolla.
Në atë kohë Valiu i Manastirit i shkruante Mytesarifit të Korçës: “Kjo shkollë u çel si u çel, lereni mos e trazoni; shikoni vetëm që të mos çelen të tjera”.
Vijon