Në 28 Nëntor 1912, në oran 4 pas dreke, u mblodhën delegatët në Vlorë dhe pasi u verifikuan mandatet e përfaqësimit, fjalën e mori Rexhep Mitrovica i cili tha që si kryetar i Kuvendit të zgjidhej Z. Ismail Qemal Beu, shkronjës i parë Z. Luigj Gurakuqi dhe si shkronjës i dytë Z. Shefqet Bej Daiu. Delegatët e pëlqyen këtë kërkim dhe i emruan të propozuarit me duartrokitje. Pas këtyre veprimeve u shpall Pavarësiae Shqipërisë.
Në 3 dhjetor, Ismail Qemali, i caktuar si Kryetar i Qeverisë së Përkohshme, u ngrit dhe tregoi konditat që duhej t’i mbushnin ministrat që të kënaqnin Evropën më një anë dhe Stambollin me tjatrën anë. Ata duhej të ishin emra të njohur në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë. Pos kësaj, Zotëria e tij paraqiti përpara një listë si projekt. Duke qenë se projekti pati debate, mbledhja u la të bëhej të nesrmen.
Në mbledhjen e 4 dhjetorit, që u zhvillua nën kryesinë e Myfti Vehbi Efendi Dibrës, nga 63 delegatë mungonin 6 veta:
Zotënia e tij Ismail Beu shtroi përpara kuvendit nji mënyrë të re për zgjedhjen e ministrave.
-Fuqinë që e kam unë në ketë çeshtje i’ a le kuvendit, – tha ai. -Kuvendi le të zgjedhë tetë veta, jo shtatë siç kishim thënë, që të jenë katër të krishterë e katër myslumanë.
Ismail Qemali iu lut kuvendit ta pranonte ketë mënyrë e të mos merrej me fjalë shumë, po ta mbarojnë ketë punë sa më shpejt.
Ministër do te zgjidhej ai që fitonte më shumë se gjysmën e votave të të pranishmëve, d.m.th., ata që kishin përmbi 28 vota.
Me raundin e parë u zgjodhën 5 emra: Luigj Gurakuqi fitoi 54 vota, Myfid Bej Gjinokastra 52, Mehmet Pashë Tetova 42, Abdi Bej Toptani 34 dhe Midhat Bej Frashëri 35 vota.
Tre të tjerët u zgjodhën me raundin e dytë, ku fituan Pandeli Cale, Petro Poga dhe Lef Nosi.
Për Pleqësinë ,më herët ishte diskutuar dhe votuar për numrin dhe ishte vendosur që Pleqësia të përbëhej prej 18 antarë. Pas votimit, votat u ndanë në ketë mënyrë: Iliaz Bej Vrioni 55 vota, Sami Bej Vrioni 54, Dud Karbunara 48, Mustafa Asim Kruja 42, Murat Bej Toptani 42, Eqrem Bej Vlora 40, Myfti Vehbi Efendi dhe Kristo Meksi nga 39, Dhimitër Berati 38, Dhimitër Zografi dhe Bedri Bej Pejani nga 35, Sali Gjuka 35, Veli Bej Këlcyra dhe Hajredin Bej Cakrani nga 32, Xhelal Bej Skrapari dhe Shefqet Dajiu nga 30, Dervish Bej Elbasani 29 dhe Aidin Bej Draga me 27 vota.