Faik Konica ishte kritik i ashpër i mbajtjes së kongresit të Manastirit, jo thjesht për organizmin dhe përfaqësimin, por edhe për produktin: dy alfabetet.
Përsa i përkiste organizmit ai kishte idenë që, duhej të mblidhej një komision për të parë e studiuar projektin e një kongresi; të lihej mjaft kohë – një vit nuk do të ish tepër – në mes të botimit të projektit nga komisioni dhe mbledhjes së kongresit.
Në komisionin e kongresit ai mendonte se duhej të ishin shqiptarët më të njohur në fushën e dijes dhe listonte: Fan S. Noli, A. Çako, A. S. Drenova, Giuseppe Schiro-i, Milo Duçi, Dr. Harilla, Sotir Peci, Visar A. Dodani, Faik Konica, At Shtjefën Gjeçovi, At Gjergj Fishta, At Pashko Bardhi, Dom Ndoc Nikaj, Aleksandër Xhuvanni, Luigj Gurakuqi, etj.
Këtyre duhej tu shtoheshin edhe 15 të tjerë me vlerë në fushë të gjuhës, po akoma të panjohur.
Sipas Konicës, komisioni i tyre nuk do të mirrte përsipër t’ a zgjidhte çështjen e alfabetit, por “do të gjente vetëm tokën për të bashkuar gjithë kundërshtimet e arsyeshme në një kongres më të gjerë”, dhe më në fund do të emëronte edhe një albanalog të huaj si arbitër, që në mos merreshin dot vesh t’ a kishin vënë punën në duartë tij.
Kur u-muar vesh projekti ynë, – shkruante Konica, – ca njerës të poshtër… mbluathnë fshehtazi dhe me vrap miqtë e tyre dhe bënë një «kongres»…
“Xhon-Turqët e Monastirit u mbluathnë jo njerezisht po shtazërisht”, – shkruante Konica, – “jo si zotërinj që mburen se do të bëjnë një vepre të bukur, po si hajdutë që mblidhen natën se kanë frikë nga dita”.
Konica theksonte se ai ishte kongres i osmanllinjve që e kishin bastarduar alfabetin latin me shkronjat dyshe, madje analizonte shkencërisht këto të fundit që ishin futur mekanikisht në alfabet.
Antarët e komisionit të alfabetit, sipas Konicës, “pollnë këtë kryevepre: Kombi Shqipëtar të këtë jo një abee, po dy” dhe se kush të mos e njihte vendimin e këtyre abeve “do të quhej “tradhëtor i kombit shqipëtar ”.
Ai premtonte se do te luftonte kete alfabet dhe pse jo ta zevendesonte me nje tjeter.
“As njeri në Shqipëri nuk është munduar aqë sa unë për të nxjerë abene latine”, – theksonte Konica. – “Po me që, pas aqë djersë, i vetëmi rezultat qenka që abeja latine është fëlliqur dhe është bastarduar”, – vinte në dukje ai, – “ja edhe unë ku deklaroj besërisht dhe çiltas që do t’ përpiqem me sa të munt t’ a çporr nga Shqipëria. Nukë dua të bëj gjë veçan dhe pa pëlqim t’anës kombëtare, i së cilës jam një pjesëtar…” Për më tepër në ALBANIA, London 1909, Vëllimi XII, f. 32-33;