KUMTESË

(16 maj 2019)

· Parashtresë

Konsultimi me dokumentacionin arkivor dhe krahasimi me tekstet e historiografisë zyrtare vërtetojnë thënien e Mark Mazover se “Problemi kryesor – i përbashkët për historianët, por dhe për popullin – ka qenë dhënia e kuptimeve shumë kundërshtuese madje edhe kontradiktore, për ngjarje të njëjta kyç. Ata e kanë konsideruar historinë si një “lojë me rezultat zero”, ku mundësitë për një pjesë u krijuan nëpërmjet vuajtjeve të të tjerëve dhe humbja e njërit grup ishte fitorja e grupi tjetër”.

Shtuar kësaj edhe “parimin” e “Luftës së klasave” ajo çka rezultoi ishte bardh e zi, ku heronjtë duhet të ishin doemos nga fitimtarët dhe vlerësimi i tyre bëhej sipas një shkallëzimi hierarkik në raport me hierarkinë e pushtetit.

Regjimi, duke pretenduar se përfaqësonte popullin, identifikohej me shtetin dhe duke njësuar shtetin me kombin, krijoi edhe “armiq” të shumtë sipas një hierarkie të përmbysur, ku pa dyshim më i demonizuari prej tyre është Esad Pashë Toptani.

Duke qenë se dokumentacioni është i shumtë, bibliografia e pasur, por koha e kufizuar, parashtrojmë disa nga faktet e shumta, për ngjarje të njëjta kyç” që nuk janë në të njëjtën linjë me historiografinë zyrtare.

· Funksionar dhe deputet në Perandorisë Osmane

Me figurën e Esat Pashë Toptanit, literatura na njeh që në vitet e parë të shekullit XX- të, kur ai ishte në detyrën e komandantit të xhandarmërisë së Vilajetit të Janinës. Qysh atëherë ai u bë i famshëm për shkak të konfliktit me valiun Osman Pasha, i cili pushonte nga puna shqiptarët dhe vllehët, të cilët ankoheshin tek Esad Toptani.

Esad Toptanin e larguan nga Janina për në Shkodër, por sipas Skiroit, ai u përshëndet “… nga një demonstratë masive popullore”.[1] Për konfliktin në fjalë foli edhe agjencia “Stefani” dhe shtypi i kohës.

Në parlamentin osman (1908-1912), Esad Toptani ishte një nga deputetët më aktivë në debate me Turqit e Rinj, të cilët synonin të homogjenizonin dallimet midis kombeve, gjuhëve, religjioneve e interesave, për t’i përfshirë, siç thoshte Euxhenio Vaina, “në një fortesë të vetme artificiale të ndërgjegjes osmane”.[2]

Për mbrojtjen e alfabetit shqip, më l6 janar 1910, gazeta Lirija botonte pikëpamjet e disa deputetëve shqiptarë, midis të cilëve: Ismail Qemali, Esad Toptani, Hasan Prishtina, Myfit Libohova etj., të cilët i kërkonin qeverisë të liheshin të lirë shqiptarët që të shkruanin gjuhën shqipe qysh të donin, “duke mos marrë pjesë nëpunësit e qeverisë as për një anë, as për tjetrën”.[3]

Gazeta Shqiptari, në 1 mars 1910, botonte përgjigjen e deputetit Esad Pashë Toptani, për shoqëritë kulturore të komunitetit katolik të Shkodrës:

“…Të jeni të sigurt se shkrimi jonë kombëtar, i vetëm që mund të lulëzojë gjuhën tonë, do të mbrohet prej nesh kundër armiqve të Shqipërisë dhe do të përparojë e do të përdoret për madhësinë e atdheut të dashur”.[4]

Esad Pashë Toptani ishte kundërshtuar i vendosur i qeverisë ushtarake për sjelljen e saj gjatë kryengritjeve të vitit 1910-1911 në Shqipërinë e Epërme. Duke dalë në opozitë me qeverinë, ai i deklaroi shtypit se ishte detyra e tij “t’i kushtohej tërësisht mbrojtjes së të drejtave tona kombëtare”.[5]

Në një letër dërguar Bajram Currit, më 14 janar 1911, Jusuf Elezi, falënderonte Esad Toptanin që kishte folur në Parlament “si nji atdhetar i vërtetë”.[6] Pas rezistencës së deputetëve shqiptarë në parlamentin osman, të arrestuarit për problemet e arsimit shqip u liruan dhe në shkollat shtetërore u fut mësimi i gjuhës shqipe.

Ditët e para të janarit 1912, u mbajt një mbledhje në shtëpinë e Syrja Bej Vlorës në lagjen Taksim të Stambollit, ku morën pjesë deputetët Ismail Qemali, Esad Toptani, Hasan Prishtina, Aziz Vrioni dhe Myfit Libohova. Sipas Syrja Bej Vlorës, aty lidhën besën se do të përpiqeshim me çdo sakrificë për shpëtimin e kombit.[7]

Pas shpërndarjes së parlamentit, Ismail Qemali u nis për në Evropë, Syrja bej Vlora në Shqipërinë e Poshtme, Esad Toptani në Shqipërisë e Mesme, ndërsa Hasan Prishtina në Kosovë.

Më 3 prill 1912, Fadil Toptani i shkruante nga Nica, Sotir Kolesë, se punët kishin marrë për mirë dhe se Esad Pashë Toptani “… është tu punuar me një fuqi të madhe. Gjithë malësinë e Krujës dhe Tiranës e ka bashkuar me besë të fortë dhe na përgjigjet se gjendet gati për çdo punë…”[8]

Në krye të çetave kryengritëse në zonën e Tiranës dhe Krujës u vunë kushërinjtë e tij, Abdi Bej Toptani e Refik Bej Toptani.

Shpallja e Pavarësisë e gjeti Esad Pashë Toptanin në Luftën e Shkodrës, por ai komunikoi atë ditë me Ismail Qemalin, madje edhe të nesërmen. Siç del nga përmbajtja e telegramit të datës 29 nentor, bëhej fjalë për mbrojtjen e atdheut. “Duhet të përpiqemi t’a ruajmë si shpirtin fuqinë qi kemi në dorë”, – theksonte Esad Toptani, – “e cila ësht e vetmja forcë qi na mbetet dhe ruajtja e sajë asht nji çeshtje gjallnie…”[9]

· Mbrojtës i Shkodrës

Lufta për mbrojtjen e Shkodrës, për nga kohëzgjatja, intensiteti, pjesëmarrësit dhe pasojat, është më e madhja, e dokumentuar, që është zhvilluar në trojet shqiptare. Ajo u zhvillua në të njëjtën kohë kur në Konferencën e Ambasadorëve në Londër bisedohej për vendosjen e kufijve të Shqipërisë me Malin e Zi.

Në 29 janar 1913, Fuqitë e Mëdha ishin të mendimit se qëndrimi përfundimtar për Shkodrën do te varej nga ndryshimet në terren.[10]

Duke identifikuar mbrojtjen e qytetit me gjeneralin Hasan Riza Pasha, natën e 31 janarit 1913 ai u vra në një atentat. Shpifjet se atë e vrau Esad Pasha me qëllim që të dorëzonte Shkodrën nuk kanë asnjë bazë, asnjë fakt, asnjë provë, nuk e pranon as logjika më elementare dhe është humbje kohe të ndalemi këtu.

Duhet theksuar se nën komandën e Esad Pashë Toptanit janë zhvilluar betejat më të përgjakshme për mbrojtjen e Shkodrës.[11]

Në kushtet e urisë ekstreme ku qytetarët po vdisnin nga uria dhe ushtarët hanin mish kali të ngordhur, Esad Pasha shpëtoi priftërinjtë katolikë dhe motrat stigmatine nga vdekja e sigurt, duke u dhenë për një muaj, ditë për ditë, ushqime nga racioni i ushtarëve.

Pasi ushtria e Malit të Zi dhe Serbisë nuk mundën të ndryshonin situatën në terren dhe nuk e morën dot qytetin, ku lanë afro 10 mijë të vrarë, Fuqitë e mëdha nuk pritën më, dhe në 22 mars 1913, Konferenca e Ambasadorëve në Londër, vendosi që Shkodra me rrethina t’i mbetej Shqipërisë.[12]

Ministri i Jashtëm i Austro-Hungarisë, Berchtold, shqetësohej se nga uria mund të binte Shkodra dhe ushtria malazeze e serbe mund të masakronin banorët. – Do të jetë turp tepër i madh, – theksonte ai, – në qoftë se përpara hundës s’admiralëve të Fuqive të Mëdha do tu vihet kosa banorëve të Shkodrës… [13]

Më 26 mars filloi faza e ekzekutimit të vendimit të 22 marsit dhe përmbarues i të tilla vendimeve janë fuqitë që e kanë dhënë. Pati zvarritje dhe debate, mosmarrëveshje dhe intriga, por Vjena ishte këmbëngulëse për të ekzekutuar vendimin. Në bashkëpunim me Romën po gjenin mënyrën se si të nxirrnin palët nga lufta, por edhe të jusitikonin mbretin Nikolla përpara popullit të tij të vogël, për humbjet e mëdha që kishte pësuar në njerëz.

Më 12 prill, ambasadori i Italisë në Vjenë, Duka i Avernës, në një bisedë me Berchtold, e informonte se: “…qeveria italiane është e mendjes që nuk mjafton që të përkrahet Mali i Zi me të holla, po duhet përpjekur që të lartësohet dhe prestigji i asaj Mbretërie”. Dhe për t’ia lartësuar prestigjin, ministri Sonino propozonte që Fuqitë e Mëdha t’i lenë ushtritë malazeze që të hyjnë në Shkodër, “natyrisht vetëm sa për sy e faqe dhe për t’u përkëdhelur pak vanitetin e malazezëve”.[14]

Më 22 prill, Esad Pashë Toptani, thirri në një mbledhej parinë e Shkodrës, muslimanë e të krishterë dhe i njoftoi se ishte i detyruar ta dorëzonte qytetin.

Ai i kritikoi se disa prej tyre nuk e kishin bërë detyrën dhe nuk kishin ndihmuar sa duhej.

– Ju kishit përpara syve shembullin që djem në lulen e rinisë erdhën këtu nga rajonet më të largëta të Perandorisë për të mbrojtur qytetin tuaj, ju dhe familjet tuaja. E janë vrarë me mijëra. Ndërkohë që ju bënit tregti në qytet duke u shitur dhjetë franga kilen e drithit atyre që vuanin e vdisnin për ju”.[15]

Plani i Soninos u zbatua dhe më 23 prill 1913 ushtria e Malit të Zi hyri në qytetin e Shkodrës, ndërsa pas disa ditësh u urdhërua të largohej nga qyteti. Marrëveshja që njohim përmbante në radhë të parë mbrojtjen e popullsisë, për të cilën shqetësohej Berchtold. Ushtria serbe ishte larguar më herët dhe nuk kishte hyrë në Shkodër pasi që e pa se lufta nuk kishte më kuptim.

· Në qeverinë e Ismail Qemalit

Pas mbërritjes në Durrës, Esad Pasha vizitoi konsullin e Italisë dhe të Austrisë duke përgënjeshtruar tërë fantazitë e atyre që thoshin se kishte pretendime për kurorën e Shqipërisë. Foli qartë dhe tha se kishte punuar për kauzën shqiptare, por nuk e specifikoi në cilin drejtim do të ishte aksioni i tij dhe se si do të kontribuonte.[16]

Në këtë zonë plot intriga, – vinte në dukje Luigi Magrini, – heshtja politike e Esad Pashës nxiste fantazinë e kundërshtarëve të tij”.[17]

Megjithë fantazitë e kundërshtarëve të tij, – shkruante Euxhenio Vaina, – me dëshirën e mirë për të forcuar qeverinë e Vlorës, ai vuri në shërbim të saj, figurën e tij, absolutisht predominante.[18]

Pasi u kthye Ismail Qemali nga një vizitë tremujore në Evropë, Esad Toptani u përfshi në qeverinë e Vlorës. Po cila ishte gjendja e qeverisë së Vlorës deri atëherë?! Luixhi Magrini shkruante: “Çdo kaza bënte sipas kokës së vet, jetonte vetëm dhe e izoluar nga pjesa tjetër e Shqipërisë. Në veri çdo fis kishte autonominë e pavarësinë e tij. Në qendër, Durrësi nuk dinte çfarë bënte Tirana e si qeverisej, e kjo e fundit nuk donte t’ia dinte se ç’bëhej në Elbasan. Vlora ishte larg e …Ismail beu, kryetari i qeverisë provizore ishte edhe më larg se Vlora”. [19]

Esad Toptani deklaroi se kishte vendosur të ishte pjesë e qeverisë së Vlorës “…për të kryer detyrën patriotike, duke i treguar botës se janë pa themel gjithë pretendimet e atyre që guxojnë të bëjnë çpifje kriminale se shqiptarët nuk meritojnë pavarësi”.[20]

Ai bënte apel që të gjithë bashkë të punonin” me drejtësi për lartësimin dhe përparimin e Atdheut tonë të dashur…”[21]

Për shkak të konflikteve brenda qeverisë së Vlorës, Esad Toptani vendosi të largohej nga qeveria e Vlorës dhe më 24 shtator 1913, firmosi aktin e fundit si ministër i saj.[22] Më herët ishin larguar edhe të tjerë ministra, më kryesori zv kryeministri Dom Nikoll Kaçorri.

· Përpjekje për të çliruar Shqipërinë e Jugut

Në qeverinë e Princ Vidit të kryesuar nga Turhan Pashë Përmeti, Esad Toprtani kishte postet e Ministrit të Brendshëm dhe të Luftës. Ishte caktuar ministër i Luftës por nuk kishte ushtri! Ishte ministër i Brendshëm, por nuk kishte xhandarmëri. Ashtu si ministri i Financave që nuk kishte financa pasi që ministrat nuk kishin kompetenca. Ato i kishte KNK. Vlen të theksohet se në prill 1914, Princ Vidit i bëri një vizitë baroni Rothshild, por përmbajtja e bisedës u mbajt e fshehtë.[23]

Esad Toptani punoi për vënien nën kontrollin e qeverisë të zonave të Shqipërisë së Jugut, por oficerët holandezë që kishin nën urdhra xhandarmërisë, refuzonin.

“…Vepra e tij është e hijshme, e bukur, – shkruante gazeta Taraboshi, – “…asht diftue shqiptar i vërtetë, shumë ma shqiptar se na t’tanë t’cilët nalena sall n’protesta me gojë”.[24]

Gazeta Taraboshi e asaj periudhe është mjaft e pasur me informacione, për ketë çështje.

Duke parë refuzimin e oficerëve hollandezë, Esad Toptani shkoi vetë në Krujë e Tiranë e brenda ditës grumbulloi një batalion me ish luftëtarët e Luftës së Shkodrës. Sipas Hafiz Ibrahim Dalliut, në krye të tyre u emërua Abdi Toptani dhe midis ndihmësave të tij kryesore, Refik Toptani e Osmon Bali. Esadi mbajti një fjalim të zjarrtë, e të nesërmen, më 17 maj, batalioni u nis për në Jug, por në Limuth ra në pritë.

Duke e ditur se kush qëndronte pas asaj prite, Esad Toptani i paraqiti dorëheqjen Princ Vidit, por ai nuk ia pranoi duke deklaruar se “… e konsideronte dorën e djathtë të tij”.[25]

Esadi vazhdoi atë ditë në detyrë, por natën shtëpia e tij ishte rrethuar prej 200 vetave nën komandën e oficerëve holandezë”.[26] Shtëpia u bombardua dhe me ndërhyrjen e Aliotit, Esad Toptanin e larguan në Itali.

Në shenjë proteste për intrigat e thurura kundër Esad Toptanit, më 22 maj 1914 dhanë dorëheqjen ministrat, Myfit Libohova, Hasan Prishtina, Dr. Adhamidhi e Azis Vrioni, duke deklaruar se: nuk duronin të përdoreshin më si kukulla në duar të oficerëve holandezë dhe të merrnin përsipër gabimet trashanike dhe keqbërjet e tyre.

Me largimin e Esad Toptanit, situata në vend do të rëndohej. Sipas Xhorxh Fred Uilliams, ish ambasador i SHBA në Athinë, që në qershor 1914 bëri një vizitë në Shqipëri, popullsia e Jugut, e vendosur në ullishtet e Vlorës, ndodhej përballë katastrofës dhe “30.000 kishin vdekur se s’kishin as shtresë dhe as mbulesë e as kasolle ku të futnin kokën”.[27]

· Teza e “bashkëpunimit” me serbët

Një nga akuzat që i kanë bërë Esad Toptanit është kinse ai është rikthyer me ndihmën e Serbëve dhe ka bashkëpunuar me ta. Mirëpo, referuar dokumenteve diplomatike italiane të periudhës 1914-1918, në gusht 1914, Alfred Rothshild e bindi qeverinë italiane të rreshtohej përkrah Anglisë, Francës e Rusisë.[28] Shqipëria ishte përfshirë nga anarkia, ndërsa Antantës i interesonte një Shqipëri neutrale dhe stabile e për këtë qëllim vendosën të kthenin në Shqipëri Esad Toptanin, për shkak të influencës dhe mbështetjes që kishte.[29]

Aksionin për kthimin e Esadit në Shqipëri e përgatitën ambasadorët e Italisë në Stamboll, Athinë, Nish e Durrës dhe përfaqësuesi i saj në Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit.[30]

Pengesë po bëhej kryeministri i Serbisë, Pashiç, i cili, pas presionit të Antantës, pranoi ta takonte Esadin, në Nish, duke deklaruar se Serbia do të respektonte tërësinë tokësore të Shqipërisë, “por do t’i përgjigjej me vendosmëri çdo sulmi shqiptar në kufi”.[31]

Më 3 tetor 1914, Esad Toptani, i shoqëruar nga rreth dhjetë mijë vetë, hyri në Durrës i pritur mirë nga popullsia.[32] Dy ditë me vonë, Esad Toptani vuri në dijeni përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha në Durrës se do të qeveriste me titull të përkohshëm derisa populli apo Fuqitë të zgjidhnin një Sovran të ri. [33]

Më 4 tetor 1914 Esadi formoi qeverinë, ndërkohë, Fuqitë e Bllokut, nxitën kryengritjen kundër tij dhe në 23 nëntor kryengritësit i dogjën shtëpitë në Laprakë.[34]

Kryengritësit, pas marrjes së Beratit, kishin varur disa banorë të besimit ortodoks në qytet. Një ngjarje e tillë shqetësoi qeverinë e Venizellosit, e cila deri atëherë kishte predikuar të mbronte ortodoksët. Ajo u vu në lëvizje duke patur parasysh se vetëm Esad Toptani ishte në gjendje të vendoste paqen dhe të respektonte liritë e tyre. Më 17 janar 1915, Mehmet Konica vizitoi Venizellosin dhe ministrat gjermanë e austro-hungarezë në Athinë, por bisedat e tyre nuk u bënë publike.[35]

Për të shtypur kryengritjen, “përfaqësuesit e Aleancës Trepalëshe në Beograd” autorizuan ndërhyrjen e Serbisë në Shqipëri.[36]

Përfaqësuesi i Italisë në Durrës, Alioti, i raportonte ministrit të Jashtëm, Sonino, se Esadi jo vetëm që nuk kishte asnjë marrëveshje me Serbinë, por kishte kërkuar që ajo të respektonte territorin e integritetin e Shqipërisë, siç kishte deklaruar Pashiçi…”[37]

Sipas tij, “Esadi, mjaft i zemëruar, i kishte thënë të ngarkuarit me punë të Serbisë që jo vetëm nuk kishte pranuar qëndrimin e trupave serbe në Tiranë, por do të ishte gati për të kundërshtuar edhe me armë”.[38]

Në një raport të 27 qershorit 1915, Alioti informonte ministrin Sonnino se “Esadi e kishte akuzuar Gavriloviçin se po imitonin veprimet e grekëve në Shqipërinë e Poshtme që për fat të keq nuk shtypeshin, por përkundrazi shpërbleheshin”.[39]

Ai në të njëjtën kohë ua kishte bërë të qartë Fuqive se “nuk donte të bëhej lodër në duart e atyre që nga njëra anë kërkonin dënimin e kryengritësve shqiptarë dhe nga ana tjetër, me të pabesë, kërkonin ta paraqisnin atë si një tiran në sytë e popullsisë”.[40]

Pas presionit të Londrës e Romës, serbët u larguan nga Shqipëria dhe u përfshinë në luftë kundër Bllokut. Në ditët e para të tetorit 1915, ata u thyen në frontin e Danubit dhe u dyndën drejt jugut ku e vetmja mundësi shpëtimi mbetej tërheqja drejt Shqipërisë.

Ange1o Gati, shkruante: “Turma, me të cilën udhëtonte kolera, tuberkulozi, tifua, dizanteria po derdhej drejt porteve të Shëngjinit, Durrësit dhe Vlorës”.[41]

Në portet shqiptare u ankoruan flota luftarake italiane e ndihmuar nga anije franceze dhe angleze.

Përmasat e tragjedisë serbe përshkruhen në shumë libra e raporte të kohës. “Në Vlorë zbritën më shumë të vdekur se të gjalle, – shkruante në relacionin e 14 shkurtit 1916, Duka i Ambruzos, kryekomandant i flotës detare italiane (…). Të gjithë këta njerëz tek deti shikonin shpëtimin. E mbi det qëndronte Italia me aleatët.[42]

Gjatë tërheqjes së serbëve, qeveria e Esad Toptani mbajti qëndrim neutral, sipas statutit që i kishin dhënë Fuqitë e Mëdha Shqipërisë dhe u kujdes të shpëtonte popullin.

Esad Toptani i njihte mirë ligjet e luftës dhe nëse do ti kishte vrarë serbët në ato kushte do të bënte krim lufte, parashikuar nga Konventa e Gjenevës e 12 gushtit 1864, e cila ishte ligj i përgjithshëm që rregullonte konfliktet e armatosura. Për më tepër, në vitin 1914, Shqipëria nuk ishte në luftë me Serbinë.

Mbreti Pjetër, ditën që u largua nga Shqipëria, do të deklaronte se populli serb nuk do ta harronte kurrë ndihmën e shqiptarëve dhe të Esad Pashë Toptanit.

Ky ishte “bashkëpunimi” i Esad Pashë Toptanit me serbët. E për këtë “bashkëpunim” Nikola Pashiç do të deklaronte në Konferencën e Paqes në Versajë se e njihnin Shqipërinë në kufijtë e caktuar nga Konferenca e ambasadorëve në Londër, dhe se shqiptarët janë të aftë të vetëqeverisen dhe këtë e kanë treguar me qeverinë e Esad Pashë Toptanit. Ishte diplomacia e përdorur prej tij që edhe Venizellos të deklaronte se edhe Greqia nuk kishte pretendime por edhe të tjerët të largoheshin nga Shqipëria. Qëndrimi këtyre shteteve bëri që presidenti Uillson të refuzonte propozimin e dy Fuqive të mëdha të Antantës. Të mos harrojmë se në Versajë, si asnjëherë më parë, rrezikohej copëtimi i mëtejshëm i Shqipërisë.

· Fabrikimi i gënjeshtrës se Esad Toptani është paguar nga Serbia

Një nga fabrikimet është gënjeshtra sikur Esad Toptani është paguar nga Serbia!

Në të vërtetë, Esad Pashë Toptani mbetet i vetmi politikan shqiptar i të gjitha kohërave që i ka prerë faturën financiare Serbisë për të gjitha dëmet që ka shkaktuar në Shqipëri.

Kështu, në korrik 1913, Esad Toptani i kërkoi qeverisë serbe dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara nga ushtria serbe, listën e të cilave ia kishte dorëzuar gjeneralit Bojoviç.[43]

Të njëjtën gjë bëri edhe në Konferencën e Paqes në Paris, kur kërkoi dëmshpërblim për dëmet që i ishin shkaktuar Shqipërisë, dëme që vlerësoheshin në 50 milion fr. Ari.

Esad Toptani i paraqiti Klemansosë, më 16 prill 1919, një memorandum që shoqërohej me faturën e shpenzimeve të bëra prej tij gjatë bashkëpunimit me fuqitë e Antantës.[44]

Ai kërkoi edhe dëmshpërblim për familjet e ushtarëve shqiptarë të vrarë për krah Antantës, në frontin e Lindjes.

Nuk kemi të dhëna në ç’masë e shleu Serbia dëmshpërblimin për dëmet e shkaktuara. Duhet theksuar se ushtarët serbë i kishin plaçkitur shtëpinë Esad Pashë Toptanit, duke mos kursyer as dhomën e bashkëshortes.

Sigurisht që Fuqitë e mëdha nuk ia dhanë dëmshpërblimin Shqipërisë, madje sa mbaroi lufta e madhe, qeveria franceze i kishte mohuar Esad Toptanit kthimin në Atdhe. Për këtë fakt ai u vu në dijeni vetëm në prill 1920, dhe u ankua në Ministrinë e Jashtme të Francës.

· “Esadizmi”, shpikje e historiografisë

Historiografia dhe politka ka fabrikuar termin “esadizëm” që përdoret edhe në ditët tona për qëllime politike dhe denigruese. Duhet theksuar se Esad Pashë Toptani nuk ka pasur ndonjë parti politike që të linte trashëgimi ideologjike. Ndjekësit e tij ishin luftëtarët që mbrojtën Shkodrën.

Lufta e Shkodrës dhe qeverisja gjatë periudhës 4 tetor 1914- shkurt 1916 i kishte dhënë Esad Toptanit prestigj të lartë. Duke qenë edhe me karakter krenar, disa fuqi të Antantës shqetësoheshin se si mund ta menaxhonin në kohë paqe, për më tepër kur i kishte deklaruar shtypit se shqiptarët dëshironin të jetonin të lirë dhe Shqipëria të zinte vendin e saj midis kombeve.[45]

Më 25 nëntor 1918, Komandanti Suprem i Forcave Ushtarake Italiane në Ballkan, gjeneral Piaçentini, informonte Romën, citoj:“… mbështetësit e Esad Pashës… kanë kufizuar pushtimin tonë në zonën perëndimore të Shqipërisë” dhe se “… rreth gjysma e territorit dhënë Shqipërisë nga Konferenca e Londrës është jashtë kontrollit tonë”.[46]

Piacentini theksonte se komanda kishte marrë masa për të survejuar lëvizjen e përkrahësve të Esad Toptanit dhe ishte duke formuar rrjetin e survejimit.[47]

Më 14 janar 1919, ministri i Jashtëm Sonnino i shkruante gjeneral Piacentinit se nga këndvështrimi politik miratonte propozimet kundër përkrahësve të Esad Toptanit. Ai e udhëzonte për organizimin e kundërpropagandës duke aktivizuar elementë të kombësisë shqiptare.[48]

Ishin këta elementë që propagandonin dhe shkruanin peticione te cilat i dërgonin në Konferencën e Paqes në Paris.

Ndërkohë, Esad Toptani kishte kontakte me nivelet e larta të Konferencës së Paqes duke mbrojtur energjikisht Shqipërinë. Në Promemorien dërguar Komisionit të Traktatit kritikonte edhe Traktatin e Fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915. “…Un nuk po pretendoj me i ba gjyqin këtij vendimi”, – theksoi Toptani, – “por nuk mund të rri pa vu në dukje se, nga njëra anë, Fuqitë nënshkruese vendosin për një pasuni që s’i përkiste një anmiku dhe nga ana tjetër, tue ia heqë pavarësinë, ato e ndëshkonin Shqipërinë pse ishte deklarue në favor të tyne!”[49]

“Në momentin kur nënshkruhej kjo marrëveshje”, – vinte në dukje Toptani, – “qeveria ime ishte rreshtue qysh prej gjashtë muajsh në krahun e Antantës, ndërkohë që Fuqia në favor të së cilës hipotekohej kësisoj e ardhmja e vendit tim nguronte ende të shprehte qëndrim. Sidoqoftë, unë çmoj se asht detyra ime me i tërheqë vëmendjen Konferencës mbi rrezikun e këtij vendimi”.[50]

Kur në prill 1920, Këshilli Kombëtar i dalë nga Kongresi i Lushnjes, dërgoi një përfaqësi në Paris për parë programin e Esad Toptanin, u zbatua pjesa tjetër e planit, të shprehur nga një diplomat në shkurt 1916, kur theksonte: Do ta lëmë të iki, por nuk do ta lëmë të kthehet. Dhe nuk e lanë.

[1] Giuseppe Schiro, “Gil Albanesi e Ia Questi one Balcanica”, Napoli 1904, p. 402-403.

[2] Eugenio Vaina, “La Nazione Albanese”, Catania 1917, p. 66.

[3] “Lirija”, l6 janar 1910 f. 1-2.

[4] “Shqiptari”, nr. 10, e enjte 1 mars 1910, f. 1.

[5] Gazeta “Coriere d’Italia, 20.1.1911; Intervista col deputato Hessad pascia, cituar sipas “L’Agonie e la fine di Scutari”.

[6] AQSH, fondi Bajram Curri, dosja 7; Letër e Jusuf Elezit dërguar Bajram Currit, 14 kallnuer 1911.

[7] Syrja Bej Vlora “Kujtime”, f. 42.

[8] AQSH, fondi 54, pa vit, dosja 67, f. 146.

[9] Lef Nosi, Dokumente Historike, f. 176; Proklamimi i Indipendencës Shqiptare, Telegram nr. Nr. 431, Karagjah, 15 Vjeshtë e Tretë 1328-1912.

[10] Alesandro Duce, L’Albania nei rapporti italo-austriaci 1897-1913, Milano 1983, p. 316.

[11] Domenico Facin O.F.M. “I Frati Minor e Le Suore Stimatine durante L’Assedio di Scutari”, Firenze 1913.

[12] “Historia e Shqipërisë”, vëllimi II, Tiranë 1965, f. 376.

[13] AQSH, fondi 591, viti 1913, dosja 2/1, Nr. 6664. Tel. për Berlin Nr. 309 (1), Romë Nr. 393(2), Petrograd Nr. 291 (3), Paris Nr. 235 (4),

[14] AQSH., fondi 591, dosja 2/3, f. 338; (Nr. 6590. Raport dite mbi një intervistë me ambasadorin italian, 12 prill 1913, Nr. 1662a. Koncept Berchtold).

[15] Gino Berri, “L’Assedio di Scutari”, Milano 1913, p. 250.

[16] Gualtiero Castellini, “I popoli balcanici nell’ anno della guerra”, Milano 1913, p. 240.

[17] Luigi Magrini, “Le isole, l’Albania e l’Epiro, maggio 1912-giugno 1913”, p. 241.

[18] Eugeno Vaina, “La Nazione Albanese”, Catania 1917, p.127.

[19] Po aty, f. 242.

[20] AQSH, fondi Esad Pashë Toptani, dosja 14, f. 22;

[21] Po aty.

[22] AQSH., fondi 70, dosja 14, f. 8.

[23] Gazeta “Atdheu”, 24.04.1914, f. 2.

[24] “Taraboshi”, 12-13 mars 1914.

[25] AQSH, fondi 152, dosja 88, f. 3-4.

[26] Po aty

[27] Xhorxh Ferd Uilliams, Shqiptarët, Tiranë 1999, f. 52.

[28] “I dokumenti diplomatici italiani”, Quarta serie, 1908-1914, Roma MCMLXV, Volume XII, p. 48-49.

[29] “I dokumenti diplomatici italiani”, Quinta serie, 1914-1918, Roma MCMLIV, Volume I, T. PER POSTA 9125/886 Durazzo, 11 settembre 1914.

[30] “I dokumenti diplomatici italiani”, Quinta serie, 1914-1918, Roma MCMLIV, Volume I, p. 385-386.

[31] Po aty, p. 385.

[32] “I dokumenti diplomatici italiani”, Quinta serie, 1914-1918, Roma MCMLIV, Volume I, p. 406.

[33] “I dokumenti diplomatici italiani”, Quinta serie, 1914-1918, Roma MCMLIV, Volume I, p. 541.

[34] “Histori e Shqipërisë”, Tiranë 1965, vëllimi II, f. 433.

[35] AIessandro de Bosdari; “Delle Guerre balcanica della grande Guerra”, Milano 1927 p. 116.

[36] “ I dokumenti diplomatici italiani”, quinta serie, Volume IV, p. 103.

[37] “I dokumenti diplomatici italiani”, quinta serie, Volume IV, p. 102; Tel CAB. R. 4307/332; Durazzo, 13

qershor 1915.

[38] Po aty.

[39] “I dokumenti diplomatici italiani”, quinta serie, Volume IV, p. 110-111; Tel CAB. R. 4307/332; Durazzo, 13

qershor 1915.

[40] Po aty.

[41] Ange1o Gati, “La parte dell’Italia”, Milano 1926 p. 139.

[42] Po aty, p. 137.

[43] Zekeria Cana, Politika e Serbisë kundrejt çeshtjes shqiptare 1903- 1913; Prishtinë 2006, f. 337-338.

[44] Amedeo Giannini, “La Formazione dell’ Albania”, Terza edizione, Roma, 1929, p. 52

[45] Gazeta “La Tribune de Geneve” (4-X) 1918; Intervista con Esad Pasha.

[46] “I dokumenti diplomatici italiani”, Sesta serie, Volume I, Roma MCMLVI, p. 358.

[47] Po aty.

[48] Po aty.

[49] Esat Pascia, “Memaire sur 1’Albanie”. Paris 1919

[50] Po aty.

error: Content is protected !!