Naum Veqilharxhi, dihet se është autori i së parës abetare shqip, “Evetari”. Në revistën Përpjekja Shqiptare, Tajar Zavalani shkruante se Veqilarxhi i paraqiti të famëshmit Ali Pasha, i cili qe kryeministër nën sulltan Azizin, një lutje me të cilën lypte privilegjin e mësimit të gjuhës s’ onë me shkronja latine.
Ali Pasha, të cilin Zavalani e cilësonte burrë shteti mjaft i kuptuar, kërkesën e gjeti të arësyeshme, por me që ajo duhej biseduar në Këshillin Ministerial, e paraqiti në Këshillë.
Mirë po Patriku i atëhershme, i cili kishte njerëzit e tij në administratën osmane, e mësoi këtë çështje dhe me një herë i vajti Ali Pashës, për t’ a kandisur që të refuzonte kërkesën. Ai i tha pashait se Naumi ishte “spiun i Austrisë” dhe se kishte qëllime të dëmshme për Turqinë, dhe i propozoi t’a thërriste para tij që t’ i jepte disa këshilla. Disa ditë më vonë Ali Pasha pregatiti një pjekje midis Patrikut dhe Naumit, në pallatin e tij. Patriku filloi nga këshillat, por Naumi iu drejtua kryeministrit: “Zotni, unë kam ardhur ne Veziri i madh i Mbretit; me këtë prift nuk kam të bëj”.
Patriku, sipas Zavalanit, vuri në dorë një nga vezirat, Rushdi pashën, përkthyesin e Portës. Kur u paraqit në Këshillë lutja e Naumit, Ali Pasha shfaqi mendimin që t’i jepej privilegji i gjuhës që ai kërkonte.
Por Rushdi Pasha, i cili kishte vajisur “rotat e karrocës”, kundërshtoi me një herë: – “Zotërinj, tha, në qoftë se u jepet Shqiptarëvet, të cilët në natyrë janë të lehtë, një privilegj, pas 50 vjet Rumelia n’ a del nga duart!…”
Atëherë kryeministri, me rreptësi, i pyeti: – “Me këtë mënyrë a do t’ a kemi vallë dhe 50 vjet?”
Dihet se çfarë ndodhi me fatin e Naum Veqilharxhit. Do të kalonin edhe 20 vjet deri sa Naim Frashëri të realizonte atë që e filloi Naum Veqilharxhi.