Me këtë titull të shkrimit të Kris Malokit, revista prestigjoze “Hylli i Dritës” fillonte numrin e parë të vitit 1937. Në fakt, shkrimi në fjalë sintetizonte debatet që ishin zhvilluar ato vite, për ceshtjet “Pleqt apo të Rijt” dhe “Orientalë apo Oksidentalë”.
Siç merret vesh nga shtypi i kohës, debatet kishin objekt luftën për pushtet. Të “Rijt” i përkisnin rrymës së quajtur “neoshqiptarizëm” dhe luftonin ata që e kishin pushtetin, përkatësisht “Pleqt”.
Debati u mbyll ashtu si nisi, sepse nuk mbështetej mbi baza ideologjike, sociologjike apo historike. Duke mos pasur baza parimore, doemos do të degjeneronte në interesa e inate personale. Në fund të fundit, tërë thelbi i debatit mund të përmblidhej me shprehjen :’Ulu ti, të hipi unë”.
Duke qenë se çeshtja “Pleq apo të Rij” nuk funksionoi, të “Rijt” apo dishepujt e “Diktaturës së ndritur” do të fillonin një tjetër debat, por këtë herë me termat më intrigues: “Orientalë apo Oksidentalë”.
Këtu dukej se rryma e të rinjve (neoshqiptarizmi) do të hiqte “shpatat nga milli” dhe do të përleshej keqas.
Ata që quheshin “oksidentalë”, apo levantinët, po të përmendim një term të Konicës, e kanalizuan debatin si një luftë ndërmjet “Orientalizmës” dhe “Oksidentalizmës” në vendin tonë. Mirëpo, çeshtja ishte se kë do të quanin konkretisht Orientalë!
“Orientali shqiptar”, – theksonte Hylli i Dritës, – “asht i zoti për të gjitha… turpet. Shet bab’ e nanë, din e iman, besën e nderin e vet, për mos me thanë : shpirtin e trupin e vet; vetëm e përvetëm që t’i shkojë kungulli mbi uj, vetëm që mos t’i prishen telat e karadyzenit”.
Kur vinte puna në terrenin konkret, problemI bëhej më i vështirë sepse çeshtja shtrohej se nga kishte ardhur “Orientalizma”?!
– Asht një gabim i trashë kur thohet shumë herë se orientalizma na ka ardh sefte nga Azija, a por nëpër religjonin muhamedan, a por nga populli turk. – Jo, kurrësesi, – theksonte Krist Maloki, -orientalizma jonë asht një dhuntie fatale e kristianizmit euro-aziatik.
Dhe burimin e gjente që në vitin 740, në kohën e Leonit III Izaurit, kur vendi ynë kishte qenë pjesë e Bizantit.
Mirëpo, rinia e shkolluar e kohës kujtonte se përmbajtja e “oksidentalizmës” kishte të bënte “ vetëm nër veshje e mbathje evropjane, a por në të ndejunit plot koketësi ner sallona…”
Revista Hylli i Dritës“ vinte në dukje se e kishin gabim të trashë – kur thoshin disa se shkolla evropiane “të ban oksidental me doemos”. – Jo, kurrësesi! Duhet dijtë se edhe në Evropë nuk janë të gjithë oksidentala e të kulturuem. Mana n’Evropë ka njerëz (evropjan të lindun), të cilët me gjithë shkolla të kryeme, me dëftesa , e doktoratura, me diploma e dekorata shkëencëtare… janë njerëz të poshtër e edepsëza, janë vagabonda e mashtrimtarë, e janë kriminelë të dorës së parë…”
Në fund çeshtjet përfunduan duke theksuar se nuk kemi të bëjmë vetëm me shkollën, por edhe me karakterin. Sepse nëse shkolla të zhvillon më shumë intelektin, vlerat sociale i mbart karakteri I cili formohet në mjedise familjare, shoqërore, historike dhe gjeografike. Dhe njerëzit pa karakter, në cdo kohë, janë të padobishëm për shoqërinë, pavarësisht se si i propagandon mjedisi politik dhe mediatik.
Me gjithë se kane kaluar më shumë se tetëdhjete vjet, mësimet e atyre vitevë shërbejnë edhe për sot. “Oksidentalët” e sotëm, kryesisht Majtistët, pinjollë të Bllokut, rezultojnë kusarë të pasurisë publike, shtypës të popullit dhe varrëmihës të Lirisë.
_________
Për më tepër shih: Hylli i Dritës, Leka, etj. (koleksione te viteve 1930-1937).

error: Content is protected !!