Në emër të “qytetërimit” që do të sillte qeveria e Wiedit, xhandarmëria e komanduar nga oficerët holandezë, kolonelët De Veer dhe Thomson, bëri arrestime të shumta duke mbushur burgjet, ndërkohë që varfëria dhe mjerimi kishte pushtuar vendin. Në Durrës ishte krijuar një gjykatë, ndërsa në Berat e Vlorë komisione që kishin atributet e gjykatës.

Një letër e Musa Qazimit, dërguar kryetarit të komisionit të Beratit, na njeh me situatën në vend dhe gjendjen e të burgosurve, në ditët e para të prillit 1914, në burgun e Beratit. 

Pasi përmendte cilësitë e mira të komisionit, ai shkruante: “… me gjithë cilësitë  e lavdërueshme të sipërshënuara, ç’qëllim ka që nuk i merr parasysh vrejtjet e të burgosurve nëpër burgje e bodrume, të rrëzuar nga qytetërimi, me liri të grabitur,
me onor të plagosur, me nder të shkatërruar, … ca të pafajshëm, të tiranizuar, të vobegët, të shkretë, të pazotë të sigurojnë ushqimin e ditës, me
fëmijë në mizerie… çuditërisht lihen të shtrihen nën dyert e burgut e në bodrumet shumica e të cilëve për ushqimin e përditshëm nevojiten të shpenzojnë
shuma të mëdha… populli … nuk është në gjendje ekonomike të përballojë.

Të gjithë e dinë se kjo mënyrë veprimi është në kundërshtim me drejtësinë që ka për bazë komisioni…

Sovran në çdo gjë është Zoti i Madh … vallë çdo t’i thuash kamzhikëve (kërbacit) që po i shton dita ditës tue goditun myslimanët e kristjanët pa ndryshim… Ndoshta ky veprim i juaji ka shkruar edhe në histori por nuk është e përshtatshëm në shekullin e
tanishëm.

… tue u shtuar tirania e tiranët, alarmet e lotët e syve të tiranizuarëve trondisin kupën e qiellit.

Të paktën ti, për hir të këtij kombi të tiranizuar vare në portën tënde këtë vjershën e shenjtë si më poshtë: … Të paktën mëshiro; sepse ai që humbi atdhenë, ai që shkoi dhe uluriu në burgje, ai që qan në fshat, ata që nuk dinë ku kanë nënën e babën dhe kushërinjtë e tyre, ata që përpiqen të ndihmojnë të arrestuarit që për të nxjerrë ushqimin e përditshëm të tyre përftojnë nga nxëhtësi e fortë e diellit, tue qenë kokëjashtë e këmbëzbathur, mëshiro këta njerëz të mjerë, mos i lë të derdhin lot, … nëse do të sillesh keq, për gjithë jetën do të njollosësh emrin…”

AQSH, fondi 1200, dosja 28/1.

error: Content is protected !!