Lidhja e shkrimtarëve që u krijua nga Partia Komuniste më 1945, kishte për qëllim organizimin e shkrimtarëve dhe përdorimin e tyre në shërbim të politikës së regjimit për ndërtimin e socializmit. Mirëpo, duke qënë në krye të Lidhjes një figurë si Sejfulla Malëshova dhe në kryesinë e saj shkrimtarë të njohur, rezultatet që priste regjimi ishin të papërfillëshme. Krijimtaria ishte jashtë të qënit e tillë dhe revista e Lidhjes mjaft elitare dhe nuk depërtonte dot tek lexuesi i thjeshtë.
• Diskutimi mbi rrymat dhe metodologjinë e krijimtarisë
Në konferencën e Lidhjes së shkrimtarëve, mbajtur në tetor 1949, pati një debat për zhvillimet letrare të deri atëherëshme. Një numër i reduktuar shkrimtarësh ishin të mendimit se pa kaluar fazën e realizmit kritik, nuk mund të hidheshin në atë të realizmit socialist. Kjo ide, sipas politikës zyrtare, ishte e dëmshme dhe duhej dënuar. Realizmi kritik, sipas përkrahësve të regjimit, nuk shkonte më tej se kritika e të metave të shoqërisë borgjeze, ndërsa realizmi socialist kishte mision orientimin e krijimtarisë dhe edukimit drejt shoqërisë socialiste, pasi ishte bërë përmbysja sociale. Mirëpo rezultatet e arritura, në drejtimin që kërkonte regjimi, ishin shumë të dobëta.
Regjimi kishte nxitur përdorimin e vargut të lirë dhe majakovskian, gjë që e kishte sterilizuar krijimtarinë poetike. Kjo pasiqë, për të dalë e përsosur poezia, duhej që poeti të përdorte figura letrare të forta e të bukura gjithashtu.
E njëjta gjë kishte ndodhur edhe me poezitë e mbështetura në vargun popullor, i cili, me rimën, ritmin, strofat edhe sikur fuqia e figurave të mos ishte e fortë, melodia dhe muzikaliteti i jepnin shije dhe e bënin të kuptueshem e më tërheqës. Me përjashtime të rralla, poetët kishin dështuar në të dy modelet. As vargjet e lira e majakovskian dhe as vargjet popullore nuk i ngritën dot në artin e lart poetik.
• Marrja e përvojës sovjetike të realizmit socialist
Për të ndryshuar gjendjen regjimi mori përvojën sovjetike edhe në këtë fushë. Nder detyrat kryesore qe u vune perpara shkrimtareve ishin:
1- Të studjohej teoria e letërsisë nga kritikët letrarë sovjetikë, si nga Aleksandrovi, Timofeevi, Gorki etj.
2- Të lexoheshin dhe të familjarizoheshin sa më shumë me veprat letrare sovjetike. Këto të dyja do të bënin që shkrimtarët shqiptarë të kuptonin mirë realizmin socialist në letërsi.
3- Të merrej si model “Tokat e çara” të Mihail Shollohovit dhe si personazh pozitiv, Davidovi, që sakrifikonte çdo gjë për idealin e Partisë.
4- Të njihej nga afër dhe të mbahej kontakt me lëvizjen letrare në Bashkimin Sovjetik e në demokracitë popullore.
5- Të kultivohej kultura ideologjike ku nuk duhej të gabohej në këtë drejtim.
6- Kontakti me visarin popullor duhej të njihej dhe të përpunohej në shërbim të orientimit politik të regjimit.
Mbajtja e lidhjeve të letërsisë dhe shkrimtarëve me masat e gjëra të popullit duhej të bëhej nëpërmjet shtypit. Për këtë qëllim u ndoq përvoja e Lidhjes së Shkrimtarëve të Bashkimit Sovjetik që ishte imituar edhe nga Lidhja e shkrimtarëve të Bullgarisë. Gazeta letrare do grumbullonte shkrimtarët rreth tematikës së re dhe do të ishte një mjet i fortë propagande i politikës së regjimit me anën e fjalës artistike.
Përdorimi i metodologjisë së realizmit socialist thelloi krizën në krijimtarinë letrare dhe rezultatet ishin edhe më të dobëta. Letërsia u politizua aq sa nuk mbeti shkrimtar që nuk i kushtoi vargje Stalinit. Ideologjia komuniste e përshkoi lëtërsinë si fill i kuq ndërsa lufta kunder armikut te klases u bë tema e preferuar e saj. Krijimtaria letrare me metodën e realizmit socialist i bëri shërbim të çmuar regjimit: thelloi përcarjen e popullit dhe mbështeti Partinë në krijimin e njeriut të ri. Shkrimtarët e rrymave të tjera u harruan dhe krijimtaria e tyre u hoq nga qarkullimi.