William Martin Leake, koloneli anglez që udhëtoi në vilajetin e Janinës, në kohën e Ali Pashë Tepelenës, në vëllimin e tretë të veprës së tij përshkruante betejën e zhvilluar në vitin 198 para Krishtit, midis romakëve të komanduar nga konsulli T. Quincilus Flaminus (Flamini) dhe maqedonasve të mbretit Filipi i Pestë, përleshje kjo e zhvilluar në Grykën e Këlcyrës. Për këtë ngjarje historike, Leake u referhej Tit Livit dhe Plutarkut.
Sipas Leake, me tu zgjedhur konsull në Romë, Flamini çau Adriatikun nga Brindizi në Korfuz, me një fuqi të re prej 9000 vetash, dhe që këtej, po me atë shpejtësi u hodh në Shqipërinë e Poshtme, ku mori komandën e ushtrisë Romake. Maqedonët kishin zënë Grykën e Këlcyrës dhe malet në të dy anët e lumit. Pjesa kryesore e ushtrisë së mbretit maqedon, qe përqëndruar në majat e të dy maleve, mbi Grykë.
Flamini zuri vend në një largësi prej pesë miljesh nga maqedonasit dhe pasi e peshoi punën mirë, vendosi t’i binte ushtrisë maqedone në Grykë. Por kjo punë nuk ishte gjë e lehtë dhe për këtë arsye, zhvilloi bisedime me maqedonët, por pa rezultat. Ditën e nesërme, pas bisedimit, filloi lufta në fushën e vogël midis Kodrës dhe Tepelenës dhe më vonë brenda në Grykë, ku maqedonët u shtërnguan të tërhiqeshin. Humbjet qenë të rënda për të dy palët dhe vetëm nata mundi ti jepte fund përleshjes.
Pas kësaj ngjarje, Haropi, një nga parësia e qytetit Megora të Molosisë, që i kishte ndihmuar edhe më parë romakët me informata, i dërgoi konsullit Flamini një bari, që e njihte mirë vendin. Ai e kishte porositur që, me anë të një rruge qark, të udhëhiqte një pjesë të ushtrisë romake në majë të malit Aeropus (Trebeshina e sotme), dhe në atë mënyrë t’i merrte krahët ushtrisë së Filipit. Për këtë qëllim u nisën katër mijë këmbësorë e treqind kalorës. Ditën e tretë, ata arritën në majë të malit, mbi Grykë dhe ndezën një zjarr. Kur pa shenjën e tyre, Flamini urdhroi ushtrinë të shkonte përpara, brenda Grykës. Maqedonët dolën nga llogoret dhe filluan të sulmonin, por u goditën pas shpine. Mbreti Filip e pa që e kishte të humbur luftën dhe filloi tërheqjen për të dalë nga Gryka, në drejtim të Këlcyrës dhe u nis për në Thesali.
Interesante ishte përshkrimi që i bënte Plutarku Grykës së Këlcyrës duke e krahasuar me Grykën në Tempe të Thesalisë. Sipas tij, ato ngjanin me njëra tjetrën për pyjet e blertë, rrëzat me hije dhe lëndinat e qeshura, me ashpërsinë e maleve kreshnike, me thellësinë e frikshme të së çarës ndërmjet tyre, në vrullin dhe madhështinë e lumit, në udhën e ngushtë dhe të vetme përgjatë anës së lumit. Prandaj, nuk ishte punë e lehtë për një ushtri të kalonte përmes tyre, dhe e pamundur në qoftë se mbrohej prej armikut.
______________
AQSH, fondi 200 (Instituti i Studimeve Shqiptare), dosja 25, fl. 20-21/1; përkthyer nga Akile Tasi.