Nga Xhafer Sadiku

Selman Riza mbetet, padyshim, një nga intelektualët më të shquar të gjuhës shqipe, i veçantë në llojin e vet jo vetëm për aftësinë, por edhe për patriotizmin dhe karakterin e palëkundur.

Jeta. Selman Riza, u lind në Gjakovë, në 1909, ndërsa në 1922 erdhi në Tiranë, ku mbaroi shkollën plotore dhe pastaj me bursë Liceun e Korçës. Në 1932 shkoi në Francë me bursë, ku mbaroi studimet në universitetin e Tuluzit për drejtësi dhe filozofi. Në fund të vitit 1935 u kthye në Shqipëri dhe e emëruan profesor në liceun e Korçës, ku qendroi deri në vitin 1939, kohë në të cilën e transferojnë në gjimnazin e Tiranës, për arsye se mori pjesë në demostratën antifashiste që bënë nxënësit e Liceut të Korçës me rastin e 28 Nëntorit 1939.

Në fillim të shkurtit 1940 u internua në Ventotene, Itali. Kohën që ishte i internuar e shfrytëzoi për studime në fushën e gjuhësisë, duke mësuar mirë edhe anglishten. Në tetor 1941 u lirua nga internimi ku u kthye në atdhe dhe u punësua si sekretar në një firmë tregëtare, në Durrës, dhe pasi qendroi deri në 1942, shkoi në Prizren ku filloi të punojë si avokat. Me këtë punë u muar për një vit pastaj me studime gjuhësore, rreth çeshtjes nacionale të shqiptarëve të Kosovës, deri në në dhjetor 1944, kur u kthye në Tiranë.

Idetë politike. Në tetor 1943 Selman Riza shkruajti e shpërndau një trakt, me anën e të cilit mbronte idenë që shqiptarët e Kosovës duhej të organizoheshin për të luftuar kundër okupatorit, por të pavarur si nga lëvizja Nacional-çlirimtare shqiptare ashtu edhe ajo jugosllave, për të fituar të drejtën e vetvendosjes me anën të kontributit që do t’i jepnin frontit aleat antifashist ndërkombëtar. Në të njëjtën kohë duhej të luftohej edhe kundër regjimit të vjetër e të ri jugosllav që mund të vinte në Kosovë. Këto ide, – thoshte ai, – i kam shpallur, jo vetëm për të mbrojtur interesat nacionale të Kosovës, por edhe pjesëmarrja në luftën e popullit të Kosovës nuk mund të realizohet ndryshe.

Mbasi u shpërnda trakti, udhëheqësit shqiptarë të Lëvizjes Nacional- çlirimtare të Kosovës, si Xhavit Nimani etj., e thirrën dhe i tërhoqën vëmendjen se Lëvizja Nacional- çlirimtare Jugosllave do t’a luftonte si armike çdo organizatë tjetër jashtë saj, qoftë edhe sikur të luftonte në mënyrë konseguente kundër okupatorit. Selman Riza u ftua që të bashkohej me Lëvizjen Nacional- çlirimtare të Kosovës dhe të kontribonte në luftë kundër okupatorit, por ai refuzoi, për arsye se Lëvizja Nacional- çlirimtare e Kosovës kishte lidhje dhe udhëhiqej nga Lëvizja Nacional- çlirimtare e Jugosllavisë.

Në burgjet e Shqipërsë e Jugosllavisë. Në dhjetor 1944 Selman Riza vjen pranë familjes së tij, në Tiranë dhe në janar 1945 arrestohet, me kërkesën e jugosllavëve. Ai akuzohej si eksponent i organizatës revolucionare “Lidhja e Dibrës”, organizatë e krijuar gjatë luftës, e cila, sipas akuzës, ishte për shkëputjen e Kosovës nga Jugosllavia dhe formimin e një Shqipërie etnike, me Kosovë e Çamëri. Por, gjatë katër vjetëve që Selman Riza qëndroi në burgun e Tiranës pa u gjykuar, jo vetëm që nuk i pranoi akuzat që i bëheshin, por as që u vërtetua një gjë e tillë.

Në janar 1948, Selman Riza iu dorëzua jugosllavëve, si kriminel lufte. Nga jugosllavët u mbajt në burgun e Prishtinës, deri në korrik 1951, kohë kur u lirua pa dalë në gjyq.

Mbas lirimit nga burgu, autoritetet jugosllave, në fillim, e caktuan profesor të gjuhës frengjishte në universitetin e Sarajevos dhe në janar 1953 e transferuan shef seksioni të gjuhësisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Atje punoi deri në fillim të dhjetorit 1955, kohë në të cilën instituti u suprimua.

Punonjës në Institutin e Histori-Gjuhësisë. Katër ditë pasi doli nga puna, organet e U.D.B -ë i bënë kontroll në banesë dhe, meqë kishte shtetësi shqiptare, e shoqëruan deri në kufi, ku ua dorëzuan autoriteteve shqiptare.

Selman Riza u deklaroi autoriteteve të Sigurimit se donte të qendronte në Tiranë dhe të futej në punë në Institutin e Shkencave. Ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, i shkruante Enver Hoxhës, duke theksuar se Selman Riza ishte njeri me kulturë të lartë, i dhënë shumë pas studimeve shkencore, veçanërisht në fushën e gjuhësisë, luftëtar i rreptë kundër Jugosllavisë, e urrente komunizmin, por gjatë luftë nuk rezultonte të kishte bashkëpunuar me okupatorin. Ai mendonte të lejohej me banim në qytetin e Tiranës dhe t’i jepej mundësia të punonte në Instititin e Shkencave. Merret vesh, se pas konsideratës së ministrit, Selman Riza u emërua në në institutin Histori-Gjuhësi, ku punoi intensivisht dhe për krijimtari u gradua “Kandidat i shkencave”. Njohës i pesë gjuhëve të huaja, anglisht, frengjisht, gjermanisht, italisht dhe sertbo-kroatisht, krijimtaria e tij ishte e begatë. Kështu, që gjatë kohës që ishte i burgosur në Jugosllavi, Selman Riza shkruajti librat: “Gramatikë Shqip-Serbisht-Kroatisht”, “Fillimet e gjuhës shqiptare” dhe broshura “Histori e deftereve të Shqipërisë”, të cilat u botuan në Jugosllavi dhe që u bënë edhe pasuri e Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë.

Nën kontrollin e Sigurimit të shtetit. Që kur erdhi në Shqipëri, në 1955, Selman Riza u vu në kontroll operativ nga Sigurimi i shtetit. Duke qene se agjentët e sigurimit vinin nga institutet, niveli i informacioneve të tyre ishte objektiv dhe realist. Kështu, në 27 tetor 1958 nga një raport i agjentit të Sgurimit, që e mbante në kontroll operativ, marrim vesh se Selman Riza ishte njeri jashtëzakonisht punëtor dhe me një vullnet të çuditshëm në punë, punonte intensivisht si rrallë të tjerë gjatë gjithë orarit zyrtar, ishte shumë i përpiktë në punë e orar, shumë rrallë dilte jashtë zyrës gjatë orarit të punës, fliste shumë pak dhe evitonte bisedat me të tjerët, madje edhe kur fliste, në të shumtën e herës ishin të tjerët që i drejtoheshin Selman Rizës dhe jo ky të tjerëve. Po t’i drejtoheshin për bisedë a sqarim mbi çdo subjekt, të përgjigjej menjëherë, po shumë shkurt dhe kur e shihte se bashkëfolësi donte të zgjaste bisedën, atëhere bënte disa gjeste padurimi që donte të thoshte: “në se mbarove të lutem më lër rehat se kam punë”. Asnjë fjalë nuk i inkurajonte të flisje dhe, sa të bëje shaka, qendronte shumë serioz. Që prej dy vjetësh punonte mbi dy monografi shkencore (studime gjuhësore), mbi nyjet dhe mbi përemrat pronorë të gjuhës shqipe, prej të cilëve priste të fitonte gradën e kandidatit të shkencave. Punonte ditë e natë për këto monografi, vinte edhe të djelave e punonte pothuajse tërë ditën. Gjatë këtyre dy vjetëve nuk ishte parë të frekuentonte ndonjë lokal, si dukej nuk pinte as duhanin as rakinë, as kafen. Ishte kaq i mbyllur dhe i heshtur sa nuk i diheshin as gustot dhe as dëshirat e tij. Jo vetëm kaq, por nuk ishte parë të shoqërohej ndonjë herë në rrugë me ndonjë person tjetër përveç gruas së tij. Gjithashtu dhe këtu në universitet nuk shoqërohej dhe nuk konstatonin asnjë shoqëri, me përjashtim të përshëndetjeve të zakonshme. Është njeri ambicioz dhe i njeh vehtes superioritet intelektual mbi shumë të tjerë, – theksonte agjenti. Vishet shumë thjesht, të shumtën e herës me rrobe doku. Në mbledhje që bëhen ç’farë do qoftë, sindikale apo zyrtare dëgjon me shumë vëmendje dhe kur merr fjalën diskuton me shumë seriozitet. Njerëzit e ndryshëm që e njohin flasin me konsideratë për të dhe e çmojnë. Përshtypja e përgjithshme që të lë ky person është njeri shumë punëtor, i mbyllur në vehte, i heshtue e ambicioz, flet dhe shkruasn toskërisht. Përshtypje të njëjtë kishin edhe agjentët e tjerë të Sigurimit që e përpunonin.

Nga shkencëtar në bibliotekar. Atë që nuk ia bëri Sigurimi i shtetit, Selman Rizës ia bënë kolegët e tij në Institut, si Androkli Kostallari dhe tarafi i tij. Në një shënim operativ të punëtorit operativ të Sigurimit, bëhet fjalë për një takim të tij me dekanin e fakultetit të Histori-Filologji, Androkli Kostallari. Në datën 3 dhjetor 1961, ai i kishte raportuar se në fakultet punonte edhe i quajturi Selman Riza dhe se “gjatë punës në institut ka shfaqur mejtime jo të drejta mbi kuadrot e vjetra dhe të rinj, i akuzon se nuk dinë dhe nuk janë të aftë të drejtojnë punën shkencore. Këto thash e theme i bën në mënyrë demostrative”.

Në një tjetër shënim operativ të datës 26 shtator 1962, punëtori operativ raportonte se Androkli Kostallari, thoshte se Selman Riza “akuzonte gjithë shokët e shëndoshë duke i cilësuar se këta nuk dinë asgjë dhe është grindur më të gjithë punonjësit, ndërsa vet ai nuk ka aftësi për sektorin që ndjek. Hipotezat e tij, që ka ngritur në Institut, nuk kanë asnjë bazë shkencore dhe kur është kritikuar për materialet e tij pa vlerë, është detyruar të tërhiqet dhe të mos botohen në shtyp.

Sipas Kostallarit, Selmani kishte thënë se “ne nuk merremi me politikë, por jemi të pavarur si shkencëtarë. Ne jemi autoritete shkencore dhe jo administrative. Nuk duhet bërë propagandë me çeshtjet shkencore”.

Kostallari i raportonte punëtorit operativ se Selman Riza, “që nga prishja me Bashkimin Sovjetik ka filluar të aktivizohet duke goditur sistematikisht punonjësit e tjerë të vjetër e të rinj, sidomos tani flet edhe kundra anëtarëve të partisë që më parë nuk e bënte”.

Megjithëse prej vitesh kontrollohej nga Sigurimi, ata nuk u dëmtuan nga sigurimi por nga krerët e institutit, si Androkli Kostallari dhe tarafi i tij. Në mars 1967 punonjësit e Institutit Histori-Gjuhësi të Universitetit të Tiranës, Selman Riza, Dhimitër Pilika, Zija Shkodra, Zekiria Rexha si dhe bashkëpunëtorët e tjerë të jashtëm të këtij instituti, Niko Koleci, Gani Demiri, Bektash Bedo dhe Dilaver Radëshi, u goditën nëpërmjet demaskimit për pikpamjet e tyre, të quajtura anti parti, që sipas Partisë, “konsistonin në mohimin e rolit drejtues të partisë në punën shkencore, në denigrimin e krijimtarisë së Institutit, në zëvendësimin e drejtuesve të Institutit me elementë të rinj, me akuzën se ky institucion nuk e kishte trajtuar drejt çeshtjen e Kosovës, etj. dhe përveç masave të tjera, Dhimitër Pilika, Selman Riza dhe Zija Shkodra u transferuan respektivisht në Lushnje, Berat dhe Lezhë.

Selman Riza punoi në bibliotekën e Beratit, deri sa doli në pension, por përpunimi i tij vazhdoi deri ditën e fundit të jetës, 16 dhjetor 1988.

error: Content is protected !!