ORGANIZATA “RILINDJA KOMBËTARE”

Vlorë, 1948-1949

Nga Xhafer Sadiku

 

Organizata “Rilindja Kombëtare” sipas Sigurimit të Shtetit, ishte krijuar nga fundi i vitit 1947 dhe fillimi i vitit 1948 në burgun e Vlorës nga të dënuarit Bego Gjonzeneli, Maliq Koshena, Hamdi Gjoni, Tahir Hoxha, Burim Kokoshi etj. Këta përbënin komitetin e organizatës.

Sipas agjentëve të Sigurimit, këta kishin bërë një mbledhje në burg dhe kishin përfshirë edhe 3 policë nga të burgut, me anën e të cilëve mbanin lidhje me elementë të tjerë jashtë burgut. Në krye të këtij grupi u zgjodh Bego Gjonzeneli. Komiteti në fjalë kishte hartuar në burg edhe një memorandum për tu firmosur nga rreth 200 veta të parashikuar në listë të cilin mendonin t’ua dërgonin nëpërmjet të arratisurve amerikanëve dhe anglezëve dhe të kërkonin ndihmën e tyre për rrëzimin e regjimit komunist.

 

Në organizatë u përfshinë edhe të burgosur të tjerë si Dervish Hodo, Riza Cize, Telha Shehu, Besim Greshica, Dilaver Rrapi etj. Ishte informatori “Gishtëza” që i dha të dhënat Sigurimit dhe emrat e përmendur më sipër. Sigurimi ridënoi disa të burgosur, dënoi edhe gardianët që i përmendte informatori, ndërsa tre të burgosur i transferoi në burgun e Gjirokastrës.

Po atë vit u dha një amnisti nga Presidiumi i Kuvendit Popullor ku përfituan edhe disa të burgosur, por Sigurimi i mbante nën kontroll edhe pas lirimit të tyre. Për këtë qëllim, në gjysmën e dytë të vitit 1948 Sigurimi rekrutoi si agjent me material shtrëngues një dukatas, nëpërmjet të cilit morën informacion për përpjekjet që bënin kundërshtarët e regjimit për krijimin e organizatës “Rilindja Kombëtare”.

 

Nga drejtimi i këtij agjenti, sidomos tek kundërshtarët më kryesorë në Dukat, Sigurimi mori të dhëna se Veledin Bilbili, sipas udhëzimeve të marra nga Bego Gjonzeneli, po punonte për krijimin e organizatës “Rilindja Kombëtare” në Dukat. Për këtë qëllim, vazhdonte agjenti, ai ka organizuar disa mbledhje ku kanë marrë pjesë Xhelo Koçiu, Laze Thanasi, Gani Hamiti, Ahmet Blushi, Laze Bërdo, Cane Dervishi e Haxhi Hasko.

Sipas agjentit, në mbledhje ishte vendosur të krijohej një çetë, ndërsa Gani Hamiti kishte thënë se duhej filluar kryengritja pasi kështu do ta merrnin vesh aleatët dhe do t’i ndihmonin për përmbysjen e regjimit komunist.

Sigurimi mori masa për të shtuar agjenturën në radhët e tyre dhe gjeti më të përshtatshëm një person, i cili filloi të jepte informacion kundër tyre. Sipas Sigurimit, agjenti “Drejtësia” vërtetoi përbërjen, aktivitetin dhe planin e mëtejshëm të këtij grupi.

 

Nga drejtimi i agjenturës paralele brenda në radhët e grupit, u mësua se në dyqanin e agjentit të parë, në Vlorë, ishte bërë një mbledhje tjetër e grupit ku morën pjesë Veledin Bilbili, Dervish Hodo, Piro Xhezo, Shefqet Nexhipi, Musa Mehmeti e Fejzo Lulo. Agjentura njoftonte se në këtë mbledhje ishte vendosur që:

-Komiteti i terrenit të emërohej “Drita”, kryetar i së cilës u emërua, në mungesë, Bexhet Çeprati, ndërsa sekretar agjenti i Sigurimit dhe antar Dervish Hodo, Pertef Bajrami e Fejzi Lulo.

-Nëpër fshatra të ngriheshin këshilla antipushtet të komitetit “Drita” nën programin e organizatës “Rilindja Kombëtare”.

-Të bëheshin të gjitha përpjekjet për të krijuar lidhje me jashtë.

-Të ndaheshin zonat e veprimtarisë të secilit antar.

 

Organet e Sigurimit Vlorë, me aprovim të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në 25 nëntor 1949 organizuan goditjen e organizatës “Rilindja Kombëtare”. Për kryerjen e këtij operacioni u përpilua plan i përbashkët me Degët e Punëve të Brendshme Gjirokastër, Delvinë, Fier e Tepelenë ku shtriheshin pjesëtarët e kësaj organizate, plan ky që u aprovua dhe u drejtua nga qendra.

Brenda një nate u goditën 81 persona, prej të cilëve 25 u arrestuan dhe u dënuan: 11 me vdekje, 4 me nga 20 vjet, 5 me nga 15 vjet, 4 me nga 12 vjet dhe 1 me 7 vjet burg. Të tjerët, 27 u rekrutuan agjentë të Sigurimit ndërsa 14, për shkak të shtresës dhe veprimtarisë, u demaskuan e u këshilluan dhe u lanë të lirë.

Natën e operacionit të Sigurimit shpëtuan vetëm dy, Dervish Hodo e Shefqet Nexhipi, të cilët dolën në ilegalitet dhe u drejtuan drejt kufirit me Greqinë. Në fshatin Golem të Kurveleshit, të rrethit Tepelenë, shkuan për tu strehuar në familjen e Nëntoger Nuredin Sh…, me shpresën se atje do të gjenin strehim pasi Nexhipi e kishte kushëri të parë nga nëna Nuredinin. Mirëpo nuk ndodhi kështu; nëntogeri ishte familje e lidhur me Partinë dhe oficer dhe si i tillë, duke qenë me leje të zakonshme, me ndihmën e këshillit popullor dhe bashkëfshatarëve të tij të armatosur, i kapën që të dy dhe i dorëzuan në Sigurim ku Dervish Hodon e dënuan me pushkatim, ndërsa Shefqet Nexhipin me 20 vjet burg.

 

Arratisja e grupit të Dukatit.

 

Përsa i përkiste grupit të Dukatit, nuk u veprua për arrestimin e tyre në të njëjtën kohë sepse sipas të dhënave që kishte Sigurimi, ky grup pritej të binte në kontakt me diversantët dhe kështu hapeshin perspektiva të reja për goditjen e tyre.

Për këtë qëllim u tentua për të rekrutuar edhe një nga pjesëtarët e grupit të Dukatit, megjithëse ky grup përpunohej me agjenturë paralele. Për këtë qëllim u procedua për rekrutimin e Laze Thanasit nga Dukati, i cili ishte një nga pjesëtarët kryesorë të grupit. Gjatë procedimit Lazia, në deponimet e tij vërtetoi edhe një herë të dhënat e dy agjentëve të tjerë dhe në të njëjtën kohë pranoi bashkëpunimin me organet e sigurimit, por menjëherë pas lirimit të tij, lajmëroi shokët për rrezikun që u kanosej.

Agjenti “Drejtësia” duke kërkuar takim urgjent vuri në dijeni menjëherë Sigurimin të cilët forcuan masat në drejtim të grupit. Dy ditë pasi grupi u vu në dijeni nga Lazja, tre nga pjesëtarët kryesorë të grupit Xhelo Koçiu, Alim Hodo e Cane Dervishi, për të vënë në gjumë Sigurimin, i shkuan për vizitë kryetarit të Degës në Vlorë, kinse për halle personale dhe duke i afruar ndihmën e tyre në rast se do të ishte nevoja për një gjë të tillë.

Por Seksioni i Sigurimit Vlorë, duke qenë të informuar nga agjenti “Drejtësia” mbi dekonspirimin e Laze Thanasit dhe duke patur në dorë materiale që vërtetonin fajësinë e grupit, propozoi arrestimin e tyre. Por propozimi nuk u aprovua nga Ministria e Punëve të Brendshme por u urdhërua që arrestimi të shtyhej, për interesa të mëdha operative. Për këtë qëllim nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme u dërgua Halim Xhelua për të rënë në kontakt me babanë e tij Xhelo Koçiun, i cili ishte një nga pjesëtarët kryesorë të grupit të Dukatit. Kur pjesëtarët e grupit panë se Halim Xhelo bridhte me veturë nëpër fshat në kërkim të atit të tij, ata lajmëruan njeri tjetrin u grumbulluan në shtëpinë e Cane Dervishit. Po atë natë, më 27 prill 1949, ranë në kontakt me grupin e Veledin Bilbilit, që edhe ky kishte marrë kontakt me grupin e Dhërmiut. Pasi e lajmëroi atë për rrezikun që e kërcënonte, të gjithë së bashku: Xhelo Kociu, Cane Dervishi e i biri, Gani Hamiti, Laze Thanasi, Laze Musai, Alim Hodo, Ahmet Bylyshi, që të gjithë dukatas dhe Jerasim Duni me të birin, Thoma Vangjel Gjikuria e Pano Muço nga Dhërmiu, me anën e një nëndetëse u larguan në Greqi. Mbeti vetëm Jazo Ademi, i cili u sëmur gjatë udhëtimit dhe pas 9 muajsh në arrati u kap përsëri.

Për arratisjen e grupit të Dukatit, Sigurimi akuzoi dy agjentët nga Dukati. Ata u akuzuan se, megjithëqë kishin dijeni për ardhjen e nëndetëses për të marrë grupin e Dukatit e të Dhërmiut, ata nuk raportuan. Si të tillë ata u quajtën tradhtarë dhe njëri u ekzekutua, ndërsa “Drejtësia” u arrestua dhe dënua.

____________________

Shkrimi është bazuar në dokumente të Sigurimit të Shtetit. Duke qenë se veprimtaria e Sigurimit është vërtetuar se bazohej tek të dhëna të pasakta të agjentëve, madje edhe gënjeshtra, edhe besueshmëria duhet marrë me rezervë.

 

error: Content is protected !!