Xhafer Sherif Sadiku, për mbi një shekull i njohur si Xhafer Shelqi, lindi në fshatin Shelq të Deshnicës, në nënprefekturën e Përmetit në vitin 1866. Fshati i vogël Shelq shtrihet në jug të vargmalit Qarrisht-Taronine-Dërrasa e Kajcës, në lartësinë 700 m. mbi nivelin e detit. Qafa e Shelqit me lartësi 900 m mbi nivelin e detit, e ka lidhur këtë fshat me krahinën e Skraparit dhe me atë të
Deshnicës.
Ky fshat, i ndodhur në kryqëzim të rrugëve, ka pritur e percjellë gjatë gjithë kohës, luftëtarë e udhëtarë, në kohëra të vështira të historisë dhe natyrës. Ai përmendet për çezmat me plotë ujë, për pjergullat e për kopshtet, për pyjet e dushkut, por mbi të gjitha për patriotizëm e mikpritje.
Emrin e fshatit apo krahinës, e kanë mbajtur ata banorë që janë dalluar gjatë gjithë jetës për patriotizëm, burrëri, mikpritje, trimëri e kulturë, ekonomi dhe ndihmë ndaj njerëzve në nevojë. Të gjitha këto cilësi i ka patur trimi, fisniku, i dituri, punëtori Xhafer Sherif Shelqi.
Ai i përket atij brezi të fundit të shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit të XX, i etur për liri dhe për pavarësi, i uritur për kulturë e dije. Mësoi të shkruajë e të lexojë shqip me alfabetin e Stambollit. Abetaret e gjuhës shqipe të shtypura në Bukuresht, u përhapën në Shelq, Zhepove dhe Kajcë, nën drejtimin e Xhafer Shelqit, mbështetur nga Hamit Lako, Dajlan Zenjeli, Çerçiz Harka, Dine Mediu, Mustafa Ferhati. Librat në gjuhën shqipe të shtypura me alfabetin e Stambollit, si “Lulet e verës” dhe “Bagëti e bujqësi”, kanë qënë në familjen e Xhafer Shelqit deri në Korrik të vitit 1959, kur u grabitën në mënyrë arbitrare nga organet e diktaturës.
Xhaferi është në llojin e atyre burrave me emër, të fjalës e të pushkës, të besës dhe të nderit, që së bashku me patriotë e luftëtarë trima, rrëmbyen armët dhe me flamurin kombëtar në dorë, i dolën zot Shqipërisë, duke u ndeshur në fushën e luftës me pushtuesin e huaj.
Xhafer Shelqi, që në rini, në moshën 20 vjeçare, u shqua si një luftëtar trim, një patriot i vendosur dhe burrë i urtë e i mençur. Fjala e Xhaferit dëgjohej me vëmendje e respekt jo vetëmnë fshat të tij, por edhe nga shumë burra të Deshnicës së Skraparit, e krahinave të tjera.
Ai ishte nga të parët që mori pjesë në çetat patriotike për lirinë e Shqipërisë. Së bashku me patriotë të tjerë u ngritën në kryengritjen e verës së vitit 1912, si në Përroin e Pagrisë, ku u vra Nazif Delvina, në grykën e Këlcyrës (30 korrik 1912), etj. Në krye të bashkëluftëtarëve të tij, ata goditën armikun dhe tek “Rripa e Kuqarit” dhe bashkë me kryengritësit e tjerë të atyre viseve, hynë në Përmet.
Me shpërthimin e Luftës Ballkanike, territoret shqiptare u bënë pre e shteteve fqinje që synonin copëtimin e tyre. Për mbrojtjen e tyre u mobilizuan qindra shqiptarë në jug e veri dhe për një kohë të gjatë, luftuan në Shkodër e Janinë. Patriotët e Deshnicës, midis tyre dhe Xhafer Shelqi, luftuan për muaj me radhë në Janinë.
Patriot i njohur dhe me ndikim në mjedisin e fshatrave të Përmetit, ai do vihej shpejtë në shënjestër dhe do të ndiqej nga andarët grek, që pushtuan zonat e jugut. Më 5 Janar të 1914, në qafën e Shelqit, çeta e drejtuar prej tij, ra në përpjekje me një kompani andartësh që lëvizte në drejtimin të, Mali i Topojanit – Dërrasa e Kajcës.
Për përpjekjen e asaj date, Varf Ali Prishta, i njohur më vonë si Baba Ali Tomorri, i dërgonte një letër Themistokli Gërmenjit, asaj kohe nënprefekt i Skraparit, me qendër në Çorovodë. Midis të tjerave, ai e informonte për gjëndjen në Dëshnicë: “Vëllezërit tanë po heqin mijëra të këqija prej grekëve. Ah…! Të
mjerët ata! Dje në qafë të Shelqit u bë një përpjekje ku u plagos një ushtar e një Shelqas. Shelqasin e plagosur e zunë dhe ku e shpunë, se dimë. Pas kësaj përpjekje nuk kemi dëgjuar se qysh sillen grekët. Edhe në Topojan u bë një përpjekje, por nuk e dimë qysh është puna dhe a u vra njeri. Në ato vise, këto ditë është një rrëmujë e madhe, fundi qysh do të dali nuk e dimë, përveç në i ardhtë keq Zotit për Shqipërinë fatzezë”.
Të nesërmen, në 6 Janar 1914, andarët i dogjën shtëpinë Xhaferit. Për djegien e shtëpisë së Xhaferit shkruante gazeta “Përlindja e Shqipërisë” e qeverisë së Vlorës, në numrin e 20 Janarit 1914. Midis të tjerave ajo vinte në dukje se Rauf Fico, prefekti i Beratit, i telegrafonte qeverisë së Vlorës, se në Shelq të Dëshnicës “Duall andarët gjiritas e paskan djegur shtëpinë e katundarit Xhafer. Njerëzit e shtëpisë, gra e fëmijë u shpërndanë nëpër fshatra nga u panë sytë e u vanë këmbët”. Familjarët e Xhaferit u larguan në fshatrat e Skraparit, ndërsa pasurinë ia grabitën. Atë ditë andarët grumbulluan burrat e Shelqit dhe disa nga burrat e njohur të Zhepovës, që së bashku i çuan tek shtëpitë në krye të fshatit Zhepovë, ku i torturuan. Do t‘i kishin internuar por u erdhën në ndihmë luftëtarët që ishin në Skrapar, midis tyre edhe Xhaferi”.
Ngjarjen në fjalë e përshkruante korrespondenti i gazetës “Përlindja” në Skrapar, i cili shkruante se: “40 luftëtarë ishin nisur në Zhepovë, por afër Çepanit takuan 100 ushtarë grekë të perzier me andarë, të cilët kishin vajtur të bënin plaçkë dhe në Çepan. U bë një luftë e rreptë e cila mbajti 5 orë.” Po atë ditë ata mbërritën në fshatin Zhepovë, ku pas një sulmi mbi andartët, i detyruan të lironin të arrestuarit”.
Më 25 Qershor 1914, Xhaferi me mbi 20 burra nga Shelqi dhe Zhepova, ka zhvilluar disa përpjekje me andartët për të mbrojtur popullin e Zhepovës dhe të Shelqit nga masakrat e andartëve. Ndonëse pak burra, ata bënë qëndresë midis Zhepovës dhe Topojanit dhe Qevurin e Hajkos mbi fshatin Shelq, derisa banorët e fshatrave përreth kapërcyen Qafën e Pavarit, Ballaban e më tej. Falë asaj rezistence, u shpëtuan nga masakrat 525 banorë të fshatrave Zhepovë dhe Shelq. Pas largimit të banorëve, andarët dogjën të gjitha shtëpitë e fshatit Zhepovë e Shelq, grabitën pasuritë. Ajo çfarë kishte mbetur nga shtëpia e Xhaferit e djegur në Janar, u dogj përsëri në Qershor.
Gjatë luftës së parë botërore, krahina e Dëshnicës u pushtua nga Italianët, ndërsa zona e Skraparit nga ushtria Austriake. Kufiri ndarës midis ushtrive ndërluftuese ishte në vargun Qarrisht-Qafë e Shelqit-Derrasë e Kajcës…
Në këto kohë të trazuara, vlen për t’u përmendur qëndrimi i Xhaferit, i cili duke patur përvojë të gjatë nga luftërat që kishte marrë pjesë, nuk u pajtua me disa patriotë të njohur, që ishin të angazhuar me ushtritë italiane apo austriake,
që i kërkuan të aktivizohej. Xhaferi refuzoi në mënyrë kategorike. Ideali i tij ishte liria e Shqipërisë dhe se nuk do të luftonte kundër shqiptarëve. Në kujtimet e Spiro Kosovës, përmenden shumë emra nga krahina e Dëshnicës dhe e Skraparit, si anëtarë të çetave të paguara nga italianët apo austriakët dhe në shërbim të tyre, por emri i Xhafer Shelqit nuk përmëndet asnjëherë.
Në luftën e Vlorës 1920, Xhafer Shelqi është pjesëmarrës aktiv. Në Qershor të vitit 1920, kur vullnetarët e fshatrave Zhepovë dhe Shelq u bashkuan në Tolar me shumë luftëtarë të tjerë, ranë në një mendje për të patur komandant të çetës së tyre Xhafer Sherif Shelqin, në moshën 54 vjeç.
Emrin e mirë që gëzpnte në tër ëkrahinën, nuk e shfrytëzoi kurrë për përfitime personale. Pas çdo lufte kthehej pranë familjes së tij dhe jetonte duke punuar në pronën e vet, duke shtuar blegtorinë e hardhitë. Tokat e sistemuara dhe pemët e mbjella nga Xhafer Shelqi, dallonin dhe shërbyen si mësim për brezat edhe në fund të shekullit XX. Familja e Xhafer Shelqit, ishte një familje e kamur, fisnike që gëzonte autoritet në Dëshnicë.
Xhafer Shelqi ishte një personalitet që pyetej, i merrej mendimi për çdo problemtë rëndësishëm në fshat, në fshatrat përreth e në krahinë. Ai luante rolin e një gjykatësi popullor, thirrej për zgjidhjen e mosmarrveshjeve, për çështje prone apo familjare. Fjala dhe mendimet e tij ishin të padiskutueshme për palët. Kjo vërtetohet edhe nga këto dokumenta:
Në telegramin 08/07/1921, që i dërgohej ministrisë së brëndshme nga paria e 44 fshatrave të Dëshnicës, të cilët i kërkonin qeverisë të zbatohej autoqefalia e bektashizmit, sipas vendimeve të Kongresit Bektashi të Prishtës. Midis 16 emrave nënshkrues, i gjashti është edhe emri i Xhafer Sherif Shelqit.
Në procesverbalin e mbajtur në zgjedhjen e pleqësise së katundit Shelq, që mban datën 15/03/1926, zgjidhet njëzëri kryeplak i fshatit Xhafer Sherif Shelqi. Me fillimin e luftës Italo-Greke në fillim të vitit 1940, duke pasur përvojë të hidhur të vitit 1914, së bashku me kushëririn e tij Sadik Lako, largoi bagëtitë e imta (rreth 1000 krerë), në drejtim të Mallakastrës. Tërë fshatarët që i mbajtën blektorinë në fshat, mbetën pa gjë, pasi e gjitha u azgjësua nga ushtria greke. Me të kthyer bagëtinë, në Maj të vitit 1941, Xhaferi i ndihmoi falas fshatarët e Zhepovës dhe të Shelqit me bulmet, duke u dhënë edhe një pjesë të blektorisë.
Në Mars 1943, në Shelq kaluan drejtues të partisë komuniste, Mustafa Matohiti, Themo Vasi dhe disa partizanë të tjerë, të cilët ishin nisur për në Kajcë. Ata kishin informacion të plotë për veprimtarinë patriotike, peshën e fjalës dhe të ekonomisë së Xhaferit dhe mbajtën një takim me Xhaferin.
Gjatë bisedës, ai u kërkoi përfaqësuesve të dinte kush ishin udhëheqësit e luftës, cilët ishin aleatët, programi, simbolet, etj, etj. Nga bisedat që bëri me drejtuesit e levizjës nacional-çlirimtare, nuk u bind dhe në përplasje të rrymave politike në moshën 77 vjeç, zgjodhi të qëndronte asnjëanës.
Në fillim të Dhjetorit të vitit 1943, hynë forcat partizane në krahinen e Dëshnicës. Përsëri shkoi në Shelq Mustafa Matohiti dhe Jaho Gjoliku dhe kërkojnë takim me Xhaferin. I pret në shtëpi. Gjatë asaj darke, debati zgjati disa orë, por tema që u diskutua më tepër ishte marrdhënia me ballistët. Ai theksoi se ishte gati të bënte detyrën ndaj atdheut, siç e kishte bërë gjithnjë, duke luftuar kundë pushtuesit të huaj, por kurrë nuk do të luftonte kundër shqiptarve,
pavarsisht se cilës rrymë politike i përkiste. Biseduesit i japin të drejtë për mosmarrveshjen e muajit Mars dhe e bindin të mbështesi luftën nacional çlirimtare.
Djali i Xhaferit, Hajdari u zgjodh sekretar i këshillit nacional çlirimtar të fshatit nga Dhjetori i vitit 1943, deri në vitin 1949. Djali i dytë Dajlani doli partizan, fillimisht në bataljonin “Dëshnica” dhe me krijimin e brigadës së 8-te u inkuadrua në këtë brigadë. Mori pjesë në luftimet e kësaj brigrade për çlirimin e Tiranës, më pas deri në Sanxhak. Bashkëluftëtarët e tij flasin për trimërinë dhe qëndresën e tij të shkëlqyer mbi dy vjet.
Dokumentat dhe kujtime na rrëfejnë, se familja e Xhaferit e ndihmoi luftën çlirimtare dhe vuri në shërbim të saj gjithçka, shtëpinë, ekonominë dhe jetën e fëmijëve.
Me mbarim të luftës, situata ndryshoi. Në 1948, regjimi i ri i shtetëzoi pa shpërblim rreth 450 krerë bagëti. Xhaferi dhe dy djemtë e tij, që e kishin ndihmuar luftën si askush në krahinë u listuan si armiq.
Në 1950 në moshën 84 vjeçare, Xhaferin e cilësuan kulak, dhe pas një viti ndërroi jetë. Por ndodhi ajo që pritej, por që nuk mendohej: Ndonëse e kishin izoluar familjarisht nga njerëzit, në ceremioinë e varrimit të Xhaferrit, krahës banorëve të fshatit Shelq, morën pjesë edhe nga Zhepova, Topojani, por edhe miq të shumtë të familjeve të Shelqit, nga fshatrat e Përmetit, Skraparit dhe të Tepelenës. Ishte shpërblimi, që populli i jepte një patrioti që kishte sakrifikuar për atdheun. Ceremonia e varrimit të Xhefrrit ishte rasti i fundit kur tërë fshati ishte i bashkuar.
Pati komunistë të fshatit Zhepovë e Shelq, që e kundërshtuan cilësimin e tij kulak dhe vunë në dukje meritat patriotike, mbështetjen e pakursyer që i dha luftës nacional çlirimtare, por pabesia, nëpërmjet kanaleve të nëndheshme, e bënë punën e tyre.
Shokët e luftës dhe të regjimit të ri e harruan bukën që kishin ngrënë në këtë familje, pritjet dhe përcjelljet dhe sakrificat e tyre për atdheun. Për 40 vjet me radhë familja e Xhaferit u izolua, u persekutua e u godit pamëshirë nga regjimi komunist. Nuk iu ndanë tatimet e jashtëzakonshme dhe provokimet, aq sa djali i tij Dajlani, partizani trim i Brigadës së 8-të, u dënua me 8 vjet burg, me akuzë: agjitacion dhe propagandë. Nuk u pranuan në cooperative, ndonëse ata kërkonin deri në vitin 1966, dhe nuk iu dha “Triska e frontit”, deri në vitin 1991, kur u përmbys diktatura.
Pavarësisht përndjekjeve, djemtë e nipërit e mbesat e Xhafer Shelqit ishin model i qytetarisë, punëtorë të mirë, të ditur e të kulturuar, që i impononin cilido respekt. Për të ilustruar këtë po sjell dy shembuj:
Në Maj të vitit 1970, grup studentësh të Shkollës së parties, që bënin punën prodhuese, organizuan një mbledhje, për të parë e treguar shembullin personal të komunistëve. Ngrihet një grua fisnike, që streha e ndante nga familja me emrë e Xhaferit, dhe thotë pa u trembur: “Shembull, është për të marrë nga Hajdari e Dajlani, djemtë e Xhaferit. Ata i kanë duart të arta, mbjellin, krasitin, bëjnë orenditë dhe veglat bujqësore, kudo puna e tyre shkëlqen. Asnjë nga këta komunistët duke përfshirë dhe burrin tim nuk e bëjnë këtë punë”. Të pranishmit ulën kokë. me kujdes u mbyll mbledhja pa thënë asnjë fjalë.
Një ditë, rrugës me nxënësit për në muzeumin e fshatit, në vitin 1982, një i moshuar më thotë: – “Ja tek i ke monstrat në hije të mollës. Ç’të duhen fotografite e tyre. Atje i takon të jetë Xhafer Shelqi dhe jo këta që nuk kanë luajtur nga fshati asnjë orë”.
Në biseda, tek për tek, të gjithë e pranonin që ishte bërë padrejtësi kriminale, por në forume askush nuk e ngrinte zërin, qoftë edhe deputet apo funksionar, se do t’a quanin si zbutës të luftës së klasave.
Pas vendosjes së demokracisë, në vitin 1991, çuditërisht hyjnë në këtë familje të gjithë, sikur të mos kishte ndodhur asnjë gjë. Ky ishte treguesi më i mirë i nderimit të fshehur dhe shpirtit të ndrydhur nga frika. Nipërit dhe mbesat e tij, ballë lartë u rikthyen në pronën e tyre, punuan is të parët, u arsimuan, por nuk kërkuan hakmarrje.
Gjithçka flet për një dukuri që na lëndon së tepermi, (Do të isha i kënaqur sikur të ishte i vetmi), se figura patriotike e Xhafer Shelqit është lënë në harresë edhe në ditët e sotme. Cila është arsyeja që po vonon kaq gjatë nuk e di. Unë thjesht po ngacmoj kujtesën kolektive të atyre që i kanë mundësitë të bëjnë diçka, për ta nderuar këtë burrë me virtute të larta njerëzore dhe atdhetare.
Po e shtyj më tej gjykimin tim: Mendoj, se shtë detyrë e Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, e Bashkisë së Këlcyrës e Nënprefekturës Përmet, e shoqatës “Dëshnica”, e shoqatës së bashkuar Zhepovë, për ta vlerësuar këtë figurë patriotike, që mos e marrë me vete harresa.
Dokumentat arkivore dhe kujtimet që kanë mbetur e që rrëfehen në kuvende, flasin shumë. Zëri i tyre duhet dëgjuar. Vlerësimi i kësaj figure, është nder për të gjithë ne dhe për ata që do të vinjë pas nesh.
Heshtja është dënim më i rëndë. Historia duhet të flasë!
Lirim Harka
Durrës. Mars 2021.