Nga  Xhafer Sadiku

Me vdekjen e Enver Hoxhës, u pa se ai dhe klanet komuniste të zonës së parë operative që sundonin Shqipërinë, e kishin zhytur vendin në krizë të thellë. Pasardhësi i tij, Ramiz Alia, mori masa për të ekuilibruar pushtetin brenda klaneve të partisë. Për këtë qëllim, emëroi në poste drejtuese të partisë e pushtetit, kryesisht në rrethe, kuadro partie nga zonat e tjera të vendit, kryesisht nga Veriu, i denigruar deri atëherë nga regjimi. Po të shikohet organigrama e strukturave të atyre viteve, do të vërtetohet qartësisht tendenca e Ramiz Alisë. Është e tepërt të themi se kjo lëvizje krijoi reaksion kundër tij nga klanet që kishin monopolin e pushtetit. Megjithë masat e marra nga Alia vendi u zhyt edhe më keq në krizë, ç’ka tregonte se faji ishte i tërë sistemit ekonomiko-politik që kishte ngritur regjimi.

a) Kriza social-politike që solli krizën ekonomike

Ngjarjet e vitit 1989 në Rumani dhe ekzekutimi i kreut komunist Nikolae Çaushesku e bashkëshortes së tij Elena, i trembi krerët e regjimit në Shqipëri, të cilët morën masa për të shmangur me çdo kusht një përsëritje e atyre ngjarjeve edhe në Shqipëri.
Zhvillimet politike në Shqipëri gjatë vitit 1990 ishin intensive. Kështu në janar 1990, u zhvillua në Shkodër një demostratë kundër regjimit, e cila, për shkak të kontrollit të Sigurimit të Shtetit nuk mori përmasa të mëdha.
Në shkurt të atij viti, në ish kooperativën bujqësore të Topojanit në Përmet, u zhvilluan ngjarje dramatike, ku për një javë rresht, pjesa më e madhe e popullit u revoltua kundër regjimit. Ngjarjet patën fund tragjik, ku nga presioni i regjimit u vetëvra sekretari i byrosë së partisë dhe u arrestuan disa të rinj.
Në mars, në disa gazeta me profil kulturor, si Drita, Zëri i Rinisë, por edhe në gazetën Zëri i Popullit filluan të botohehej ndonjë shkrim me pikpamje liberale nga autorë si Agim Popa, Sali Berisha e ndonjë tjetër, që ndonëse u pritën mirë në popull, krijuan reaksion në bazën konservatore të komunistëve. Brenda tre muajve, Ramiz Alia mblodhi tre herë Komitetin Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë.
Pas ngjarjes së 2 korrikut 1990, ku disa mijëra qytetarë u futën në ambasada dhe u larguan jashtë atdheut, udhëheqja e regjimit u kujdes të ruante pushtetin. Për këtë qëllim, më 13 korrik organizoi një miting të madh në Tiranë, ku foli kreu I regjimit per kryeqytetin, i cili e përqëndroi fjalën e tij tek lufta kundër armikut të klasës, duke theksuar:
“Armiqtë duan të rrënojnë jetën tonë, të sotmen dhe të nesërmen tonë, të shkatërrojnë lirinë e fituar dhe pushtetin e popullit. Disa njerëz pa ideale e moral, të mashtruar apo naivë, duke shkelur mbi gjakun dhe eshtrat e martirëve, duke njollosur nderin dhe emrin e nderuar të Shqipërisë, me sjelljet e veprimet e tyre u shërbejnë drejtëpërdrejtë planeve të armiqve, të cilët duan të na sjellin përsëri në fuqi borgjezinë dhe bejlerët e përmbysur”.
Pas atij mitingu, u intensifikua përpjekja e regjimit për të gjetur rrugëdalje nga kriza, dhe ndërkohë u ashpërsua lufta kundër “armikut të klasës”.

b) Përpjekjet e regjimit për të dalë nga kriza

Takimi i dështuar me intelektualët komunistë të kryeqytetit, i mbajtur më 12 gusht 1990, me sa dukej e bindi regjimin se brenda radhëve të inteligjencës komuniste nuk kishte as katalizatorë për të gjetur mbështetje dhe ç’ishte më e rëndësishme, as kundërshtarë. I vetmi që pati guximin të debatonte me Ramiz Alinë ishte Sali Berisha.
Ramiz Alia bëri një përpjekje të dytë, kur më 6 shtator 1990, organizoi një takim me aktivistë të zgjedhur të organizatave shoqërore. Ai u vuri si detyrë themelore:
• Forcimin e unitetit moralo-politik të popullit, sqarimin e situatave që po kalonte vendi dhe mobilizimin e masave për t’u bërë ballë kërkesave të kohës.
• Venien në jetë të vendimeve të plenumeve të fundit të Komitetit Qëndror për demokratizimin e jetës së vendit në të gjitha drejtimet.
Regjimi bëri disa ndryshime në legjislacion, si ligji për lëshimin e pasaportave, krijimin e Ministrisë së Drejtësisë, etj. Madje, premtoi se ligji për zgjedhjet, përpara se të paraqitej në Kuvend për aprovim, do t’u jepej për diskutim organizatave. Ligji do të parashikonte që kandidatë për deputetë të paraqesnin organizatat e Partisë së Punës së Shqipërisë, ato të Frontit Demokratik, si dhe veç e veç ose së bashku, Bashkimet Profesionale, Bashkimi i Grave, Bashkimi i Rinisë, Organizata e veteranëve, Lidhja e Shkrimtarëve, Akademia e Shkencave e Bashkimi i Gazetarëve.
Më 6 nëntor 1990, u mblodh Plenumi i XII i KQPPSH për forcimin e pushtetit popullor dhe përsosjen e sistemit politik.
Vendi ishte në gjendje të mjerë, aq sa Ramiz Alia deklaroi: “nëqoftë se do të bëjmë një karakterizim të plotë të situatës ekonomike aktuale të vendit duhet të pranojmë se ajo ndodhet në kufijtë e një gjendje të jashtëzakonshme”.
Ai iu rikthye edhe njëherë forcimit të organizatave shoqërore “të cilat do të përfaqësoheshin si subjekte elektorale”.
Por edhe kjo tentativë e kreut të regjimit dështoi. Organizatat shoqërore tek të cilat shpresonte, ishin atrofizuar. Përfundimisht, regjimi hoqi dorë prej tyre dhe e vetmja mundësi për të gjetur mbështetje për reformat politike që kishte ndërmend të zbatonte, mbetej rinia universitare e kryeqytetit.

c) Roli dhe përdorimi politik i Rinisë Studentore

Për përdorimin e studentëve universitarë në kryeqytet, u organizuan studime dhe u bënë anketa anonime për reagimin e rinisë studentore në lidhje me masat që kishte marrë regjimi. Pyetjes “Si i vlerësoni zhvillimet e reja që ndodhin në shoqërinë tonë në fushën ekonomike, politiko-juridike e atë diplomatike”, studentët iu përgjegjën se i mirëprisnin dhe i mbështesnin dhe se ato ishin nevojë e kohës, vazhdim logjik i zhvillimit”. Më 23 nëntor 1990, u organizua një takim masiv i të rinjve të kryeqytetit me Ramiz Alinë, të cilit i dhanë mbështetje politike për reformat. Por 15 ditë më vonë, më 8 dhjetor, një grup studëntësh, bënë një grevë në ambientet e qytetit Studenti.
Megjithë pakënaqësitë nga gjendja ekonomike dhe politike në vend, në takimin që patën më 11 dhjetor, një përfaqësi të studentëve me Ramiz Alinë, ata “shprehën përkrahjen e tyre për reformat demokratike që janë ndërmarrë deri tani dhe vunë në dukje se ky ishte edhe një nga qëllimet e manifestimeve të tyre. Ndër të tjera ata kërkuan zhvillimin e pluralizmit politik, botimin e dokumentave të K.S.B.E-së”.
Përfaqësuesit e studentëve e vunë në dijeni Ramiz Alinë për krijimin e organizatës së tyre të pavarur politike të studentëve dhe të intelektualëve të rinj.
Gjithnjë në funksion të ruajtjes së pushtetit dhe kontrollit të vendit, po ato ditë, Ramiz Alia filloi një tur në disa zona të njohura për mbështetjen e madhe që i kishin dhënë regjimit komunist. Në ndihmë të tij erdhën edhe intelektualë të njohur të Kosovës dhe diasporës shqiptare. Kështu, më 15 dhjetor 1990, Ramiz Alia vizitoi Pezën, ndërsa po atë ditë priti profesorin nga Kosova, Zekeria Cana.
Ndërkohë regjimi bënte kujdes të mbante nën kontroll “armiqtë e klasës”. Në kushtet kur neni i agjitacionit dhe propagandas, që kishte dënuar mijëra njerëz kishte rënë, strukturat e Sigurimit të Shtetit ndryshuan taktikën e luftës kundër “armiqve të klasës”. Gjatë vitit 1990, bashkëpunëtorë të sigurimit, nxitën njërëz të paformuar të shkruanin letra anonime pa fund, të mbushura plot shpifje, ku synonin të ulnin dinjitetin e “armiqve të klasës”. Madje edhe brenda radhëve të komunistëve, nxitej procesi i diferencimit nëpërmjet “gërmimit” në biografitë e tyre.

• Kërkesa për lirimin e të burgosurve politikë dhe levizja enveriste

Në dhjetor, Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë mbledhur ato ditë mbështeti vendimet e Plenumit të XIII të KQPPSH. Por në Plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, mbajtur në fund të dhjetorit 1990, një pjesë e artistëve doli jashtë kontrollit të regjimit dhe theksuan “se pas vendosjes së pluralizmit politik, në Shqipëri nuk duhej të kishte të burgosur politikë”. Ata kërkuan edhe shtyrjen e zgjedhjeve, të caktuara për t’u mbajtur në 10 shkurt 1991.
Kërkesa për lirimin e të burgosurve politikë thelloi krizën e regjimit dhe shpejtoi proceset demokratike. Ngjarjet po zhvilloheshin me shpejtësi dhe dukej se Ramiz Alia po humbte kontrollin, kur në ndihmë të regjimit erdhën pjesa më ekstreme e komunistëve të cilët, më 12 shkurt 1991, formuan në qytetin e Beratit, shoqatën Bashkimi i veprimtarëve “Enver Hoxha”. Në mesazhin dërguar Ramiz Alisë, ata mbështesnin masat e mara prej tij.
Përballë falangave të enverizmit, Partia Demokratike, u ndodh në kolaps të plotë dhe e pa aftë të përballonte ofensivën e tyre. Për të shpëtuar partinë nga situata në të cilën ndodhej, Sali Berisha kërkoi mbështetjen e të përndjkeurve politikë dhe për këtë qëllim afroi në kryesinë e Partisë disa figura nga familje të njohura, kundërshtare të regjimit komunist. Duke u mbështetur tek ata, ai ridimensionoi përmasat e partisë që drejtonte. Në këtë periudhë, më shumë se shtatëqind studentë u futën në grevë urie, e cila kulmoi më 20 shkurt 1991, kur u rrëzua shtatorja e Enver Hoxhës. Ndërkohë, Ramiz Alisë i bënin thirrje të mos qëllonte mbi popullin, pasi siç shprehej atë ditë në një intervistë për Zërin e Amerikës, Akademiku Rexhep Qosja, “…Enver Hoxha kishte vdekur si simbol e si njeri”.
Me rënien e shtatores së Enver Hoxhës, shpërthyen mitingje të mëdha, të organizuara nga shoqata Bashkimi i veprimtarëve “Enver Hoxha” dhe vendi u ndodh në prag të luftës civile. Kështu, më 22 shkurt, në Gjirokastrës u mbajtën disa mitingje në mbrojtje të figurës së Enver Hoxhës, ku retorika e përdorur ashpërsoi klimën politike.
Në gjysmën e dytë të shkurtit, qendra e organizimit të mitingjeve u zhvendos në Përmet. Më 21 dhe 22 shkurt, u organizuan mitingje të mëdha, ku në sheshin e qytetit, përveç enveristëve të qytetit, morën pjesë kooperativistët e Kosinës. Për tre orë, folën rreth 100 vetë, të cilët i bënë thirrje popullit të Tiranës, “të distancoheshin nga forcat e errëta që kishin rrëzuar përmendoren e Enver Hoxhës pasi, siç thoshin ata, historia do t’i dënojë pa mëshirë”. Akoma më e ashpër ishte retorika në mitingun e organizuar më 27 shkurt 1991 në Përmet, ku përveç përkrahësve të regjimit nga rrethi i Përmetit, morën pjesë të ardhur nga rrethet Gjirokastër, Tepelenë, Fier, Skrapar dhe nga krahina e Mallakastrës. Sheshi oshtinte nga këngët e brohoritjet për Enver Hoxhën. Në mitingun e organizuar në Këlcyrë, portreti i Ramiz Alisë u var në bishtin e një qeni. Aty u kërkua të bëhej kryeqytet Vlora.
Ngjarjet e 20 shkurtit 1991 u shfrytëzuan nga Ramiz Alia, i cili shkarkoi qeverinë e vjetër komuniste. Ndonëse vetë ishte në krye të vendit, ai deklaroi se “kishte vendosur të merrte vetë drejtimin e punëve të shtetit dhe se do të krijonte një këshill presidencial e një qeveri të re, dhe kërkonte nga të gjithë qetësi të domosdoshme, pasi do të përcaktonte veprimet urgjente që duheshin marrë dhe masat e nevojshme”.
Zgjedhjet e zhvilluara më 31 mars 1991, i siguruan PPSH, që kishte sunduar për 46 vjet, edhe një mandat tjetër. Të vetmet vota që siguroi PD në ato zgjedhje ishin në shumicën absolute nga radhët e klasave të persekutuara. Kjo është lehtësisht e verifikueshme sidomos në zonat rurale, ku të persekutuarit njiheshin si kontigjente armike “të hapura”.
Ramiz Alia ia kishte dalë të shpëtonte klasën udhëheqëse të komunizmit dhe të realizonte proceset e privatizimit të ekonomisë, ku toka bujqësore dhe lokalet tregëtare iu dhanë atyre që i punonin. Kjo i shkonte për shtat edhe ish komunistëve të konvertuar në demokratë dhe studentëve “të dhjetorit”. Të dy “palët” ia kishin dalë të siguronin pushtetin nëpërmjet rotacionit dhe të mbanin nën sundim “armiqtë e klasës”. Për këta të fundit, dhjetori nuk solli pranverën.
_____________
Gazeta “Bashkimi”, 14 korrik 1990, fq. 1
“ Bashkimi, 7 shtator 1990, fq. 1, 2
” Bashkimi, 23 shtator 1990, fq. 3
“ Bashkimi, 30 shtator 1990, fq. 2
“ Bashkimi, 24 nëntor 1990, fq.1
“ Bashkimi, 12 dhjetor 1990, fq. 1
“ Bashkimi, 16 dhjetor 1990

Gazeta Drita 11 nëntor 1990, fq. 1
“ Drita 16 dhjetor 1990, fq. 4
“ Drita 30 dhjetor 1990, fq. 2

Gazeta Zëri i Popullit, 19 shkurt 1991, fq. 1
“ Zëri i Popullit, 21 shkurt 1991, fq. 1
“ Zëri i Popullit, 23 shkurt 1991, fq. 1
“ Zëri i Popullit, 28 shkurt 1991, fq. 1-2

error: Content is protected !!