Çështja ishte bërë problem i madh. -Nuk ka më, as në fushë, as në mal, ata që kishim ua dhamë. – Jo, shokë, – tha i deleguari, Partia e di që këtu ka, por janë fshehur. – Ku janë fshehur?! – u çuditën antarët e organizatës, ne i njohim bashkëfshatarët. -Ata kanë fshehur jo vetëm bereqetin, por edhe tokën. – Antarët e partisë panë njëri tjetrin në sy: gruri nuk ishte korrur akoma… po toka, si mund të fshihej toka. Toka nuk futet në thes! Por, urdhëri ishte i prerë: po nuk pati të gjeni! – Ne do të dërgojmë një ekip të aktivistëve të rinj dhe ju do ta shikoni se këtu ka kulake.
Të nesërmen, gjashtë të rinj dhe një grup kulturor nga qyteti, me një fizarmonikë dhe një daire, u nisën për në fshat. Sa mbërritën tek sheshi i fshatit filluan ahengun, por me përjashtim të fëmijve, asnjë fshatar nuk po mblidhej.
Pasi u lodhen duke kërcyer, aktivistët u ndanë në dy grupe dhe filluan të trokisnin në dyert e shtëpive duke propaganduar për grumbullimin e bereqetit. Pyetjen e bënin vajzat e secilit grup, njëri nga djemtë shënonte identitetin dhe përgjigjen e të zotit të shtëpisë, ndërsa tjetri dukej si indiferent.
Ishte vakt dreke, kur arritën tek shtëpia e Vesafit, në fund të lagjes.
Sadetja, aktivistja 21 vjeçare, filloi nga axhitimi:
– Keni vuajtur shumë në kohën e Zogut ju, fshatarët.
–E, iu përgjigj Vesafi, me dy lek merrshe në pazar ç’të kishje nevojë dhe e vinje qeleshen mbi sy.
–Ishte regjim shtypës, -vazhdoi tjetra, paguanit shumë taksa.
–Ah, hoqi në shpirt fshatari, shteti merrte vetëm të dhjetën dhe jo si sot që Shteti po i merr fshatarit edhe shpirtin”.
Sadetja hodhi sytë nga e zonja e shtepisë: Ndonëse dukej se nuk i kishte kaluar të dyzetat, duart i ishin tharë. Ajo i ftoi të hynin brenda.
Ndërsa hynë brenda në shtëpi, Vesafi ngriti saçin ku e shoqja kishte vënë për të pjekur një si lakror me barishte. -A nuk shifni me se po ushqehemi ne, ndërsa juve vini na kërceni e këndoni gjithë qejfe…”
Të nesërmen, Vesafin e arrestuan dhe bashkë me të edhe 18 fshatarë të tjerë. Prapë mbledhje e organizatës së partisë.
-Ja, e patë si i gjetëm kulakët, -tha i deleguari. Ju i keni mbrojtur…
Vesafi u dënua me 7 vjet burg po ia hodhi paq, se dy të tjerë u dënuan me vdekje, dikush me 10 e 15 vjet …