(Goditja e familjes se Hasan Kapllanit)
Nga Xhafer Sadiku
Pas goditjes së ashtuquajturit grupi i kulakëve të Vlorës, Fierit e Lushnjes, në nëntor 1967, regjimi kërkoi nga strukturat e tij në rrethe, emrat e kulakëve dhe propozimet për trajtimin e tyre. Në rrethin e Skraparit, strukturat e regjimit listuan 80 familje, ku dhjetë ishin me mbiemrin Kapllani, nga katundi Vërzhezhë. Një pjesë e tyre nuk e kishin kartën e frontit.
Megjithë shtypjen e regjimit, falë punës dhe ndershmërisë, ato nuk e humbën respektin e popullit të atyre zonave, të cilët kishin propozuar t’u hiqej cilësimi kulak dhe t’u jepej karta e frontit.
Plani i masave për goditjen e kulakëve të Skraparit
Emri i mirë që kishin fituar dhe propozimi i popullit pwr t’u hequr cilwsimin kulak e alarmoi regjimin, i cili përgatiti goditjen e radhës. Seksioni i Sigurimit të shtetit në rrethin e Skraparit analizoi kontigjentin kulak dhe pa triska fronti dhe, sipas raporteve, nga analiza kishte rezultuar se “si element më të rrezikshëm dhe me perspektivë për goditje u përcaktuan kulakët Hasan Kapllani, Sulejman Kapllani, Sadik e Nexhip Alimadhi dhe Avni Zhiti”.
Për goditjen e tyre u hartua një plan masash agjenturalo-operative, në të cilën, midis të tjerash u përcaktuan disa detyra ku më kryesorja ishte “të analizohej agjentura ekzistuese për të parë mundësitë e depërtimit të saj në radhët e kontigjentit kulak”.
Punëtori operativ i zonës së Qendrës, mori masa aktive në drejtim të familjes Kapllani, pasi që regjimi mendonte se ishte “qendra e veprimtarisë armiqësore të grupit të kulakëve”. Për këtë arësye, mbasi studioi gjithë agjenturën, gjeti si më të përshtatshëm për të aktivizuar në drejtim të familjes Kapllani agjentët “Gjuetari” dhe “Bibloteka”, të cilëve u përgatitën me vijë sjellje.
Vija e sjelljes, si skenar krimi
Më 17 korrik 1969 agjenti “Gjuetari” në takimin me punëtorin operativ i raportonte se ishte takuar me një pjesëtar të familjes Kapllani, i cili, sipas agjentit, i kishte thënë: “Jam shumë i mërzitur, ne që jemi të prekur na trajtojnë shumë keq, ishim në punë në qytet dhe na dërguan në fshat, këtu punojmë gjithë ditën e nuk marrim asgjë. Nuk rrohet me 3 lekë që marrim për ditë pune…”.
Për këto të dhëna punëtori operativ i dha këto detyra agjentit:
“-Meqë Sulejman Kapllani ka krijuar bindje ndaj jush, mundohu që në rastin më të afërt të takohesh me të dhe nëpërmjet bisedave që do të bësh, mundohu të mësosh cilët persona frekuentojnë shtëpinë e Kapllanëve, emrat e tyre, nga janë dhe çfarë bisedojnë konkretisht.
-Meqë Sulejman Kapllani ju ftoi për të vajtur në shtëpi, gjeni mundësinë dhe i shkoni për vizita natën, me qëllim që të keni mundësi të takoni edhe me Hasan Kapllanin.
-Gjatë bisedave me Sulejmanin, i thuaj se duhet patur kujdes, të mos flasi me këdo se merremi më qafë, se neve ashtu siç the ti, na kanë halë në sy”.
Agjentit tjetër i ngarkuan detyrë të gjente mundësinë të hynte në shtëpinë e Hasan Kapllanit.
Lidhur me këtë, punëtori operativ mësoi se në shtëpinë e Hasan Kapllanit do të organizohej një darkë meqë fijohej i biri i Hasan Kapllanit. Punëtori operativ vendosi që në këtë darkë, të dërgohej agjenti “Bibloteka”, të cilit i përgatiti vijë sjellje. Kështu, kur të takohej me ta (Kapllanët, -shënimi im), “ t’u çfaqte dëshirën për të shkuar njëherë në shtëpinë e tyre, duke bërë më parë autokritikë që s’kishte shkuar kur kishte dalë Jaçe Kapllani nga burgu, kur u sëmur Hasani, etj”.
Agjenti “Bibloteka” e konsumoi shkëlqyeshëm vijësjelljen dhe Hasani e ftoi atë në darkën që do të organizohej.
Në raportin e Sigurimit lexohet: “…njeriu jonë depërtoi në çerdhen e kulakëve kur ata ndodheshin të gjithë bashkë dhe kur këndonin këngën e Dervish Kapllanit, eksponent i Ballit Kombëtar, vëllai i Hasan Kapllanit, i ekzekutuar nga Partia. Të dhënat e agjentit “Bibloteka” u vërtetuan plotësisht nga të dhënat e B.P.(bashkëpunëtorit- shënimi im) “Dardha” që ndodhej atje…”.
Në të njëjtën kohë, agjenti “Bibloteka” i raportonte punëtorit operativ:
“Vajta në shtëpinë e Hasan Kapllanit në Vërzhezhë pasi më kishte ftuar. Në darkë ishin veç Hasanit edhe Jaçe Kapllani, Sami Malasi, Krenar Kajo, Luman Kapllani, Shkëlqim Kapllani dhe Sulejman Kapllani.
… Hasani si zot shtëpie ngriti një dolli, duke thënë: “Ta pimë këtë dolli për dëshmorët tanë të ballit kombëtar që dhanë jetën për një Shqipëri të lirë, ta pimë për flamurin pa yll; ta pimë për miqësinë tonë që të jetë gjithmonë e lidhur dhe besnike ndaj njeri tjetrit”.
Për këto të dhëna punëtori operativ i dha agjentit këto detyra:
1-Meqë bën zborin bashkë me Hasanin, mundohu të rrish afër tij dhe të bisedosh me të gjatë, ku ti thuash se jemi trembur shumë mbasi atë datë tek ti ishin dhe ata të Beratit dhe mos na del llafi përsa biseduam kundër pushtetit.
2-Kur bëjnë zbor Hasani, Sulejmani dhe Shkëlqim Kapllani mundësisht ftoi në shtëpi me që e ke afër qendrës së zborit dhe mëso hollësira rreth pakënaqësive që ata kanë ndaj pushtetit popullor, si dhe mëso se me cilët persona bisedojnë, emrat e tyre dhe nga janë”.
Regjizorët e krimit
Nga këto të dhëna, seksioni i sigurimit në Skrapar konkludoi se “kemi të bëjmë me një grup armiqësor, në drejtim të cilëve duheshin të merreshin masa të forta agjenturalo-operative, si me agjenturën ashtu edhe me llojet e tjera të punës tonë. Për të vërtetuar sa më shpejt këto aktivitete, u vendos:
· Të shpejtohet përpunimi i Sulejman e Hasan Kapllanit;
· Të ngrihen në përpunim persona të tjerë që implikoheshin;
· Të bëhej një kombinacion për dëgjimin me T-O (teknikë operative –shënimi im) të agjentit “Gjuetari” me Sulejman Kapllanin;
· U vendos që në drejtim të lidhjeve të tjera të futej me kombinacion agjenti “Dardha” për të vërtetuar të dhënat që dispononim dhe aktivitetin armiqësor të tyre;
· U morën masa survejimi për të fiksuar takimet dhe lëvizjet e ndryshme që ata bënin;
· U vendos që mpasi të kryeheshin detyrat e ngritura, të grumbulloheshin materialet me forcë ligjore dhe të propozohesh për goditjen e objektit Sulejman Kapllani”.
Pasi u kryen një sërë kombinacionesh agjenturalo-operative, ne, theksonte seksioni i sigurimit në Skrapar, “ u bindëm se në rrethin tonë vepronte një grup armiqësor”.
Në fillim, sigurimi arrestoi Sulejman Kapllanin dhe nisur nga të dhënat e agjenturës, mori një sërë masash agjenturalo-operative dhe më kryesoret ishin ngritja “nga përpunim paraprak në 2-A (ata persona që nuk ishin ngritur)”. Në fakt, qëllimi ishte të arrestohej Hasan Kapllani. Për këtë, u vendos që gjithë personat të ndiqeshin në grup dhe ky grup të ndiqesh me pseudonimin “Dhelpra”. Gjithashtu u vendos që brenda një kohe të shkurtër të mblidhej material me provë ligjore kundër Hasan Kapllanit dhe të propozohej për goditje.
· Të bëheshin një seri kombinacionesh agjenturalo-operative, si dëgjim me T.O., survejim, përplasje të agjenturës me objekte të përpunimit, legjendimi dhe përplasja e disa objekteve midis njeri- tjetrit.
· Të tërhiqen në bashkëpunim me material shtërngues kandidat, të cilët mund të zbërtheheshin më shpejtë dhe të pranonin bashkëpunimin me organet tona.
· Të njoftoheshin Degët e P. Brendëshme Berat, Durrës, Fier dhe Gramsh për personat që implikoheshin nga rrethet e tyre dhe të dërgoheshin menjëherë materialet që dilnin nga hetuesia dhe agjentura.
Zbatimi i detyrave të ngritura nga udhëheqja e Degës për sektorin operativ u bë e mundur pas një pune këmbëngulëse dhe të vendosur që bënë punëtorët operativë për realizimin e tyre. Brenda një kohe të shkurtër u siguruan material me forcë ligjore dhe u sanksionua arrestimi i Hasan Kapllanit. Mbas goditjes së tij, u bë një plan i përbashkët me sektorët e tjerë operativ dhe me hetuesinë. Në këtë plan u përcaktuan këto detyra:
· Të përpunohej në birucë Hasan Kapllani;
· Të zhvillohej me të një hetuesi intensive;
· Të merreshin në survejim gjithë rrjeti familjar, miqësor e shoqëror i Hasan Kapllanit për të fiksuar lëvizjet e njeri tjetrit mbas arrestimit të këtij të fundit.
· Mbas deponimeve të Hasan Kapllanit, për personat që do të implikoheshin rëndë, të propozoheshin për arrestim, sidomos për Nexhip Alimadhin, për të cilin, veç të dhënave të tjera, kishin edhe poezinë me përmbajtje reaksionare “Ditë të zeza”, e shkruar prej tij.
Për përpunimin e Hasan Kapllanit u vendos të përdorej agjentura e birucave dhe për këtë u fut në birucë me të agjenti “Liqeni”. Kjo u legjendua në këtë mënyrë:
“Liqeni” gjoja pat punuar në ndërmarrjen e bonifikimit të rrethit të Skraparit bashkë më një shokun e tij nga Berati, tentoi të arratisej dhe u kap, e meqë punonte në rrethin e Skraparit, u dërgua këtu për të vazhduar hetimet”.
Dënime pa prova
Duke mos patur prova shkencore për agjitacion e propagandë, për të nxitur të arrestuarit dhe familjarët e tyre të flisnin kundër regjimit, Sigurimi shkruante letra drejtuar familjarëve dhe miqve të Hasan Kapllanit dhe Sulejman Kapllanit, gjoja sikur i dërgonin të arrestuarit nga biruca dhe po vetë shkruanin të tilla sikur i shkruanin familjarët për të afërmit e tyre të arrestuar. Qëllimi ishte për të implikuar një numër të madh nga radhët e familjeve të deklasuara. Kështu, në një raport të seksionit të Sigurimit të rrethit Skrapar, lexohet: “Nga hetuesia e zhvilluar kundër Hasan Kapllanit dhe masat e tjera që u përmendën më lart, dolën të dhëna me interes operativ për një numër të konsiderueshëm elementësh të deklasuar brenda dhe jashtë rrethit, të cilët, në bashkëpunim me njeri-tjetrin zhvillonin aktivitet armiqësor të shprehur në agjitacion e propaganda”.
Nga elementët kryesorë që sigurimi implikonte dhe që kërkonte të godiste, ishin: Nexhip Alimadhi, Avni Zhiti, Jaçe Kapllani, Demir Alimadhi, Shkëlqim Kapllani, Sadik Alimadhi, Hajri Musabelliu, Sami Malasi, Luman Kapllani, Krenar Kajo, Haki Kajo, Qani Hasani, Hysni Kuka, Sadik Kaloçi etj.
Për të arritur në goditjen e tyre, sigurimi mori një sëri masash agjenturalo-operative , më kryesoret ishin:
· Punëtorët operativë të mbanin lidhje të shpeshta dhe të drejtonin agjenturën me detyra konkrete për të kontrolluar aktivitetin armiqësor të personave të implikuar, të shikonin lëvizjet dhe takimet që do të merrnin me njeri-tjetrin.
· Të propozohej për goditje Nexhip Alimadhi;
· Meqë implikoheshin disa persona nga rrethet e tjera, t’u dërgoheshin materialet këtyre rretheve dhe të kordinoheshin veprimet me to, duke organizuar kombinacione të ndryshme agjenturale për verifikimin e mëtejshëm të kësaj veprimtarie.
· Të kërkohej ndihmë nga qendra për të dërguar dy punëtorë operativë të T.O. me mjete dhe kamuflazhe të ndryshme për të bërë një seri veprimesh me objektet Sadik Alimadhi, Demir Alimadhi, Shkëlqim e Luman Kapllani etj në qendrën e punës së tyre;
· Të grumbulloheshin material me forcë ligjore për të gjithë personat e implikuar në grup dhe të bëhej propozim për goditjen e tyre.
Në përfundim të kombinacioneve agjenturalo-operative, u arrestuan dhe dënuan më shumë së tridhjetë persona, në rrethin Skrapar, Berat, Durrës dhe Fier. Më shumë se njëqind vjet burg. Hasan Kapllani dhe Jaçe Kapllani vdiqën në burg. Më parë, nga kjo derë e madhe, komunistët kishin vrarë Muharrem Kapllanin dhe Dervish Kapllanin.
Mbronin agjentët, shpifnin për të dënuarit
Që goditja e tyre ishte e tëra skenar i sigurimit dhe të arrestuarit ishin të pafajshëm merret vesh nga raportet e vetë sigurimit. Kështu në një relacion të Sigurimit të shtetit, për organet eprore, lexohet:
“… Një kujdes i veçantë iu kushtua legjendimit në mënyrë që kundërshtari të besojë plotësisht se ndodhej në një situatë reale. Trillimet dhe imagjinata që u përpunuan nga ana jonë, duke çfrytëzuar konditat që dilnin nga situate operative, duke iu afruar në mënyrë maksimale realitetit dhe të bazuar në fakte reale”.
Me kombinacione dhe legjenda, sigurimi nxori edhe agjenturën nga përpunimi agjentural: “qysh me arrestimin e Sulejman Kapllanit agjenturës iu dha detyrë që gradualisht të tërhiqej nga përpunimi agjentural se gjoja ishte penduar dhe kishte frikë që të merresh me biseda politike”.
“Kur u arrestua Hasan Kapllani dhe pjesëtarët e tjerë të grupit armiqësor, organet tona kishin siguruar prova të bollëshme nga masa dhe këto ishin aq të mjaftueshme sa që objektet e përpunimit formuan bindjen se dështimi i tyre erdhi si rezulat i vigjëlencës së lartë të popullit”.
Për të ruajtur agjenturën nga dekonspirimi, punëtorët operativë kishin punuan që të arrestuarit të dyshonin tek njerëzit e tyre. Kështu, në raportin në fjalë, për këtë çështje, theksohej: “te shumica e të arrestuarëve u krijua bindja se shkaku i arrestimeve të tyre ishte Lumani, u krijua përshtypja se Lumani bashkëpunonte me organet tona. Për këtë, Punëtori Operativ për ta bërë më bindëse shkoi dhe takoi disa herë Lumanin në fshat”.
Në fakt, ata që realizuan goditjen në Skrapar dhe në mënyrë të veçantë kundër familjes Kapllani, ishin krerët e seksionit të Sigurimit të shtetit në Skrapar dhe agjentët e tyre, që vinin kryesisht nga radhët e besnikëve të regjimit.
Po të studjohen me detaje materialet e asaj çështje, arrihet në përfundimin se mënyra e të vepruarit, arrestimet dhe dënimet dhe persekutimi i familjes Kapllani, është një nga krimet më të rënda të Sigurimit të shtetit, që do ta dënonte çdo shtet ligjor. Natyrisht, me përjashtim të shtetit shqiptar. Kjo për më tepër, kur bëhej fjala për një vepër penale si agjitacioni e propaganda kundër pushtetit, masa e dënimit të të cilës nuk i kalonte 10 vjet!
Por urrejtja e regjimit komunist kundër familjeve nacionaliste që i cilësuan kulakë, nuk njihte kufi. Regjimi i dënoi Hasan dhe Jaçe Kapllanin me mbi 20 vjet sejcilin dhe nuk u kthyen më pranë familjeve të tyre. Të tjerët u dënuan me mbi dhjetë vjet sejcili. Hasan dhe Jaçe Kapllani, bashkë me Muharrem Kapllanin dhe Dervish Kapllanin, të vrarë nga komunistët, janë dëshmia më e gjallë se si komunistët masakruan familjet e nderuara të Skraparit.