(Nëpër faqet e dosjeve të PPSH)
Për të krjuar njeriun e ri, krahas ideologjizimit dhe shplarjes së trurit, Partia e Punës e Shqipërisë ndalonte martesat e të rinjve dhe të rejave me biografi të “mirë” me ata të familjeve të persekutuara. Qëllimi i komandantit ishte që të rinjtë nga klasat e përmbysura të mos krijonin familje dhe kështu gradualisht të shuheshin.
Meqë ra fjala, në një fshat të largët u fol se ishte fejuar djali i pashëm i një “armiku të klasës”.
-Kur u fejua? … Ku u fejua? … Nga është vajza? … E kujt është?… – komunistët nuk po i zinte gjumi.
Si mund të fejohej djali i “armikut” në moshën e rinisë?!
Deri atëherë u kishte ecur; disa djem me “cen” në biografi kishin krijuar familje kur I kishin kaluar të dyzetat, madje me lejen e tyre. Si t’ia bënin?!
U mblodhën me ngut në shtëpinë e më militantit prej tyre… Babai i vajzës kulak, i vajzës ballist, – pak kemi ne në fshatin tonë! Të shtohen kulakët dhe ballistët! Vendosën t’ia prishin fejesen, … siç kishin bërë edhe me të tjerët.
Ca nga biseda e ca nga rakia, nuk e vunë re zonjën e shtëpisë, kur hyri në dhomë e i’u drejtua tërë mllef:
-A mendoni për vajzat tuaja, o ditëzinj? Duke mos i lënë të martohen ata djem, po dëmtoni fëmijët tuaj. A i shikoni çfarë burrash u keni dhënë vajzave? Po me nuset e djemve, a jeni të kënaqur?
– Panë njeri-tjetrin në sy….
“Armiku i klasës”! Në fshatrat malorë, ku kishte vetëm një klasë, klasa e fukarenjve, siç ishin edhe ata vet!
Bindja ndaj komandantit dhe urrejtja ndaj “armikut të klasës” i kishte verbuar.