Megjithë se ka kaluar një çerek shekulli, ende besohet se zhvillimet politike në Shqipëri kanë ndodhur sipas një plani që rëndom e quajnë “Platforma e Katovicës”.
Në të vërtetë, Ramiz Alia e njihte shoqërinë shqiptare më mirë se asnjë tjetër. Qysh në verë 1990 dhe vecanërisht në dhjetor të atij viti, kishte identifikuar se përballë partisë së tij kishte dy grupe: studentët e intelektualët e rinj,qe kërkonin largimin e burokracisë së vjetër; dhe kundërshtarët e regjimit e masat e shtypura të popullit që donin lirinë.
Pa e zgjatur, ai mori masa për të kontrolluar të dy grupet. Të parët i “kënaqi” me largimin e qeverisë së vjetër duke e zëvendësuar me teknokratë të rinj, ndërsa të dytët me rrëzimin e shtatores së Enver Hoxhës. Një vërshim të tyre në drejtim të Bllokut, ai e paralizoi pa arritur ata as në gjysmën e rrugës.
Por, nëse shtetin e kontrollonte nëpërmjet strukturave dhe urdhërave, në kushtet e reja që po krijoheshin, problem për Alinë përbënte kontrolli mbi shoqërinë. Kjo pasi që organizatat e masave, si leva të partisë, ishin ndryshkur.
Për të kontrolluar masën e madhe të ish të burgosurve dhe persekutuarëve politikë, u krijua shoqata e ish të burgosurve dhe të persekutuarëve politikë me degët e saj në rrethe, ku në krye të tyre shumica rezultuan interesaxhinj pa asnjë ideal dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit të shtetit.
Masën e gjërë të të pesekutuarëve e pajisi me një “status”, i cili i ndante në katër kategori, ndërsa ish të burgosurve u dha “pafajësinë” parlamentare, një praktikë e padëgjuar më parë.
Loja ishte perfide: Kuvendi mori atributet e gjykatës dhe ish të burgosurve iu hoq e drejta për rishikimin e vendimeve, gjë që do të shpinte në dëmshpërblimin e tyre, siç ndodhi pas vitit 1997, me krerët e burgosur të regjimit komunist. Ende pas një çerek shekulli, ata nuk janë zhdëmtuar për dëmet e mëdha të shkaktuara nga shteti.
Pjesën tjetër të shoqërisë e kontrolloi nëpërmjet krijimit të shoqatave lokale, të quajtura “kulturore-atdhetare”. Edhe këto drejtoheshin nga besnikë të partisë së tij dhe të ashtuquajturit veteranë, në përbërje të të cilëve kishte zbatues të luftës së klasave, madje edhe vrasës të kohës së luftës e të sigurimit.
Shoqatat “kulturore-atdhetare” u kujdesën të ruanin trashëgiminë e regjimit të vjetër, ndërsa në vitet që do të vinin iu njoh me ligj, e drejta për të propozuar dekorimet dhe vlerësimet për qytetarët. Me propozim të tyre, pushteti u ka dhënë dekorata të ndryshme dhe vlerësim, që nga “nderi i qytetit” deri tek “Nderi i kombit” edhe spekulantëve, mashtruesve dhe ideologëve të realizmit socialist.
Gjatë vitit 1991, Alia shpejtoi privatizimin e sektorëve të shërbimit, duke ua dhënë në shumicë mbështetësve të tij dhe bashkëpunëtorëve të sigurimit. Ligji për token, që u zbatua me shpejtësi, u hoqi pronarëve mundësinë e zotërimit fizik të pronave të tyre dhe gëzimit të fruteve të saj.
Me këto masa, ai konsolidoi klasën mbështetëse të tij dhe e bëri të pamundur rehabilitimin real të pjesës tjetër.
Me krijimin e Partisë Demokratike, ish të persekutuarit e mbështetën në fitoren e saj. Ndër dy grupet që përbënin PD – ë, natyrshëm, epërsinë e kishin studentët dhe intelektualët e afërm me regjimin e përmbysur, për shkak të arsimimit, informacionit dhe lidhjeve me regjimin e vjeter.
Gjatë periudhës së qeverisjes së PD –ë funksionoi e njëjta skemë, madje u perfeksionua. Krerëve të shoqatës së ish të përndjekurve në qendër e rrethe iu dha pushtet mbi të përndjekurit. Ishin ata që propozonin se cili ish i përndjekur do të merrte banesë falas, cili do të përfshihej në strukturat e shtetit, nga më të ulëtat deri në funksione të larta të piramidës shtetërore. Ishin ata qe mbajten nen kontroll pjesen me intelektuale nga radhet e ish te perndjekurve.
Megjithëse shumë prej tyre kanë qenë deputetë dhe ministra, ata nuk propozuan asnjë projektligj të drejtë për masën e gjerë të shtresës që i përkisnin dhe popullit në tërësi. Kur të shtypurit kërkonin të zgjeroheshin hapësirat e lirisë, ishin këta që deklarorin: “e Djathta jena na”.
Gjatë këtij procesi u formua “aristokracia” nga radhët e ish të burgosurve dhe të persekutuarëve, që për ideal kanë paranë dhe pushtetin. Ata nuk kanë asnjë ndryshim nga mafiozët e pushtetit, madje janë në anën e tij. Përballë urrejtjes së njerëzve të ndershëm, ata kërkojnë mbështetjen e të huajve, shtiren si “properëndimorë” dhe duke etiketuar kritizerët e tyre si “prolindorë”.
Megjithë kontrollin e rreptë nga ana e trashëgimtarëve politikë të regjimit të vjetër, duket se skema e vjetër nuk funksionon më, ndersa problemet mbeten po ato. Por tashmë, të përndjekurit janë realisht të ndarë.
Pas kaq vitesh, mund të thuhet me siguri të plotë se kemi dy grupe të tjera: të ndershmit, të munduarit dhe të varfërit që janë përsëri në kërkim të së drejtës dhe lirisë, dhe të korruptuarit e oligarkët në luftë për pushtet dhe para.