Më në fund mbaroi, – morën frymë të lehtësuar. Një javë zgjatën punimet e kongresit të partisë atë vit, por diskutimet ishin luftarake. Entusiazëm i madh edhe në bazë… Do tu tregojmë vendin armiqve të kllasës, rrakcionit të brençëm… Por, edhe porosia e përhershme e nënës: ki mendjen, bir. Ruhu!
Ki mendjen… në shkollë, në çezëm, në fushë, në mal… kudo.
Ditë e parë pas mbylljes së kongresit. Hyri mësuesi i letërsisë dhe i përqendroi sytë tek biri i “kulakut”.
-Ti, – çohu në dërrasë… Të recitosh dhe të bësh komentin e.. dhe pasi ndaloi pak, tha titullin e poezisë: Shqiponjat fluturojnë lart.
– Të na thuaç përmbajtjen, idetë, figuracionin …
U përgjigj siç dinte dhe po priste vlerësimin, por mësuesi shikonte në dritare dhe dukej se nuk e kishte mendjen. Por, befas u kthye: dobët, shumë dobët! Nxënësit u cuditën!
-Ky nuk na bëri krahasimin e rrapit me shkurret. Se këtë ka dashur të thotë autori.
Çështë e vërteta fshati kishte rrepe shumë, por mësuesi zgjodhi ta bënte krahasimin me rrapin e S…, një fshat ku shkonte rruga nacionale.
-E keni parë sa madhështor është rrapi atje?! Ashtu është edhe partia jonë. Dhe shkurret janë armiqtë e klasës, kulakët. A e keni degjuar se tek ai rrap I’u bë gjyqi Musait. Aty u demaskua Hyseni, aty bën mbledhjet populli. Aty flet partia… Pse, si mendoni ju, nuk ka vend tjetër partia për tu bërë gjyqin armiqve… Ja kështu do të ndodhë sa të jetë jeta…Ulu, pesë.
Nxënësit e klasës panë njëri tjetrin në sy.
Nxënësi bëri të fliste, por e frenoi porosia e nënës: Ki mendjen, bir!