Deri në 1808, kur në fronin e Perandorisë Osmane u ngjit Sulltan Mahmudi II, popujt e perandorisë sundoheshin nga paria e tyre. Më e theksuar kjo për popullin shqiptar që kishte një pozitë të privilegjuar në raport me popujt e tjerë që përbënin perandorinë osmane. Sulltani ndërhynte vetëm në emërimin e autoriteteve të larta, si vezirë, pashallarë e sanxhakbejlerë. Por, duke pasur pushtet të madh, i madh ishte edhe abuzimi i tyre.

Kështu, Ali Tepelena në Shqipërinë e Poshtme, – shkruante Johann Georg Von Hahn, – “me gjithfarë mjetesh, të lejueshme e të palejueshme, kishte çfarosur të gjithë kundërshtarët e vet”. Ai sundonte “me një makiavelizëm e tirani të neveritshme (mjaft të kujtojmë luftën e shuarjen barbare të Suljotëve 1803), e shpesh në kundërshtim me Stambollin”.

Sundimi arbitrar i tyre binte ndesh me kredon e Sulltan Mahmudit II i cili donte reformomin e perandorisë, ku të gjithë shtetasit të ishin të barabartë. “Myslimani, – theksonte ai, -të dallohet vetëm nga xhamia, i krishteri nga kisha e hebreu nga sinagoga”.

Bir i një francezeje, Mahmudi II “kishte marrë shumë nga sjelljet fisnike të nënës dhe qendrueshmërinë e madhe të një myslimani”. Në reformimin e perandorisë ai u ndihmua nga veziri i madh, Reshit Pasha.

Veziri i madh, – sipas Johann Georg Von Hahn, – i urrente shqiptarët që nga koha e luftës kundër Greqisë (1821-1829), pasi që e kishin lënë vetëm e ishin kthyer në shtëpitë e tyre, me pretendimin se nuk u kishte paguar në kohë rrogën e caktuar. Perandoria i paguante shqiptarët për të mbrojtur territoret shqiptare.

Lufta kundër Rusisë e vonoi shfrimin e urrejtjes së Reshit Pashës, por rasti i erdhi në vitin 1830, kur erdhi vet në Shqipëri dhe thirri në Manastir “beglerët e agallarët e Toskënisë për të j’au pague rrogën ushtarake të prapambetun”.

Të joshur prej këtij premtimi, ranë në Manastir mbi 500 vetë, “të cilët qenë pritë madhnisht”. Ata që shpëtuan ikën në Greqi “e prej andej gatuen një kryengritje kundra turkut, e cila krisi në 1833 e u përhap deri në Gjirokastër e Kurvelesh, tue krijue e tue mbajtë në Shqipërinë Jugore një gjendje shqetësimi e turbullimi se pa dam”.

______________

Për më tepër lexoni: Revista “Leka”, mars 1943.

error: Content is protected !!