(Pabarazi e garantuar me ligj)

Historiografia zyrtare, megjithë se ka shkruar gjatë për Shpalljen e Pavarësisë dhe qeveritë e Ismail Qemalit e Princ Viedit, nuk është fokusuar sa duhet mbi statusin e Shqipërisë, bazën ligjore dhe organizimin e funksionimin e sistemit të drejtësisë.
Projekti i Fuqive të Mëdha, me vendimin e 17 dhjetorit 1912, pranonte sovranitetin e sulltanit, por me pëlqimin e Turqisë, Austro-Hungaria dhe Italia e ndryshuan vendimin dhe më 29 korrik 1913, Shqipëria u bë Principatë autonome, sovrane dhe neutrale, nën garancinë e Fuqive të Mëdha.

• Baza ligjore dhe funksionimi i drejtësisë

Në Konferencës e Londrës u paraqit projekti i Austro-Hungarisë e Italisë dhe një shtojcë e Francës, në të katër elementët e tij: në çeshtjen e sovranitetit, të organizimit shtetëror, kontrollit të qeverise dhe sistemit të drejtësisë.

Për sa i përkiste drejtësisë, Vjena dhe Roma propozonin që në Shqipëri të zbatohej modeli i Egjiptit. Franca kundërshtonte organizimin e gjyqësorit sipas modelit të Egjiptit, pasi që atje gjykatat, me ligjet e procedurën e tyre ishin bërë për të huajt, kurse në Shqipëri, thuhej në shtojcën e Francës, “… s’ka të huaj fare”.

Sipas Francës, Shqipërisë duhej t’i viheshin ligje që t’u përshtateshin nevojave të shqiptarëve. Për këtë Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit dhe Komisari i Lartë të merrnin masa të përkohshme në ato vise që kishin një farë organizimi gjyqësor të qeverisë turke dhe të hetonin zakonet e institutet tradicionale të viseve të tjera të Shqiperisë. Kështu, propozimet e veta për organizimin përfundimtar t’ua përshtaste zakoneve dhe institucioneve të vendit. Një tjetër çeshtja që shtrohej ishte se në ç’mënyrë do të pyetej populli shqiptar, për ta thënë fjalën e tij për këto propozime dhe si do të vihej drejtësia në malësitë?

Pas shumë debatesh, më 10 prill 1914 Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, i përbërë prej përfaqësuesve të gjashtë fuqive të mëdha, elaboroi një Statut me 216 artikuj, i cili, më shumë se statut, ishte një ligj organik i themelit të legjislacionit shqiptar.

• Statuti i Shqipërisë: kapitulacione dhe privilegje

Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit i imponoi Shqipërisë sistemin e kapitulacioneve që i ishin imponuar Perandorisë Osmane nga marrëveshjet e pabarabarta të saj me Fuqitë e Mëdha. Neni 4 i statutit u jepte të huajve më shumë të drejta se sa vetë shqiptarëve.
Durrësit i jepej një regjim special për motive të një porti serb; Shkodrës i jepej një fare autonomie në favor të ekonomisë së Malit të Zi, ndërsa kishës privilegjet religjioze e të shkollave që gëzonte nën qeverinë turke. Mbajtja e kapitulacioneve në shtetin e ri siguronte për të huajt pozita mbizotëruese.

Regjimi i privilegjeve i komunitetit kristian dhe juridiksioni konsullor për të huajt shërbenin si kundërpeshe në një shtet shumëkombësh të prapambetur, por mbajtja e tyre ne nje shtet të vogel të sapoformuar, si Shqipëria, theksonte Eugenio Vaina, dobësonte unitetin kombëtar. Ato e bënin Shqipërinë si një mozaik për ta shpërbërë më lehtë shtetet fqinje të saj.

Mbi popullsine që nuk i gëzonte kapitulacionet dhe privilegjet, rolin kryesor e luante Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, kompetencat dhe veprimtaria e të cilit ishin një mohim i pavarësisë së Shqipërisë.
Fuqitë e Mëdha i imponuan Shqipërisë një mënyrë qeverisjeje që vetë e kishin braktisur prej dekadash. Baza e legjislacionit mbi të cilin do të zhvillohej Shqipëria nuk ishte “…as francez, as gjermanik, as roman, por kristian”.
Vendosja e një sistemi të tillë juridik shkaktoi kryengritjen popullore dhe përzënien e Wiedit nga Shqipëria.
______________
1- AQH, FO. 591, dosja 2/5.
2- AQSH, FO. 591, dosja 2/1
3- AQSH, FO. 56, dosja 26.
4- Oreste Camillo Mandalari, “Indipendenca shqiptare” Tirane 2008.
5- Eugenio Vaina; “La Nazione Albanese”, Catania 1917.
6- “Turchia; Lo straniero ed i regime delle successoni”, Roma 1903.
7- Gazmend Shpuza, “Kryengritja e fshatarësise së Shqiperisë së Mesme
e udhehequr nga Haxhi Qamili (1914-1915)” Tiranë 1979.
8- Amedeo Gianini, “Le Constituzioni degli stati deli’ Evropa orientale,,. Roma, Primo
volume.
9- P. Alfonso, M. Baldassari., “La Corona Albanese”, Napoli 1914.
10- Historia e Shqipërisë, Tiranë 1965, volumi II.

error: Content is protected !!