Pas një vizite në Peshkopi, në fillim të verës 1939, Francesko Jakomoni i raportonte ministrisë së Punëve të Jashtme në Romë se “… Mati e Dibra janë të njohura si zonat më të trazuara, për shkak të pranisë së Krerëve e Fisnikëve të lidhur me Zogun e të personaliteteve më të spikatur të regjimit të vjetër që e bën situatën të pafavorshme për ne”.
Në një studim për situatën në krahinën e Matit dhe Peshkopisë evidentoheshin familjet më me ndikim, mbështetëse të regjimit të Zogut, që konsideroheshin edhe kundërshtare të pushtimit. Krahas tyre përmendeshin ato me qëndrim indiferent dhe disa të tjera që kishin qenë kundërshtarë të Zogut dhe simpatizonin regjimin e ri.
Në zonën e Matit, ku përfshihej edhe Lura, përmendeshin si kundërshtarët më të vendosur Abdurrahman Krosi, Hysen Selmani, Allaman Çupi, Murat Basha, Taf Kaziu, Fadil e Kapllan Allamani, Isuf Çela; Sul Kurti, Haxhi Kurti e Rustem Kurti; Isuf Selmani e Abaz Kadiu.
Në Lurë bajraktari Hakik Mena, Zef Doçi e Ibrahim Gjoçi.
Pas pushtimit të vendit, disa prej tyre, si Abdurrahman Krosi, Allaman Çupi, Murat Basha, Taf Kaziu etj, u larguan jashtë atdheut.
Ata që mbetën në atdhe u burgosën e internuan. Kështu, nipat e Abdurrahman Krosit u burgosën, njëri në Itali e tjetri në Shqipëri; Sul Kurti, Haxhi Kurti, Rustem Kurti, bajraktari Hakik Mena, Zef Doçi etj u paraburgosën e internuan në Berat. Vëllai i major Murat Bashës, Abdiu, u internua në Porto Palermo. Në Himarë ishte internuar edhe familja e Abaz Kupit.
Regjimi i pushtimit synonte të siguronte largimin e “elementëve të njohur si zogistë, e pra kundështarë të Regjimit…”, dhe të përkrahte elementë të kompromisit dhe simpatizantë të tyre që do të ishin të dobishëm për ta në zona të tjera.
Duke larguar dhe goditur krerët, synonte të shkëpuste popullin e atyre zonave nga inflenca e tyre dhe ta afronte me administratën. Por një politikë e tillë bëri efektin e kundërt. Shëmbulli më tipik ishte Lura, ku paraburgosja e bajraktarit Hakik Mena dhe ish kryetarit të komunës, Zef Doçi, mbolli anarkinë me tërë pasojat e saj. Për të rivendosur qetësinë regjimi u detyrua të ndryshonte politikën shtypëse.