Në 11 korrik 1914 Princ Wiedi thirri një mbledhje të jashtëzakonëshme në pallatin në tij në Durrës. Para mbledhjes ai priti në audiencë private Ismail Qemalin, i kthyer ato ditë në atdhe, por ish-kryeministri vuri re se Princi nuk i jepte rëndësinë e duhur gjendjes së vështirë të Shqipërisë. Me sa dukej Princi e kishte organizuar mbledhjen jo për të gjetur një zgjidhje, por për të siguruar mbështetje.

Në mbledhje morën pjesë shqiptarë të njohur, të cilëve princi u kërkoi pikëpamjet e tyre për zgjidhjen e situatës.

Sipas raportit të Aliotit për Markezin Sanxhuliano, ministrin e Jashtëm të Italisë, dy personazhe të elitës kërkonin të rifillonte sulmi kundër kryengritësve, por Prenk Bib Doda kundërshtoi. Ai e konsideronte një veprim të rrezikshëm që nuk duhej lejuar, madje deklaroi se nuk do të marshonte më kundër kryengritësve dhe iu lut Aliotit të ndërhynte pranë qeverisë italiane të merrte në dorë situatën e vështirë që kërcënonte prishjen e Shqiperise.

Prenk Bib Doda propozoi të thirrej Esad Toptani të vinte qeverinë në dorë të Komisionit të Kontrollit për ta pajtuar me kryengritesit e të tentonte të shpëtonte Shqipërinë. Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve mendonin se ishte e nevojshme të kërkonin ardhjen e forcave ndërkombëtare, sidomos të Austrisë.

Sipas gazetës “Populli”, – Sabri Korça kërkonte ardhjen e Ferid Pashë Vlorës, Dom Nikoll Kaçorri kundërshtonte ardhjen e trupave evropiane ndërsa Sadullah Tepelena kërkoi shpëtimin e zonave të Jugut.
Gazeta “Dielli” e 14 gushtit 1914, shkruante se Isa Boletini dhe Bajram Curri treguan besnikërinë e tyre ndaj Princit: “…Ne s’dimë politikë, kush do turkun le të shkojë në Azi, se ne vdesim, Shqipërinë e humbim dhe Mbretin nuk e lëmë të shkonjë”.

Murad Toptani heshti i dëshpëruar, ndërsa Myftiu i Durrësit tha se e donte Shqipërinë vetëm nën urdhërin e Mbretit. Mehmet Tetova tha: Lipset të vdesim.

Ismail Qemali u takua me Aliotin dhe kërkoi nga Evropa e në mënyrë të veçantë nga Austria e Italia të tentonin edhe një herë për shpëtimin e situatës.
Ato ditë, shtypi shkruante se deputeti anglez Acland, njëri ndër zërat e pakët në mbrojtje të shqiptarëve, kishte protestuar në parlamentin anglez kundër barbarive në Shqipërinë e Jugut duke i kujtuar qeverisë britanike, se këto vise që po shkatërroheshin, i’a kishte lënë Shqipërisë e jo terrorit. Por mjerisht, – shkruante gazeta “Atdheu” në numrin e 21 korrikut 1914, , – “nuk mori as nonjë përgjigje po vetëm i’u dha fjala se do t’ia japin pasi të shkoj edhe ca kohë”.

Në një takim me Aliotin më 9 korrik l914, Prenk Bibë Doda i tha se ai njihte gabimet e rënda që janë bërë nga qeveria në kohën e arrestimit të Esadit e besonte që politika agresive kundër myslimanëve ishte fatale për Princin, i cili tashmë kishte kundër vetes tre të katërtat e popullsisë ndërsa një e katërta nuk kishte besim tek Sovrani.

Sipas tij, për të shpëtuar ç’mund të shpëtohej duhej të hyhej në marreveshje me kryengritesit të cilët në asnjë mënyrë nuk duheshin sulmuar, megjithëse pranë Princit ekzistonte një parti që dëshironte të rifillonin sulmin. Pashai mendonte se Italia mund të ndërhynte për të shmangur gjakderdhjen midis shqiptarëve pasi, – sipas tij, -vazhdimi i luftës nga malësorët mund të bënte që ajo të merrte karakter të theksuar religjoz.

Sipas vëzhguesve politikë të kohës, Princi kishte bërë dy gabime të renda: e para, që kishte larguar Esadin në mënyrë të papërligjur, pa ditur se si mund ta zëvendësonte për influencën dhe njohjen e vendit që kish pasur dhe e dyta, që kishte shpërfillur elementin mysIiman të Shqipërisë së Mesme, “… përkundër asaj çka e kishte këshilluar Italia”.

____________

Shkrimi është marrë nga: Xhafer Sadiku, “Shqipëria 1878-1928, Roli i elitës politike”.

error: Content is protected !!