Në Konferencën e Paqes në Paris (1919-1920) ata që donin copëtimin e Shqipërisë pretendonin se shqiptarët nuk mbahen dot si shtet më vehte. Por, Gjergj Fishta, për të kundërshtuar këtë “ide” shkruante:
‟Anmiqt e Shqipërisë e sidomos fletoret e Francës t’gjithë kohën e luftës turko-ballkanike kan përdor ndaj shqyptarëve një mënyrë të folunit tepër të ashpër e të poshtërme tuj thanë se shqiptarët janë barbar, gjinje e pazot, qi nuk i nënshtrohen kurrnjë ligjes e qi prandaj nuk janë një popull qi mund t’mahet shtet m’vedi.
Ne e dimë sigure se shumica e fletoreve t’Francës as dytë s’e kanë se gjendet kund Shqipni në Evropë e se kurrë francezët kan ndi tu folë për Shqipni, u asht ba se po flitet për zulu… vetëm pse kështu do t’ken pas urdhërin prej masonëve të pashpirt të qeverisë s’vet, a prej Evrejve t’bankave të Parisit, gjygjet e tyne përmi kom shqiptar nuk munden me pasë kurrëfarë randësiet kritike të njiment përpara syve të nji mendjes s’kthjellët e t’paanësisë”.
Fishta ishte i vetedijshem per rolin e Frances, ne vendimarrjen, prandaj vijonte: “Por me gjithë kta, tue kenë se sot me sot Franca asht nji shtet i fuqishëm i Evropës e tue kenë se Shqipnia ka sot nevojë për nimë t’gjitha shteteve të mëdha, na këtu me arësye në dorë duam me u dishmue Evrejve e masonëve t’Francës se nuk asht e vërtetë qi shqiptarët janë barbarë e se nuk mund t’mahen shtet m’vedi qi duhen me lëshue n’dorë t’sllavëvre për me kenë qytetënue; pse kështu qi francezët e njerëzishëm kanë me mendu mirë për ne, e kan me pasë simpati për një popull, i cili sot asht tuj dalë prej djepit t’u vun për udhë të përparimit”.
Çdo popull, -thoshte Fishta, – mundet me u kuptue dy mënyrash:
a- Si fis (rracë) për me u marrë si vrojtim gjaku, gjuha a se etnologjia.
b- Si komb (nation), për m’u kqyr organizimi i jetës s’shoqnueshme e politike e tij.
Armiqt e Shqypnisë, – theksonte ai, – tuj vue’n re se populli shqiptar nuk shfaqet në Histori si një komb i organizue e i përfshim përbrenda carkut t’nji njisisë kombëtare, thonë se prandej ky popull nuk pasë vetëdije kombëtare në Evropë pse është një fis, një racë barbare e e poshtme; e për këtë punë nuk është në vedvedi, por do t’lëshohet n’dorë të sllavëve të Ballkanit që ta zbusin e ta qytetënojnë.
Por me thanë se arësyeja për të cilën populli shqiptar nuk gjindet ndoj herë përbrenda carkut të njësie kombëtare, do kërkue prej kaviash tjera politike e topografike, e jo prej egërsie e barbarie se si fis , a ma bujar e ma kreshnik se populli sllav i Ballkanit.
Fishta citonte antropologun e njohur të Gjermanisë, Wirkov, i cili, “mbas kthjellimeve patologjike e fiziologjike mbi rreshtna shqiptarësh t’hershëm e t’kësokohshëm ka thanë se rraca shqiptare asht ma fisnike , ma bujare e t’gjithë popujve t’Ballkanit”.
Fishta e argumentonte me poezinë popullore, e cila është sipas tij është “ajo pasqyrë e kjartë , m’t’cilën ma s’mirit lshon hije shpirti i çdo populli”.
Fishta vinte në dukje se Gustav Majeri, profesor i universitetit të Gracit, në një letër dërguar profesor Skiroit, thoshte se “ kurrë nuk i ka takue me lexue një Poezi popullore ma të hijëshme se atë të Shqipërisë”.
Si përfundim, Fishta theksonte: “Për t’u përgjegj fletoreve të Francës se populli shqiptar nuk është një rracë ma barbare se rraca sllave të Ballkanit, n’dorë të të cilëve ata duan qi t’lëshohen shqiptarët për kenë qytetnue, na ktu një herë do t’caktojnë se cilës fazë të historisë Poezia popullore e shqiptarëve dhe sllavëve të Ballkanit si dhe t’cilës trajtë të shoqnisë se njerëzimit i përket njëna e tjetra Poezie. Masandej do t’tregojmë përmbi trajtë të përjashtme të dyjave, për me pa, jo vec shpirtin, por edhe shijen estetike të dy popujve.
_________
Shkrimi mund te shperndahet, por te mos ndryshohet permbajtja sepse eshte i mbeshtetur sipas dosjeve te AQSH.