(Si u vranë Baba Faja e Baba Fejzo)
Deri më 1927 bektashizmi në Shqipëri ka qenë sekt. Atë vit Selia e bektashizmit që ishte në Turqi u mbyll nga reformat e qeverisë turke. Kryeprijësi Niazi Sali Dedej erdhi në Shqipëri dhe ngriti në Tiranë Kryegjyshatën Botërore.
Më 5 Maj 1945 u zhvillua në Tiranë Kongresi IV i bektashinjve të Shqipërisë, ku si përfundim u krijua “Komuniteti Bektashian Shqiptar”. Inisiatorë ishin klerikët e lidhur me regjimin komunist, madje edhe kongresin e bektashinjve e drejtoi njëri prej tyre, baba Mustafa Xhani, i njohur gjerësisht si Baba Faja.
Që në 1944, Baba Faja propagandonte dhe mbronte me këmbëngulje tezën e tij të reformave të bektashizmit, atë të martesës së klerikëve dhe atë të heqjes së petkut fetar. Kundërshtari më i vendosur i tyre ishte Abaz Dedej, i zgjedhur në shtator 1945 si kryegjyshi botëror I bektashinjve.
Pas muajsh të tërë propaganda në radhët e klerikëve Baba Faja ia doli të bindte Baba Fejzon i cili pranoi tezat e tij.
Këshilli i Përgjithshëm i Komuniteetit Bektashian, në mbledhjen e 5 janarit 1947 mori vendim për t’i dhënë dënimin moral disa baballarëve “që ishin arrestuar si elementë reaksionarë dhe që shkonin kundër interesave të Popullit e të Pushtetit të tij”.
Përpos kësaj pike do të propozohej në lidhje me reformat, heqjen e petkut fetar dhe martesa e klerikëve.
Abaz Dedej në fillim nuk deshi të pranonte zhvillimin e një mbledhje të jashtëzakonshme, por këmbëngulja e Baba Fajës, Baba Fejzos dhe mbështetësve të regjimit e detyroi.
Mbledhja vendosi që baballarët e burgosur si tradhëtarë tu hiqeshin petkat dhe ushtrimet fetare përgjithmonë, duke ngarkuar gjyshatat e zonave ku ndodheshin burgjet e ndryshme për ekzekutimin e këtij vendimi.
Propozimin për martesën e klerikëve bektashianë e bëri Baba Faja, por kundërshtimi qe i zjarrtë nga antarët e Këshillit që më vonë votuan kundër, me në krye Abaz Dedenë. Kryegjyshi ngulte këmbë që nuk lejonte statuti për një vendim të tillë, e duhej që të ishte një Kongres i Përbotshëm Bektashian, sepse i bëhej një cënim esencës bektashiane.
U krye një votim nëse duhej futur në diskutim për reformën e propozuar nga Baba Faja, por Këshilli i Komunitetit Bektashian* e rrëzoi.
Megjithë se propozimi i Baba Fajës u rrëzua ai nuk u tërhoq. Krijoi një grup klerikësh të quajtur organizata “BEKTASHINJTË PËRPARIMTARË” dhe bëri udhëtime në teqetë e vendit, si në në Gjirokastër, Përmet, Teqen e Sukës, Memaliaj, Turan i Tepelenës dhe Vlorë.
Organizata kishte si kryetar Baba Fejzon, Nën Kryetar Baba Zejnel Përmetin dhe sekretar Baba Rustemin.
Përpara se të bëhej mbledhja e marsit, Baba Faja, Baba Fejzo, Baba Zejneli dhe Gjysh Rustemi. bënë një mbledhje në kryegjyshatë me kursantët për dervishë dhe u morën firmat e një pjese prej tyre.
Ndërkohë, partizanët që ruanin kryegjyshatën e penguan Dede Abazin të futej në mbledhje, por me këmbënguljen e tij, i bindi.
Dede Abazi iu drejtua Baba Fajës dhe shokëve të tij se “nuk është mirë që të ndahemi por duhet të jemi të bashkuar”. Por Baba Faji refuzoi duke i thënë se faji ishte i tij që nuk ecte në rrugën e re, prandaj, theksoi ai, “ ne kemi vendosur mos të të bindemi dhe mos të respektojmë më si kryegjysh”.
Më 15 mars 1947 mblidhen në shtëpinë e Baba Fejzos njëmbëdhjetë dervishë dhe Baba Faja, Baba Fejzo, Gjysh Rustemi, Baba Zejneli i Përmetit, Baba Qazimi i Plashnikut, Baba Qamili i Osmanzezës, Baba Muçua i Fierit, Baba Xhemali i Luzit të Kavajës dhe Baba Iliazi i Memaliajt. Nga mbledhja u organizua grupi që u quajt “grupi inisjator përparimtar” me kryetar Baba Fejzon, N/kryetar Baba Zejnelin, sekretar Gjysh Rustemin dhe katër antarë, midis të cilëve edhe Baba Faja. Grupi vendosi që të mos kenë më asnjë lidhje me Kryegjyshin dhe të përgatisnin një rezolucion.
Në 18 mars, grupi zhvilloi një mbledhje në dhomën e kursit në Kryegjyshatë për ta caktuar misionarët që do të propagandonin nëpër qarqe për vendimet e grupit. Por, po atë ditë, , Dede Abazi gjeti momentin dhe vrau Baba Fajën, Baba Fejzon dhe veten.
Kështu u mbyll aventura e Baba Fajës dhe Baba Fejzos dhe regjimi nuk e vazhdoi zbatimin e tezave të “reformimit” të bëktashizmit.
____________
*) Këshilli i Komunitetit Bektashian përbëhej prej shtatë klerikë dhe katërmbëdhjetë laikë (civilë). Nga klerikët bënin pjesë: Abaz Dede, Gjysh Ali Gjirokastra (Baba Ali Tomorri, – shënimi im), Gjysh Rustem Melçani, Baba Faja, Gjysh Fejzo Prishta, Gjysh Mustafa Elbasani dhe Gjysh Myrteza Kruja.
AMPB, fondi 4 (Komuniteti Bektashian), viti 1958, dosja 60.