VRASJA E HASAN RIZA PASHËS
(30 janar 1913)
Në seancën e 25 janarit 1913 të Konferencës së Ambasadorëve në Londër vazhdoi debati mbi kufijtë e Shqipërisë e të Malit të Zi midis ambasadorit të Austrisë e të Rusisë, por marrëveshja dukej larg.
Sipas Rappaport, ishin ministria e Punëve të Jashtme te Gjermanisë dhe të Foreign Office, “…që kohë pas kohe u tërhoqën vërejtjen Peterburgut dhe Vjenës, pwr tu mbushur mendjen se, vetëm nga shkaku i ndryshimeve të mendimit mbi kufirin shqiptar nuk ia vlente barra qiranë që të prisheshin marrëdhëniet -austro-hungareze-ruse”.
Gjatë bisedimeve të 29 janarit, përfaqësuesi i Vjenës deklaroi se “… qeveria e tij rezervohej të kishte një qëndrim përfundimtar e të përgjithshëm nga ndryshimet e mundshme në terren”.
Me qëndrimin e Austrisë u pajtua edhe Italia. Lënia e fatit të Shkodrës zhvillimeve të ngjarjeve në fushën e luftës e bëri Malin e Zi të intensifikonte veprimet në këtë drejtim. Duke identifikuar mbrojtjen e qytetit me gjeneralin Hasan Riza Pasha, natën e 30 janarit 1913 ai u vra në një atentat.
Për vrasjen e Hasan Riza Pashës, Gino Berri shkruante:
“… Riza beu mbrëmë ishte për darkë tek Esad Pasha. …Rreth orës 20 valiu u çua duke refuzuar pesë apo gjashtë njerëz që Esad Pasha donte t’i jepte për ta shoqëruar. Atëherë, – tha pashai, – do t’u jap për të shoqëruar oficerin tim të ordinancës. Shkodra ishte zhytur në errësirë të thellë…. Arritën në rrugicën ku ishte selia e komandës. Riza beu falënderoi oficerin: kthehuni, tashmë arrita në shtëpi. I mbetur vetëm bëri akoma disa hapa. Nga një cep dolën përpara tre burra, si tre hije. Ai nuk i njohu dhe i pyeti: Kush jeni? Ku shkoni? Të tre burrat nuk u përgjigjën, gjë që nuk i tërhoqi vëmendjen valiut; mendoi se mund të ishin grekë, shqiptarë, arabë qe nuk njihnin gjuhën turke. Eci akoma, por të panjohurit ishin afruar dhe zbrazën tre pushkë. Riza beu nxori disa fjalë që nuk i dëgjoi askush dhe ra. E gjetën dhe e shpunë në shtëpi…”
Pas pak erdhi Esad Pasha me sy të përlotur, – shkruan Hamdi Ertuna. – Kur e pa Esad Pashën e ftoi brenda dhe urdhëroi t’i bënin një kafe.
Për orët e fundit të Hasan Riza Pashës, Gino Berri shkruante: “Kur ndjeu se po i vinte vdekja, u drejtoi një buzëqeshje të trishtuar oficerëve të mbledhur rreth shtratit të tij, ngriti me vështirësi dorën për t’ i falënderuar për atë që kishin bërë bashkë.
Pastaj iu drejtua Esad Pashës: Ju besoj familjen time. Mos m’i harro. Ju besoj tim bir. Mos i thoni që më kanë vrarë, por që jam vrarë në luftë. I dukej se kështu i biri do të vuante më pak. Donte të fliste akoma edhe pse forcat po e linin iu drejtua përsëri oficerëve duke u thënë: Betohuni se do të mbroni atdheun deri në vdekje. Oficerët u ngritën në këmbë, rreth shtratit të tij, i bënë nderimet komandantit të tyre që po vdiste dhe u betuan”.
Sipas Gino Berrit, nuk ishte hera e parë që qëllohej mbi gjeneralin. Një mbrëmje, ndërsa kthehej nga Shiroka, pranë pazarit dëgjoi të shtëna pushke mbi rrugë. Një prift katolik, për vrasjen e Hasan Riza Pashës, shkruante: “Duket pra se ata dy të panjoftun kan kenë t’shtym proje Malit t’Zi për me e vra”.
“Kjo vrasje në një qytet të rrethuar, e kryer nga një prej banorëve të këtij qyteti të cilën ai po e mbron”, – shkruante në ditarin e saj Hortense von Zambaur, – “është diçka që të prek thellë në shpirt”.
Oficeri italo-arbresh, Eugenio Vaina, shkruante: “Këtij gjenerali turk, një ditë Shqipëria e lirë duhej t’i bënte një monument”.
______________
Shkrimi është bazuar në :
1- Alesandro Duce, L’Albania nei rapporti italo-austriaci 1897-1913, Milano 1983, p. 316.
2- Gino Berri, “Assedio di Scutari”, Milano 1913, p. 166 – 167.
3- Hamdi Ertuna, “Mbrojtja e Shkodrës dhe Hasan Riza Pasha”, Tiranë 2006, f. 53.
4- Hortense von Zambaur; “Rrethimi i Shkodrës (10 tetor l912 – 22 prill 1913)”, Ditar, Shtëpia botuese “Camaj-Pipa”, Shkodër 2006, f. 54.
5- Eugenio Vaino. “La Nazione Albanese”; Catania 1917, p. 89.
6- AQSH.,fondi 132, viti 1913, dosja 11, fl.12.