(Sipas Petrajev, antar i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit)

Dihen tashmë dobësitë e qeverisë së Ismail Qemalit, të konstatuara edhe nga mbështetësit e tij, por nuk janë zbardhur plotësisht qëndrimet e anëtarëve të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK), të caktuar nga Fuqitë e Mëdha për të bërë organizimin dhe funksionimin e shtetit të ri shqiptar.

Në një raport të Komisarit Petrajev që mban datën 5 dhjetor 1913, midis të tjerave lexojmë se kur u krijua qeveria e Ismail Qemalit ajo kishte në përbërjen e saj edhe disa bejlerë. Por kjo vazhdoi për një kohë të shkurtër, “me qenë se Ismail Qemal bej filloj të çfaqë hapur qëndrimin e tij jo miqësor kundrejt pronarëve të mëdhenj të tokës”.

Në fund të vitit 1913, nuk kishte në qeverinë e Ismail Qemalit asnjë përfaqësues të pronarëve të mëdhenj të tokës dhe kjo, sipas Petrajev, përbënte anën më të dobët të politikës së brendshme të Ismail Qemalit dhe ndoshta për së shpejti do të shkaktonte rënien e tij.

Për shkak të qëndrimit armiqësor që mbanin disa bejlerë kundrejt qeverisë së Vlorës, Ismail Qemal Beu nuk vonoi ta zhvendoste luftën politike dhe “duke përfituar nga pushteti, filloj të ndjekë dhe çdo mënyrë të shtypë kundërshtarët e tij”.

Sipas Petrajev, “Ismail Qemali ngriti çështjen gjoja të zaptimit të pa të drejtë prej disa bejlerëve të tokave shtetërore”.

Komisione të veçanta “që ishin formuar kryesisht nga personat armiqësorë me bejlerët, u paraqitën për të konstatuar posedimin pa të drejtë dhe nxjerrin pronarët nga shtëpitë e tyre, duke i lënë të drejtohen gjyqit, i cili gjindet nën influencën ekskluzive dhe nën shtypjen e antarëve po të asaj qeverie”.

Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit mori disa ankesa për këto veprime të Ismail Qemalit. Sipas KNK, bejlerët ndërprenë marrëdhëniet me qeverinë e Ismali Qemal Beut dhe “krijuan një lloj lidhje patriotike, e cila vuri qëllim ta rrëzojë”. Gjithnjë sipas Petrajev, pjesëmarres aktiv në agjitacionin kunder ishte delegati shqiptar Mufit Bej Libohova dhe “me qenë se bejlerët paraqitin në Shqipëri një klasë të vetme pak a shumë solide intelektualësh të lidhur me tradita të njohura”, lufta kundër tyre e vinte Ismail Qemalin “në pozitë shumë të vështirë ”.

Petrajev vazhdonte: “Duke e rrethuar veten me ministrat që dolën nga shtresat e ulëta të popullsisë, kryetari i qeverisë së Vlorës njëkohësisht nuk i përfill ata dhe vepron në mënyrë të pavarur në çështje të rrethit të tij, në krye të të cilit e vuri fati.

Duke ndjerë, “se ay gjithnjë më tepër humb terrenin nën këmbët, dhe duke patur frikë nga atentatet për jetën e tij, ay merr masa të jashtëzakonshme për mbrojtje të personit të tij. Duke mos pasur besim në banorët e vendit për të organizuar këtë çështje, ay ka ftuar në shërbim shqiptarët e Veriut (gegët) dhe vuri në krye të tyre hajdutin e njohur Isa Boletinin, së cilit i paguan afërsisht 300 lira turke në muaj për mbajtjen e një roje të posaçme…”

_____________

AQSH, fondi Koleksion dokumentesh para vitit 1912, dosja 1216, f. 176-178; Depeshë e Komisarit në Shqipëri 5 dhjetor 1913, Nr. 31. Nënshkruar Petrajev.

error: Content is protected !!