(Konica kërkonte një princ turk në krye të Shqipërisë)

Faik Konica, pa asnjë dyshim, ka qenë shqiptari më i kulturuar i kohës së tij, që ka dhënë kontribut të madh në jetën kulturore dhe politike. Që në moshë të re ai mori një sponsorizim nga Austro-Hungaria dhe drejtoi gazetën Albania. Në letrën që i dërgonte një zyrtari të lartë austriak, më 23 korrik 1904, ai shkruante se me këtë subvecion do të arrinte katër qëllime:

1- Zhvillimin dhe kultivimin e gjuhës shqipe; 2- Krijimin e një atmosfere të favorshme për influencën austriake duke i dhënë të kuptonte popullit shqiptar se ai mbahej nga Austria; 3- Krijimin e opinionit jashtë se shqiptarët ishin në favor të Austrisë dhe 4- Asgjesimin e çdo influence italo-shqiptare që mund të dëmtonte orientimin e mësipërm.

Sipas Konicës, influenca e italo-arbëreshëvë po bëhej një armë e dyshimtë në duart e Italisë.
“Unë nuk kam vuajtur”, – vinte në dukje Konica, -“ veçse kur sulmonin politikën tuaj edhe në bisedimet e veçanta, këtu e ka burimin historia e gjithë grindjeve të mia. Të gjithë bashkëatdhetarët e mi, me të cilët i kam prerë marrëdhëniet si dhe Alandron (Alandro Kastrioti, – shënimi im), mbanin tendenca armiqësore ndaj influencës austriake dhe unë në asnjë mënyrë nuk kam bërë lojë të dyfishtë…”

Qysh në fillin, Konica ishte kundërshtuar ashpër nga Sami e Naim Frashëri, sepse sipas tyre, ai, “herë përkrahte alfabetin frëngjisht e herë kroatisht, herë turqisht e herë arabisht”.

Faik Konica nuk mori pjesë në Kongresin e Manastirit, për shkak të konflikteve me Qirjazin. Konica mbështeti Nolin për krijimin e kishës shqiptare, ndërsa Qirjazi, sipas Faik Konicës, punonte për t’i bërë të gjithë shqiptarët “agjentë të Bibles”.

Në 1914, si gjithë elita politike dhe intelektuale e kohës, Faik Konica mbështeti Princ Ëiedin, por vetëm disa muaj më pas do të ishte ndër kundërshtarët më të ashpër të tij.

Dështimi i Princ Ëiedit dhe shfarosja e mijëra shqiptarëve myslimanë, krijoi pakënaqësi të madhe ndaj princit dhe protektorëve të tij. Intelektualë të njohur po mendonin jo vetëm për daljen nga lufta me sa më pak dëme, por edhe për sovranitetin e ardhshëm të Shqipërisë.
Në krye të një komiteti mbikëqyres, që kishte mbështetje veçanërisht tek studentët myslimanë, u vu Faik Konica. Jemi të lumtur, – shkruante ai, – “se nuk na ka dalë asnjë kundërshtar me përjashtim të Syrja beut”.

Konica ndërmori disa udhëtime në Budapest ku u takua me Armand Sasvarin, një gazetar i vjetër e shumë i njohur, të cilit i tregoi për gjendjen e Shqipërisë dhe kërkoi ndihmën e tij.
Pasi u kthye në Vjenë, u thirr në ministrinë e Punëve të Jashtme dhe ministrinë e Luftës. “Më pritën me korrektësi po edhe me ftohtësi të theksuar, – shkruante Konica. – Nuk treguan vullnet për të pranuar shpejt pikëpamjen tonë, megjithatë nuk u treguan edhe kundërshtarë”.

Pas një udhëtimi të dytë e kërkuan përsëri në ministrinë e Punëve të Jashtme. Konica e përshkruan kështu takimin:

“…Atje m’u ankuan për propagandën gjithnjë e më të madhe të bërë nga ana ime për një princ turk dhe pas shumë fjalëve të bukura, të përziera me ndonjë frikësim të mbuluar lidhur me të ardhmen time në Shqipëri, m’u lutën që unë të hiqja dorë nga ky agjitacion; gjithashtu më siguruan se … ishin krejtësisht në favor të pavarësisë së Shqipërisë, por që të shtrohej që tani çeshtja e një mbreti të ardhshëm do të thotë të krijosh një gjendje shpirtërore nga e cila mund të përfitojë vetëm Italia e Antanta”.

Konica i kishte sqaruar se ata kishin kërkuar që “… me ndihmën e Austro-Hungarisë dhe të aleatëve të saj, të zgjidhet problemi i mbretit shqiptar ashtu siç është vullneti i vetë këtij populli, se na jemi të bashkuar me Turqit me lidhje fetare, me anë te një kryetari feje të përbashkët, gjithashtu me anë lidhjesh familjare dhe krushqish të vazhduara gjatë pesëqind vjetëve dhe se, si rrjedhim, ishte e natyrëshme që na sytë t’i kishim nga Stambolli”.
Ai i siguroi se qeveria turke nuk i kishte nxitur kurrë në këtë drejtim dhe se vetëm ata e kishin marrë një iniciativë të tillë duke menduar se do të kishin të gjitha arsyet që të besonin “se Fuqitë Qendrore do ta kishin shikuar me sy të mirë këtë veprimtari…”

Ndonëse Austro-Hungaria nuk e mbështeste projektin e komitetit në fjalë, Faik Konica udhëzonte miqtë e tij që “atyre duhet t’u sillemi urtë e butë dhe jo me të egër pse kështu nuk do të kishim asnjë mundësi suksesi”.

Austriakët ishin aq të ndjeshëm lidhur me çështjen e ardhjes së një princi turk në Shqiperi “… sa që edhe shfaqja e një mendimi të tillë quhet vepër armiqësore”, dhe, për të treguar se ata nuk i lejonin askujt që të merrej me këtë çështje, qeveria dërgoi policinë për të kontrolluar banesën e Konicës në qytetin e Badenit.

Faik Konica do të zhgënjehej përfundimisht nga sponsorët e dikurshëm austriakë, kur ata hynë ushtarakisht në Shqipëri.
Sipas Konicës, ato ditë në Shqiperi u arrestuan shumë oficerë myslimanë dhe pesë prej tyre u ekzekutuan Natyrisht, – theksonte ai, u gjet edhe shkaku… “ata kishin patur simpati për Turqinë”.

Ekzekutimi i oficerëve myslimane kishte përhapur tmerrin, e kjo, – theksonte Konica, – ka rritur natyrisht numrin e atyre që jane gati të blejnë sigurimin e jetës së tyre.

Ajo që ka mjaft rëndësi, – shkruante Konica, – është se disa oficerë austriakë, të ndihmuar nga ndonjë shqiptar, kanë krijuar një organizatë të madhe hakmarrëse dhe duhet që të paguash mirë që të mund të shpëtosh.

Faik Konica jepte një ide të korrupsionit që kishte përfshirë ushtrinë austriake, e cila kishte pushtuar Shqipërinë:
– Çdo njeri që udhëton për në Shkodër duhet që në Kotorr të japë një bakshish 60 koronash në rast se do të vazhdojë udhëtimin.
– Në Shqipëri, një lirë turke prej floriri këmbehet nga austriakët për 22 korona letër, një napoleon flori me 19 korona letër, – gjë që asht një vjedhje e qartë, sepse në Vjene një lirë turke vlen 32 korona dhe një napoleon mbi 30 korona.
– Kur qeveria blen ndonjë gjë nga fshatarët, këta i paguan me para austriake letër, po me këtë monedhë ata nuk mund të blejnë asgjë nga qeveria, e cila nuk pranon veçse para flori. Bile vet Dega e Bankës Austriake në Shkodër nuk pranon korona austriake.
– Qeveria i jep popullit dy kg misër dhe kërkon si pagesë pesë kg vaj. Ka edhe raste të tjera, por këto mjaftojnë.
Në qoftë se në Shqipëri austriakëve nuk u ka mbetur asnjë mik, – vinte në dukje Konica, – faji është i tyre. Madje edhe vet katolikët janë tani kundra Austrisë. Dhe kjo në një kohë kur Italia po përgatitet të pushtojë Vlorën. Vetëm ndikimi i Turqisë do të shpëtonte këtë gjendje, por qeveria austriake që nuk e ka të qartë këtë gjendje nuk do t’ja dijë për një ndikim të tillë nga ana e Turqisë, qeverinë e së cilës e quan të dobët dhe jetëshkurtër”.

Në krye të Federatës Panshqiptare “Vatra”, Faik Konica refuzoi propozimin për bashkim, bërë nga shoqëria “Atdheu”, pasi kjo e fundit ishte për vrasje të kundërshtarëve politike, ndërsa “Vatra” ishte për modelin amerikan të të bërit politikë: debate publike dhe luftë politike.

 

error: Content is protected !!