– Na ke turpëruar, Meri, – iu drejtua sekretari antares së partisë, e thirrur enkas në komitet. -Ti e di direktivën e komandantit: asnjë djalë të mos martohet me vajzat e kulakëve, ndërsa ti bën dashuri me armikun e klasës.
– Burri yt ka rënë për Partinë, – ndërhyri shefi i organizimit, ndërsa ti shkel idealin e tij! -Të kemi thirrur të dorëzosh dokumentin e partisë, se ke bërë shkelje të rëndë.
– Unë e dua, u përgjigj Meri, ai është djalë i mirë, edhe fëmijën tim do ta rrisim bashkë. Pastaj… unë nuk marr kulakun për burrë, unë marr të birin. Jam e varfër, si do te jetoj unë, si do ta rris fëmijën?
– Nuk lejohet, – ia preu shkurt Cifja, një anëtar byroje. – Ne po i izolojmë armiqtë për t’i zhdukur, ti kërkon të martohesh me ta. Të bësh dhe fëmijë me të! Na thua se do të më rrisë fëmijën! Si mund ta edukojë armiku fëmijën e shokut tonë?! -Ta përjashtojmë menjëherë nga partia.
Sytë e të treve u përqëndruan tërë lakmi mbi fytyrën dhe gjoksin e Merit. Nga jeta e vështirë, dukej dhjetë vjet me madhe se mosha e saj reale, por ende e ruante bukurinë.
– Do të të përjashtojmë, Meri, – vendosi sekretari, po partia këtu është… Po të reflektosh, vendosim ndryshe… Do të të gjejmë ndonjë punë… Mendohu mirë.., partia të do të mirën…

error: Content is protected !!