Pas vitesh të tëra në kurbet, shumica e djemve filluan të ktheheshin. Ca për tu martuar e ca se ishin lodhur, por ç’është e vërteta njerëzia u gëzuan.

Më në fund, – thanë, – ia hodhëm, tërë këta djem do të na letësojnë hallet dhe do të na nderojnë. U gëzuan edhe ata të komunës se, më në fund, do të emancipohej populli, pasi që, djemtë kishin parë botë me sy.

Pa mbushur muaji, ata më të mençurit i thirri kryetari.

Që të mos e zgjasim, pasi u uroi mirëseardhjen dhe u foli për prapambetjen e zonës, i pyeti me radhë se çfarë mund të bënin bashkë në të mirë të popullit.

Folën të gjithë, por siç dukej kryetari nuk mbeti i kënaqur. Do të takohemi prapë, – u premtoi.

Në fakt, thirri pleqësinë dhe këshillin e komunës. Të gjithë prisnin lëvdata për djemtë.

-Zotërinj, – i’u drejtua kryetari,- djemtë tanë nuk e kishin mendjen për të ndihmuar, por për të zhvatur. Nuk i kanë ruajtur as traditat që morën me vete, por andej na kanë sjellë veset. Nuk dua t’u lëndoj, por të mos shpresojmë. Po ua them troç: ata nuk kanë mësuar hiç, më vjen keq ta them, por qënkan kthyer kërriçë.

error: Content is protected !!