Deri në gjysmën e parë të vitit 1943, Partia Komuniste nuk po futej dot në krahinën e Dëshnicës, në Përmet. Arsyet ishin disa, por në atë krahinë ishte krijuar një shtresë e gjërë patriotësh që kishin marrë pjesë në luftëra për mbrojtjen e territoreve shqiptare dhe se ata pak komunistë në Përmet ishin pa autoritet dhe nuk merreshin seriozisht.

Në maj, çetat partizane të komanduar nga Mestan Ujanikut vajti në krahinë për të formuar këshillat nacional-çlirimtare dhe punë të tjera organizative. Mirëpo, e gjithë krahina u mobilizua dhe i detyroi çetat që të largoheshin.

Për tu future në Dëshnicë, PKSH u mbështet tek disa ish oficerë të xhandarmërisë nga Skrapari si Xhelal Staravecka e ndonjë tjetër. Në fillim të qershorit 1943, Xhelali shkoi në Dëshnicë për tu takuar me miqtë e tij dhe për të aktivizuar ish aspirantin e xhandarmërisë, Abdyl Harka. Nuk iu dëshën shumë ditë për të njohur gjendjen në krahinë, për të cilën I raportoi Qarkorit të Gjirokastrës të PKSH.

Midis të tjerave, Staravecka shkruanate: “ …Kisha ardhur në rajonin e Dëshnicës, natyrisht për të mundur të ndërhyjmë në këtë krahinë… Mbasi më kishin kërkuar hyra në këtë rajon, natyrisht për marrëveshje dhe të mundnim të bënim një farë bashkimi ku dhe vet disa nga parija e këtij rajoni e dëshironin. Sadoqë kjo krahinë varet kryekëput prej Ali Këlcyrës po ndodhet çetë partizane që komandohet nga Feti Bubësi dhe komisar politik Dashnor Mamaqi. Mirëpo komisari politik shoku Dashnor çdo orë që kalon bën nga një gabim kolosal që nuk ka ilaç ta shëndoshë.

Më tridhjetë e një të majit shkon te Cene Xhunga dhe atje, në dyqanin e tij, e ngushëllon për vrasjen e Dervish Mekos dhe Cene Xhunga i hidhëruar pse me anën e këtij ngushëllimi konsiderohet si bashkëpunetor i Dervishit preket dhe i a nisin shamatës. Vet Cene Xhunga më tha se neve edhe sikur të duam të afrohemi te Juve, juve na largoni duke na përcaktuar si spiunë.

Më datën dy të këtij muaji ndodhemi në katundin Vinokash si çeta dhe unë; shokët që kishin qënë të ngarkuar me aksionin e Dervish Mekos kur vinë në atë mëngjes të takohen me çetën hedhin një bombe dhe me vonë kërcet batarja me keq se luftë, sa alarmohet katundi dhe gratë fillojnë kujen. Për këtë të pa pritur burrat e katundit rrëmbyen armët dhe s’dinim ç’tu thoshim popullit. Jo vetëm alarmuan popullin por dolli dhe konspiracioni i aksionit.

Më datën katër të këtij muaji Dashnori del nën katundin Goricë dhe ndalon një maqinë civile ngarkuar me misër për popullin e kësaj krahine dhe e konfiskojnë e ndajnë në popull pa asnjë farë kriteri duke i dhënë dikujt dy kuintalë dhe dikujt një kuintalë.

Ky aksion ka ngjallur urrejtjen në çetën, pse po e thonë haptazi që ky veprim ashtë luftë klasash. Misri vinte për popullin e këtij rajoni dhe i drejtohesh tregtarit Veli Kuqarit i cili deklaron se ky dëm më ashtë bërë mua pse dhe në mos paça paguar do ta paguaj mbasi neve kemi marrëdhënie me bangën. Ky aksion ka ashpërsue jo vetëm kundërshtarët të cilëve u kemi dhënë brumë në dorë, por edhe pjesën tjetër që e kemi tonën.

Më datën pesë të këtij muaji, çeta duke udhëtuar për në drejtim të Kosinës u ndalua në katundin Mërtinjë për ngrënë drekë. Atje katundari Kapo Saliu u thotë se ç’bukë doni t’u japim kurse juve, misri që vinte për neve për të marrë ndonjë qillo ose dy, e zutë në udhë dhe ja u dhatë pazarakëve që nuk kishin ndoshta nevojë dhe neve na kini lënë pa bukë. Këto fjalë i a raportojnë partizanët komisarit, shokut Dashnor, ai menjëherë dërgoi dhe e thërret me përdhuni dhe i thotë se ti je kollonë e pestë dhe si të tillë je i dënuar me vdekje, fol ç’ke për të folur se pesë minuta afat ke. Ky kërcënim alarmon tërë katundarët të cilët muarën masa mbrojtje se u mbush mendja që çeta do ta pushkatonte.

Sot me gjashtë të këtij muaji ndodhesha te Ibrahim Bënja për të biseduar politikisht rreth bashkimit për luftën nacional-çlirimtare, mirëpo kundërshtimi i tij i parë ishte aksioni i misrit dhe sidomos çështja e ngjarë dje në katundin Mërtinjë në mes të komisarit dhe Kapo Saliut nga ai katund duke thënë se juve dënoni pa asnjë farë arsye me vdekje dhe në këto fjale tha se kam këtu dhe Kapo Salinë me gjithë katër të tjerë që duan të ankohen. Katër të tjerët ishin: Isa Mustafaj, Tako Pashua, Hysen Elezi dhe Halim Mediu. Të pesë erdhën dhe deklaruan sikurse kam raportue më lart.

“Partija pret prej çetës dhe përgjegjësit politik afrimin e popullit, – theksonte Xhelal Staravecka, – “ne prej gabimeve të komisarit jo vetëm nuk mundim t’a afrojmë popullin por aq më tepër i bëhemi gogol dhe na shikon me urrejtje sikurse duhet të shikojë një fashist”. Staravecka i propozonte qarkorit që pasi të hetonte mirë për sa kishte raportuar ai, të zëvendësoheshin krerët e çetës nga ajo krahinë dhe të zëvendësohej me shok tjeter të pjekur dhe të provuar “se puna këtu është me delikate se në çdo vend tjetër. Ndryshe do të kemi një reaksion edhe më të madh se ky qe kemi sot”.

Xhelal Staravecka tërhiqte vëmendjen se Ali Këcyra “po organizohet, simbas informacioneve që kam marrë nga një person i afërm i tij, për të goditur ja fuqinë e Kuqarit që bën fortifikime, ja Permetin. Këto i bën me qëllim se dhe neve ballistat luftojmë kundra armikut dhe kështu nuk është nevoja të lidhemi me të tjerë luftëtarë, ose partira të tjera mbasi të njëjten punë do të bëjmë dhe neve, luftë për të çliruar atdheun nga armiku që na ka zaptuar. Kështu që të na eskartojë fare nga ky rajon duke bërë dhe luftën tashti së fundi për ta monopolizuar këtë krahinë”.

 

A.Q.Sh, fondi 17, viti 1943, dosja 12, fl. 23/1, 23/2. Letër e Xhelal Staraveckës, datë 6 qershor 1943, dërguar Komitetit Qarkor të Gjirokastrës të PKSH.

error: Content is protected !!