Lufta kundër “armikut të klasës” ishte themeli mbi të cilën ishte ngritur ngrehina e shtetit komunist. Zëmërbutësia që mund të kishin komunistë të ndryshëm kritikohej, madje edhe dënohej për oportunizëm.

Byroja e komitetit të partisë në Ersekë kritikonte organizatën e partise në Helmës, pasi që “kulakun Mehmet Helmësin në vend që t’a demaskonte dhe veçonte nga masat e popullit, ajo e preferonte si patriot të mirë duke e venë në krye kur organizonte ndonjë mbledhje fshati”.

Po kështu, kritikoheshin komunistët për zbutje të luftës së klasës. Zbutja e luftës së klasave ka arritur deri në shokët tanë, – tërhiqte vëmendjen udhëheqja e partisë në rreth. Shoku Jonuz R… fejohet me të bijën e kriminelit Ali B… dhe shoqja Fatiko N… fejohet me armikun që dje doli nga burgu Skënder B…Sekretari i organizatës së Radovickës shoku Demir M… martohet me të bijën e kriminelit Hajredin O…etj.

Qendrime oportuniste ka edhe nga disa shokë me përgjegjësi në pushtet, – theksonte raporti i byrosë. Shoku Vangjel Toli vete ha dreka dhe darka tek kulaku Mehmet Helmësi, shoku Peçi Nako (shef finance) pranon meshë në zyrë nga prifti reaksionar i Bezhanit. Ish sekretari i organizatës bazë të Qafëzezit, shoku Dhori Guri, i jep bereqet kulakut për të mos hyrë në burg se nuk kishte larë detyrimet të gjitha…; sekretari i organizatës bazë Gostivisht shoku Margarit Xhuli i jep bono për të tërhequr bereqet në ndërmarrje një armiku, shoku Axhem Bajrami nga Helmësi zbraz pushkën në shenjë gëzimi për djalin që i lindi kulakut…”

Nën nxitjen e partisë, militantët e saj godisnin ata që kishte skeduar Partia si armiq të saj. Në raport jepeshin shëmbuj për tu ndjekur: “ Ne Leskovik populli vet demaskoi Neim Rusin, Xhevat Bibin, Kolaq Kozman etj. si kundërshtarë të pushtetit dhe si elementë të padenjë dhe armiq që nuk e meritojnë të hyjnë në radhët e frontit”.

______________

AQSh., fondi 14/AP/STR, viti 1951, dosjet 50.

error: Content is protected !!