Conrad (shef i Shtabit Madhor të Austro-Hungarisë), i shkruante ministrit të Jashtëm, Berchtold; 8 shkurt 1913 . Fare konfidencial.

“… Jam i mendjes dhe tashti se Monarkija do të hyjë në luftë kundër Serbisë, sepse me madhimin e këti shteti shoh një rrezik të madh për Monarkinë, i cili rrezik sa më tutje të shtyhet aq më e vështirë do të jetë zhdukja e tij. Besoj se bile çeshtja e caktimit të kufijve të Shqipërisë në dashtë Monarkija të mos prapset, do të na shpjerë në konflikt me të.

Në ardhtë puna për luftë, atëherë është me rëndësi tepër të madhe, që ushtritë serbe të lidhen nëpër një kryengritje shqiptare. Prandaj kemi ndërmend që t’u japim shqiptarëve armë. Për këtë gjë kemi caktuar 12000 pushkë. Kuptohet vetëm se këto s’duhen dërguar në Shqipëri para kohe, se po të pëlcasë kryengritja pa kohë do të jetë më kot e s’jep dobi. Por për të provuar rrugën, nëpër të cilën do të jetë përgjithësisht e mundëshme që të dërgohen armët dhe për t’u provuar shqiptarëve jo vetëm me fjalë të thata, por dhe me një fakt, se duhet të besojnë që Austro-Hungaria do t’i përkrahë. Kemi vendosur të dërgojmë që tashti një sasi të vogël të pushkëve në fjalë; megjithatë këto sot për sot gjenden hala brenda tokës së Monarkisë.

Sa për thyerjen e neutralitetit, kemi marrë shumë lajme që na e provojnë se shtetet e tjera e sidomos Rusija e Franca s’e vënë aspak ujët në zjarr e bile dhe Italia që prej shumë kohe ka nisur të futë në Shqipëri kontrabandë armë, sidomos pushkë e municion dhe bile nga armët e mëdha më të fundit. Po këto ditë na kanë ardhur lajme fare të reja se nga Odesa po dërgon Rusija për në Tivar topa të mëdhenj e gjyle, që mund të përdoren për të shkelur Shkodrën, që s’i jep dorë Monarkisë kurrësesi”.

error: Content is protected !!