Në 1963, njëri nga krerët e emigracionit politik shqiptar, Ali Këlcyra, bëri një vizitë në SHBA dhe Kanada, i ftuar nga Balli i atjeshëm, për të bërë bashkimin e emigracionit politik. Pas një qëndrimi katër mujor ai u kthye në Romë, ku informoi shokët e tij për aktivitetin e zhvilluar, ku midis të tjerave kishte marrë pjesë në ceremoninë e përvjetorit të “Vatrës”, për takimin e zhvilluar me Fan Nolin dhe funksionarë të Departamentit të Shtetit e të tjerë. Janë me interes edhe për sot ato çfarë thoshte Ali Këlcyra që në 1963, në lidhje me politikëen e SHBA, Bashkimit Sovjetik, Italisë dhe Jugosllavisë në raport me Shqipërinë. Interesante ishin parashikimet e tij, në rast se do të binte regjimi komunist në Shqipëri.

Gjithë aktiviteti i Ali Këlcyrës i’u përcoll regjimit të Tiranës nga një bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit në radhët e emigracionit. Ja çfarë i raportonte burimi “82”: Në një bisedë e sipër Ali Këlcyra ka thënë: “Shokët e mij të Ballit kishin kohë që kërkonin që të vija në Amerikë. Kështu vitin që kaloi shokët mblodhën të holla dhe mi dërguan. Atje qendrova afërsisht 4 muaj. Atje arrita vetëm bashkimin e Ballit me Hasan Dostin. Në kohën që unë ndodhesha atje mbahesh kongresi i Legalitetit. Shokët atje më shëtitën në koloninë shqiptare të vjetër e të re, vajta edhe në Toronto të Kanadasë. Kudo që vajta predikova bashkimin e grupeve të emigracionit, sepse në këtë mënyrë do të paraqitemi të fortë. Më ftoi atje edhe shoqëria “Vatra” e Bostonit për të marrë pjesë në ceremoninë e 50 vjetorit të shoqërisë “Vatra” dhe të Indipendencës shqiptare.

Biseda me Fan Nolin

Më parë se të vija në ceremoni kërkova të takohesha me Fan Nolin, tek i cili vajta bashkë me Kristo Thanasin. Me Fan Nolin qëndrova rreth 3 orë e gjysëm dhe e hëngrëm drekën me të. I thashë atij se është shkaktar i ardhjes së Zogut në Shqipëri dhe i gjendjes së sotme në Shqipëri. Prandaj duhet të bëjmë çmos që të bëjmë bashkimin e gjithë shqiptarëve me në krye juve, të luftojmë qeverinë e Tiranës që po e vret popullin, i cili nuk ka të hajë, i mungon veshmbathja e mbi të gjitha liria. Nga gabimet politike që juve bëtë atëherë u bë e mundur të fitojnë të kuqtë në Shqipëri, e neve nacionalistët kemi dalë në rrugët e mërgimit. E mbani mënd mirë se kur na thoshe në Tiranë se duhet të bëjmë politikë me Italjanët neve quajtën se Fan Noli ishte filoitaljan dhe zgjodhën Xhafer Ypin dhe pas një kohe zgjodhëm përsëri hirësinë tuaj. Fan Noli u përgjegj kështu: “ Populli shqiptar është populli më liberal i botës se kur kisha dy pëllëmbë mjekër e me kryq të madh hedhur në qafë më zgjodhën kryeministër duke qënë shumica mysliman, prandaj e them se populli shqiptar është populli më liberal në botë dhe do ta them përsëri”.

Kur juve ju zgjodhëm kryeministër, hirësi, i pari që ka kundërshtuar ka qenë Luigj Gurakuqi, duke thënë që nuk është e mundur që një episkop të zgjidhet në këtë post pasi shumica e popullit është mysliman. Në këto rrethana neve sqaruam faktorët myslimanë dhe parinë e tyre duke u thënë se është e nevojshme që Fan Noli të jetë kryeministër pasi do ta zgjedhë problemin e kombit më mirë dhe do ti dëgjohet fjala në shtetet e Evropës që janë kristiane.

Por ne nuk menduam fare se do të vazhdonit politikën ruse në atë kohë e cila detyroi shtetet evropiane të marrin masa duke vënë Jugosllavinë në lëvizje, e cila solli në Shqipëri Zogun. Këto gabime duhet të jenë bërë mësime, prandaj sot të bëjmë një bashkim të gjithë emigracionit.

Fan Nolit i ndryshoi pamja e fytyrës nga ato që unë i thashë. Por mejtimet e tij janë po ato që ka pasur. Është demokrat i së majtës, por neve në atë kohë nuk ishim në gjendje të zbulonim mendimet e tij.

Fan Noli ka edhe një send tjetër që aspiron. Shumica e shqiptarëve që venë e falen në kishën e tij janë pro Enver Hoxhës, dërgojnë të holla e ndihma, venë në Shqipëri e tjera. Në rast se Fan Noli do të bëjë një lëvizje kundra Tiranës, atëherë të gjithë do të largohen nga kisha e tij dhe kanë për të vajtur me Lipen, për të cilin thonë se është fillo grek, por nuk duhet të jetë e vërtetë, pasi ka mundësi që këta ja thonë që të mos i venë shqiptarët. Fan Noli ka tetë kisha, ndërsa Lipe vetëm katër.

Në fjalën që mbaji Fan Noli në ceremoninë e “Vatrës” më kritikoi mua duke thënë: “Më thanë disa miq të mij të vjetër e të rinj që të bëjmë një mur rreth e rrotull Tiranës, e pastaj ti vëmë zjarrë e ta djegim. Kjo nuk ka mundësi që të bëhet kurrë”.

Në fjalimin që mbajta unë i thashë se nga bisedimet që bëmë në shtëpi nuk mendova që juve të flisnit kështu në ceremoni. Megjithatë kur u larguam nga ceremonia, unë i dhashë dorën, ndërsa Vasil Germenji nuk ja dha. Është e vërtetë që në sallën e ceremonisë nuk kanë vënë portretin e Ismail Qemalit, kjo pasi Fan Noli mendon se ai ka dhënë më shumë për Shqipërinë se Ismail Qemali. Ai thotë se e ka bërë Shqipërinë, e ka mbrojtur dhe e mbron nga çdo rrezik, ndërsa ngritja e flamurit i duket pak. Këto pëshpëritje u bënë pas ceremonisë ndërmjet antarëve të shoqërisë. Nga Fan Noli unë njoha ata senatorë që morën pjesë në ceremoninë e Vatrës.

Takime në Departamentin e Shtetit

Unë vajta në Departamentin e Shtetit dhe bisedova me disa funksionarë dhe u thashë se duhet të interesohen për çështjen e Shqipërisë. Më thanë se Amerika nuk mund të bëjë asgjë kundër regjimit në fuqi, as ndërhyn në punët e brendshme, as që e ndihmon. Në qoftë se ndodh një lëvizje brenda, atëherë mund të ndërhyjë në Kombet e Bashkuara për të ndërhyrë ata, po jo drejtpërdrejt Amerika, sepse kjo nuk duhet me një shtet të vogël si është Shqipëria. Juve shqiptarëve ju mungon bashkimi si pikë kryesore për të nesërmen që të mund tu japim ndihma indirekt. Mblidhuni, bashkohuni e zgjidhni një kryesi që të përfaqësojë gjithë partitë e elementin pa parti, kështu neve do t’ju ndihmojmë, po jo me materiale luftarake. Me një fjalë, Amerika nuk bën as më të voglën ndërhyrje për çlirimin e Shqipërisë nga komunizmi, kështu që nuk kemi asnjë shpresë për një të ardhme në Departamentin e Shtetit, ku është një grek, e çpret të bëjë një grek për çështjen shqiptare.

Politika italiane ndaj regjimit komunist

Unë shumë herë në Romë vete në Ministrinë e Punëve të Jashtem Italiane dhe bisedoj me funksionarë të ndryshëm, të cilëve u them që të interesohen për çlirimin e Shqipërisë. Ata më thonë se s’kanë ç’farë të bëjnë kur emigracioni është i shpërndarë (përçarë), bashkohuni e pastaj ejani të bisedojmë. Kur më thonë kështu sikur më bjenë me shuplakë, pasi bashkimi na mungon. Edhe Italia është roja e Enver Hoxhës përtej Adriatikut.

Një herë një farë Skënderaj foli keq në radio të Xhulias kundër Tiranës, e cila i dha një notë të rreptë Romës, kështu ata brenda 24 orëve pushuan nga emisioni shqip Skënderaj, Eqrem Beun (Vlora) dhe vajzën time. Italia nuk don që ti prishi qejfin Enverit as për gjënë më të vogël. Ata duan një Shqipëri siç është sot e lidhur me Kinën e jo me rusët e sidomos me jugosllavët. Italia nuk jep asnjë vizë për jugosllavët që të hyjnë në Itali. Asaj i bëhet qejfi që Shqipëria është prishur me Jugosllavinë e Greqinë, prandaj i jep çdo ndihmë që të kërkojnë. E vërteta është se nuk kemi ndonjë shpresë, por çështja shqiptare është në rendin e ditës, por për neve nacionalistët nuk ka gjë. Në rast se do të rrëzohet Enveri me Mehmetin, do të vijnë në krye dy të tjerë, por regjimi nuk do të ndryshojë.

Në Romë flitet me insistim se vizita që do të bëjë Hrushovi në Beograd, pika kryesore e bisedimeve do të jetë çështja shqiptare dhe rrëzimi i qeverisë së sotme. Për neve është më mirë që të jetë Enveri me Mehmetin se sa të vijnë njerëz të tjerë vegla të jugosllavëve. Jugosllavët mund të ndërhyjnë indirekt në Shqipëri me anën e shqiptarëve kosovarë, sigurisht të organizaur nga Dushani e Panajot Plaku. Sot Shqipërisë i paraqitet një rrezik prej Jugosllavisë, e cila do të ndërhyjë me shtytjen e rusëve. Kur të ndërhyjnë jugosllavët nuk mund të futen edhe grekët në Korçë e Gjinokastër, pasi Italia, me gjithë se tani është e dobët, do të zbarkojë me trupat e saj kundër jugosllavëve e grekëve duke mbrojtur regjimin e Enver Hoxhës. Çështja shqiptare është në rendin e ditës pasi është Rusia që don të eliminojë udhëheqësit e Tiranës, po për neve nuk ka gjë, siç jemi do të mbetemi.

Kam qenë me një funksionar të ambasadës amerikane në Romë, i cili është me origjinë shqiptare, quhet Stefan Pollora, me të cilin bisedova për çështjen shqipatre. Ai më tha të njëjtat gjëra që më thanë në Amerikë.

I themi Muharrem Bajraktarit se Aliu e autorizon me nënshkrim që të takohet me emisarët jugosllavë e tu thotë se si e shohin çështjen shqiptare e zgjidhjen e këtij problemi. Unë do të dëshiroja të takohesha me ta, por nuk vinë në Itali, pasi nuk u japin viza italjanët, pastaj nuk njoh ndonjë njeri prej tyre, ndërsa Muharremi njeh persona jugosllavë. Rëndësi ka të zbulojmë pikpamjet e tyre ndaj Shqipërisë.

Një funksionar i ambasadës më ka thirrë para dy vjetëve dhe më tha se duan një shqiptar nacionalist që të dijë katër – pesë gjuhë. Koliqi propozoi vajzën time, të cilën e thirrën, i bënë provim dhe qysh atëherë e morën në ambasadën amerikane në Vjenë, ku ndodhet edhe sot.

Ka disa kohë që kam biseduar me një personalitet grek, Eksinderi, ai më tha se shumica e popullit grek është kundër rivendikimeve të “Vori- Epirit”, porse e mban atë tezë për hatër të disa vorio-epirotëve që janë në punëra të ndryshme në Greqi. Neve grekërit, tha ai, e kemi hequr nga rendi i ditës tezën Vorio-Epirotët dhe për këtë të siguroj se Greqia nuk bën asnjë ndërhyrje serioze veç flet kot në shtyp e radio.


Mua më kanë luftuar tepër të kuqtë, s’kanë lënë gjë pa thënë, ndërsa të tjerët i zënë në gojë nga ndonjë herë. Por çudi ishte kur ishim jashtë kundra Zogut një miku im, i cili flinte në shtëpinë time shkruante gjithnjë kundra meje dhe më linte edhe kopjen me nënshkrim. Para dy vjetëve te rrapi i Dervenit Mehmet Shehu ka mbajtur një fjalim para popullit duke thënë se këtu në këtë vend kemi demaskuar Ali Këlcyrën që është tradhëtar i Shqipërisë e i popullit shqiptar”.

error: Content is protected !!