Mersin Mete Sherollari, nga fshati Topojan i Përmetit ka qënë një rrebel i lindur, madje si karakter i kishte ngjarë të atit, një kryengritës i viteve para Pavarësisë. Mirëpo, me fitoren e komunizmit, kohët kishin ndryshuar.
Një ditë i thanë se pushkatarët e fshatit kishin marrë urdhër të ekzekutonin në qendër të fshatit qenin e tij.

Nuk dihet pse, por urdhri i dytë anulon të parin: e urdhëruan ta dërgonte qenin te stacioni i policisë, në Këlcyrë. Të nesërmen në mëngjes, e zonja e shtëpisë, me qenin për dore, mbërriti para derës së policisë. Priti me orë të tëra, kur nga dreka i thanë të kthehej në shtëpi. U gëzua Mersini … mirëpo pas disa ditësh, qeni ngordhi…
Bleu një qen tjetër, por edhe ai ngordhi pas disa muajsh. Bli qen e ngordh, bli qen e ngordh… vetëm veterineri e dinte të vërtetën pse ngordhnin qentë e Mersinit…

U hap një thashethem në fshat se Mersini kishte armë.

-Tani e kapëm, – u gëzuan ata të pushtetit.

Erdhën nga Dega e Punëve të Brendshme me aparat metalkërkues. Ja filluan nga kati i parë i shtëpisë. Sa hynë brenda në shtëpi, dha sinjalin aparati.

-E gjetëm, – thanë. Shpejt kazmën.

I hynë murit, duke hequr suvanë. Kur… gjetën gozhdët e brezit të murit. Ec e prish e gjej gozhdë, ec më tej e njëjta gjë… u ngjitën në katin e dytë… iku në tokë suvaja.
Mersini rrinte i qetë në sofat. Ç’është e vërteta, kishte pasur një pistoletë, por sa e kishte kuptuar që do t’i kontrollonin shtëpinë, ia kishte dhënë të resë, e cila e kishte hedhur në një ferrë, larg shtëpisë.
Kur u bindën se në mur nuk kishte armë, filluan të kontrollonin sendet që ndodheshin në banesë. Dy tre vedra në qilar u kthyen përmbys, por nuk kishte gjë tjetër veç arme dhe turshi. Ikën…

Vitet iknin, Mersini plakej, por ata nuk e kishin harruar. Një ditë bëhej një gosti, Mersini në qoshe.
Filluan dollitë.

-Ta pimë për Partinë, – uronte njëri…

-Me leje, – u ngrit një tjetër. Këtë ta pimë për Komandantin se është trim mbi trimat… Të gjithë në këmbë… Me fund. Mersini nuk po e pinte.
– Dale mor djem, – ngriti zërin Mesini; Komandanti juaj është vërtet trim i madh, por Balua im është më trim se komandanti juaj. Pse? – do të thoni ju.

Se komandanti u ka ju, ndërsa Balua im është vetëm dhe merret me ujqërit.
Ra heshtje varri. Më shumë u trembën tre komunistë që ndodheshin aty dhe dy të persekutuar. Komunistët u tërhoqën në dhomën tjetër. E dinin që sigurimi do ta merrte vesh që atë natë. E vendosën, nuk do të tregonin. Jo se do të mbronin Mersinin, por kishin hallin e tyre. U tha, u bë.

Të nesërmen që në mëngjes, ja behu tek zyrat e kooperativës, operativi i sigurimit. I thirri të gjithë një nga një. Asnjëri nuk tregoi. Thirri tre komunistët, as ata, madje u betuan në idealin e Partisë. I thirri në Përmet. Përsëri nuk treguan.

U bënë bishë ata të sigurimit: Ne të na i hedhë Mersini?!

Vërtet nuk mund ta dënonin, se nuk gjetën dot dëshmitarë, por për të demaskuar… e kishin në dorë.

Mblodhën fshatin dhe e demaskuan…
Demaskimin e raportuan në Tiranë, si sukses që ndikoi në edukimin e masave.

error: Content is protected !!