Një nga shqiptarët që ka bërë emër si vezir i madh i Perandorisë Osmane ka qenë padyshim Mustafa Qypriliut, i treti vezir i madh i familjes Qypriliu.

E emëruan Vezir i Madh më 7 Nëntor 1689, kur ishte 52 vjeç. Në mbledhjen e  Divanit mbajti nji fjalim të rëndësishëm duke theksuar se duhej jetuar sipas ligjit të Zotit, “pse përndryshe Perëndia ka për të na ndëshkue”.

Zbatoi me nji herë disa masa të rëndësishme për lehtësimin e popullit nga taksat dhe  ktheu përsëri oficerët dhe zyrtarët e aftë e të pushuar më parë. Masë shumë e rëndësishme ishte shpallja e tolerancës së gjerë për të krishterët e Perandorisë. Veproi gjithmonë e me këdo me drejtësi shembullore. Armik i luksit e i madhështisë, hoqi nga Pallati Perandorak arin e argjendin që i dukej i tepërt dhe zëvendësoi orenditë e tij prej argjendi me orendi të tjera të thjeshta.

Në kryeqytet shkonte pothuaj se gjithmonë në këmbë e vishej thjesht, me nji çallmë të vogël e me gëzof të blertë, si ushtarët e kufirit. Historianët osmanë kanë shkruajtur se “nuk bani kurrë nji kob e nuk i rrëshqiti kurr nji fjalë e teprueme”.

Në Qershor 1690, në krye të ushtrisë osmane fitoi kundër austriakëve në Transilvani. Në shtator të atij viti (1690) Beogradi ra përsëri nën sundimin osman. Veziri i Madh u kthye në Stamboll si fitimtar dhe shuajti turbullimet e ndodhura në Egjipt e në Qipro.

Në Maj 1691 përsëri një luftë, ndërsa më 19 Gusht 1691 u ndesh me të gjitha fuqitë e tija me ushtritë armike në Slankamen afër Beogradit. Ishte një luftë e rreptë nga të dyja anët, e cila mbaroi me të thyerjen e osmanëve e me vdekjen e Vezirit të Madh Mustafa Qypriliut.

Historiani i madh austriak, Hammer, në librin Historia e Perandorisë Osmane, ka shkruajtur: “Kjo vdekje fatose e rrethoi Mustafë Qypriliun me lumninë e martyrizitmit. Ai qe përnjimend një ndër Vezira të Mëdhej ma të mirët e ma të denjët e Perandorisë Otomane, e ma i miri e ma i denji i 10 Vezirave të Mëdhei të Sulejmanit e t’Ahmetit II, në mos për zotësi ushtarake, sigurisht për drejtësi të tij të papërkulshme e të panjollë, për sundimin e tij të urtë, të fortë e të pa-anshëm, për tolerancën e shpallun për të Krishtenë, për nxitjen e zhvillimin e tregtisë e së mbrami për vdekjen e tij heroike në nji luftë ku rrezikohei fati i Perandorisë Otomane”.

______________

Shkrimi është mbështetur në: Revista “Leka”, Vj. XVI, 1944, nr. 4-8, f. 287-288.

Për me tepër, shih: G. VON HAMER, Geschichte  des osmanisches Reiches, bl. XXJV, fq. 426-456.

error: Content is protected !!