(1/14 vjeshtë e tretë 1908)

Kongresi i Manastrit që do të mbahej nga data 1/14 vjeshtë e tretë 1908 u zhvillua sipas një programi, të caktuar që më 30 tetor.

Kryesues nderi i kongresit ishte qeveritari Hivzi Pasha, ndërsa kryesues të veprimtarisë së kongresit do të ishin  Rexhep Efendiu dhe Fehim Beu (Fehim Bej Zavalani, – shënimi im).

Mbledhjet e Kongresit do të mbaheshin në klubin e shoqërisë mirëbërëse “Bashkimi” nga ora 8 në mëngjez deri në 10 mbas dreke.

Katër orë përpara fillimit të mbledhjes së parë do të zgjidhej një kryesonjës për të ndrequr punët e kongresit ose thënë ndryshe, për të zbatuar programin nga ana teknike.

Parashikoheshin dhjetë mbledhje gjithsej, ku do të mbaheshin edhe komtesa të ndryshme të tilla si: “ Dobia nga Bashkimi i Shqiptarëve me Xhemijetnë edhe të mirat e tyre”, “Nevojat që kemi për të gatitur Shqipërinë me anë të diturisë”.

Në mbledhjen e tretë do të zgjidhej Pleqësia (Komisioni i Alfabetit, – shënimi im) e cila do të vendoste Abecenë Kombëtare.

Pas zgjedhjes, Pleqësia do të jepte besën se do ta vështronte këtë punë “me ndërgjegje të qëruar”.

Nga tjetra anë edhe të gjithë shqiptarët do të jepnin besën se do të mirëprisnin vendimet e Pleqësisë. Ai që do të keishte mendje të ndryshme dhe do të punonte kundra këtij vendimi do të quhej tradhëtar i Kombit Shqiptar.

Në mbledhjen e gjashtë që do të mbahej të enjten do të shpallej Abeceja Kombiare. Pas kësaj do të mbahet kjo fjalë “ Dobia nga Bashkimi i Shqiptarëve me Xhemijetnë edhe të mirat e tyre”, “Nevojat që kemi për të gatiturë Shqipërinë me anë të diturisë”.

Në mbledhjen e shtatë do të diskutoheshin dy çështje:

  • Të bëhej një lutje zyrtarisht qeverisë së nderçme për të përmbajtur mësonjës të gjuhës shqipe ndë për gjithë mësonjëtoret Turqisht që gjendeshin në Shqipëri. Po kështu edhe vetë shqiptarët kishin nevojë të hapin mësonjëtore Shqip “për të mësuar më të lartërat mësime të çdo dege të diturisë”.
  • Të njihej një qendër e Shqiptarëve e të ishte e ndërlidhur edhe me Xhemijetin Itihat e Tereki  “për çdo punë edhe për çdo nevojë të mbrothtësisë edhe përparimit të mëmëdheut tonë”.

Kjo qendër, duke pasur lidhje dhe marrëdhënie me të gjitha shoqëritë edhe klubet në Shqipëri, do të mundte të vepronte me xhemijetin për të mirën e lulëzimin e vendit tonë.

Pas këtyre do të mbaheshin këto kumtesa: “Nevoja për të përhapur njohuritë ndë Shqipëri” dhe “Trimat që ka nxjerrë Shqipëria edhe si kanë punuar për të mburuar Mbretërinë Osmanie”.

Në mbledhjen e fundit do të diskutonin për dy tema: “Pasja e Shqipërisë” dhe “Detyra që ka çdo shqiptar të ndihmonjë me të holla për mbrothtësinë e kombit të vet”.

error: Content is protected !!