“… I biri i një prifti prej origjine Irlando-Skoceze, i lindur në Virginia, në shtetin i cili i dha Amerikës më parë dy presidentë të shkëlqyer, Uashington-in dhe Monro-in, Presidenti Uillson u rrit në kishë, në një rrethim fetar, me ungjillin në dorë, i prodestinuar apostull i një ideali kristianik e njerëzor.
Si profesor, si kryetar i universitetit Princenton, si guvenar i shtetit të Nju Xhersit, si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga 1913 deri në 1921, në çdo gjest e në çdo fjalë çfaqej njeriu i iluminuar, i dërguar prej perëndisë për një mision të shenjtë. Pranë një karakteri të çelniktë kishte mirësinë e Shën Franceskut.
Sikur të kishte lindur në kohët e mesme, do të ishte bërë pa fjalë një kryqëtar, ose një evangjelizator i racave pagane dhe barbare.
Fuqinë e qeverisë e kërkoj dhe e fitoj jo si një qëllim po si një mjet për apostullatin e tij.
Më 1916 u përpoq të sjellë paqen, dhe më 1917, ndonëse pacifist i bindur, u shtërngua prej opinionit publik të hyjë në luftë.
Pas armistices u përpoq të imponojë luftëbërësve një paqe të drejtë të bazuar në idealet e tij.
…
Po në Versajë Uillsoni u ndoth si Danieli në shpellën e Luanëve. Ironia e situatës ishte që aliatët kujtonin se tërë programi idealistik i Uillsonit s’ishte veç nji programë hipokrite për të gënjyer opinionin e përbotshëm dhe për të fituar luftën. Se kjo ishte strategjia e gjithë idealistëve, që bota kujtojnë se idealizma e tyre është vetëm një maskë për të fshehur qëllime egoiste dhe materialiste të përvjellura.
Në Paris presidenti Uillson, midis habisë së aliatëve dhe të botës së tërë, provoj që kish ndër mend ato që thosh me gojë. U përpoq me tërë forcën e tij që t’u imponojë aliatëve programin e tij, po qëllimin e tij nuk e arriti veç gjer në një pikë.
I vajtur në Evropë si triumfator, si Moisiu i zbritur nga mali Horeb me pllakat e ligjes. Kthehet në Amerikë … me zemër të thyer, me trupin të tronditur, fytyrë tragjike dhe madhështore, me damkën e Golgothasë të shtypur në ballë prej hekurit të kuq, po me flamurin e vëllazërimit të kombeve edhe në erë përpjetë, kryelartër midis furtunës së talljeve dhe kritikave. Ajme: dhe atë copkë të vitorisë që mundi të çkëputë nga thonjtë e luanëve të Versajës tani vendi i tij do t’ia rembente nga duart…
Senati Amerikan refuzoi të ratifikojë paqen e Versajës, të kryesuar prej Paktit të lidhjes së Kombeve, dhe Uilsoni, nga zenithi më i lartë ku ka ëndërruar të hipnë histori e botës një njeri, u rrukullis dhe u rëzua përdhe.
“O, ç’farë rënie qe ajo, o qytetarë:
Atëhere ju e unë e gjithë ramë,
Dhe tradhëti e gjaktë mbretëroj mbi ne”.
Dhe Evropa vazhdoi luftën nën maskën e paqes. Evropa s’e deshi paqen e Uillson-it, dhe Amerika e refuzoj posa s’e desh Evropa vetë që interesohej vitalisht edhe drejt për drejt. Që atëhere Uillson-i vdiq, sikundër e provojnë fjalët që ka thënë në shtratin e vdekjes: “Jam gati. E mbarova misionin t’im. S’jam më veç një makinë e vjetër e çkallmuar”…
I mundur? Bah! I vdekur? Kush e tha!
Fara e idealit që mbolli do të rojë e gjallë sa kohë ka zemra njerëzore në botë. Ah, prehu në paqe, o shpirt i martirizuar. Lufta jote s’ka qenë e kotë. Se atje ku ka varre si yti, atje ka jetë dhe ngjallje…”