(1924-1939)
Në disa dokumente të autoriteteve italiane, ku bëhet fjalë për grupet e emigrantëve politikë nga Shqipëria, pas dhjetorit 1924, analizoheshin edhe tendencat politike dhe veprimtaria e tyre.
Fraksioni më i rëndësishëm ishte ai i Vjenës, i cili, ndonëse i pakët në numër kishte personalitete të rëndësishme të kohës, ku ndikim të madh kishte Fan Noli. Antarët e këtij grupi, tek të cilit dukej qartë influenca e Moskës – ishin të bindur që lufta vendimtare rreth Shqipërisë nuk zhvillohej midis Romës e Beogradit, por midis Londrës e Moskës.
Grupi i dytë ndodhej në Beograd e ndiqte sidomos qëllime religjoze. Ata nuk shikonin tek Ahmet Zogu veçse një mysliman. Ky grup bëhej gjithnjë e më i fortë duke u shtuar me emigrantë të rinj.
Emigrantët e vendosur në Jugosllavi shpresonin në ndihmën e autoritetëve Serbo-Kroato-Sllovene për përmbysjen e regjimit të Zogut e kjo shpresë ishte bërë më e madhe pas paktit italo-shqiptar.
Grupi i tretë, ai i vendosur në Bari, ishte më i dobëti, pasi që autoritetet italiane kishin marrë masa kundër disa personaliteteve të tij, duke i internuar.
Të tre grupet kishin si qëllim përmbysjen me çdo çmim të presidentit Ahmet Zogu, mirëpo duke patur mosmarrëveshje midis tyre, përjashtohej mundësia e kryerjes së aksioneve të përbashkëta.
Në një raport të 18 shkurtit 1927 të Drejtorit të Policisë Politike të Italisë theksohej se grupi i vogël i Vjenës i të arratisurve shqiptarë, përfaqësonte tendenca të ndryshme, por Fan Noli, që dukej se përfaqësonte lëvizjen politike të mbështetur nga Moska, zhvillonte aktivitet të rëndësishëm kundër Italisë e Paktit të Tiranës.
Pavarësisht propagandës së Nolit, dy nga personalitetet e këtij grupi, Tromara e Lano Borshi nuk e fshihnin që shumica e nacionalistëve shpresonin në një pajtim me Ahmet Zogun, me ndërmjetësinë e Italisë.
Në një informacion mbi aktivitetin e të arratisurve shqiptarë në Jugosllavi, të datës 24 mars 1927, theksohej se emigrantët shqiptarë refugjatë në Jugosllavi shpresonin gjithnjë në një mbështetje të Qeverisë Serbo-Kroato-Sllovene për të përmbysur qeverinë e Zogut e këto shpresa ishin rritur pas nënshkrimit të paktit italo-shqiptar.
Nga ana e saj edhe qeveria e Beogradit shpesonte të krijohej një situatë e re në Shqipëri, por dukej se mosmarrëveshjet më të mëdha ishin midis vetë emigrantëve, një pjesë e të cilëve, të mbledhur në Itali e Austri, nuk afroheshin kurrë me Beogradin.
Në një informacion tjetër për Ministrinë e Punëve të Jashtme, më 24 korrik 1931, Drejtoria e Përgjithshme e Sigurimit Publik të Italisë theksonte se Internacionalja e II kishte aprovuar një fond për të organizuar propagandën socialiste në Shqipëri. Socialistë jugosllavë e grekë ishin ftuar të bënin gjithçka për të futur idetë socialiste në Shqipëri dhe për të ndaluar valët e fashizmit italian në brigjet e Adriatikut.
Për këtë, njeri nga krerët e Internacionales, Adler, kishte ftuar kreun e emigrantëve politikë shqiptarë në Paris, Dr. Këlcyrën, për një bisedë në Zyrih.
Ato ditë Dr. Këlcyra ndodhej në Vjenë me mision për llogari të miqve të tij politikë që përgatisnin një plan për kryengritje në Shqipëri.