Kryengritja e përgjithshme e verës së vitit 1912, përfundoi me pranimin nga ana e Portës së Lartë të 12 pikave të programit të kryengritësve. Gjithashtu, krijua një kabinet i ri, me kryeministër Ahmet Myftar Pasha. Sipas Eqrem Bej Vlorës, që kishte shok të birin e tij, ai ishte dashamirës i shqiptarëve. Me formimin e qeverisë liberale të Gaziut Ahmet Myftar Pasha, ishin të kënaqur edhe paria e Tiranës. Më 25 korrik 1912, ata i dërguan një telegraf zyrtar deputetit të tyre Esad Pashë Toptanit.
“ Fort të ndershmit deputet të Durrsit Esad Pashës (…) Emnimi i Gazi Ahmet-Muhtar Pashës për Sadrazem dhe formimi i kabinetit nga ma të mëdhajt burra Shteti qi ka mbretnija e qi në sy të kombit kanë fitue nji vend të naltë nderimi të pacenueshëm, janë për ne garanti t’asaj lirije të vërtetë qi kemi lakmue e të sigurimit t’onë t’ardhshëm. Shqiptarët, qi kanë dhanë kaqë prova për besnikin e tyne ndaj khalifatit të naltë dhe mbretnin othomane, mund të presin prej nji qeverrije të këtillë qi t’i marrë para sysh me kujdes të drejtat dhe kërkesat e arsyeshme të tyne. Lutemi pra qi t’i a paraqitni Sadrazem Pashës bashkë me urimet t’ona të sinqerta sa po Ju shkruajmë, si edhe me e botue këtë dhe me anën e shtypit. N’emën të popullit: Zeber Haxhi, Kryetar i Bashkis; Ismail (2), myderris; Hysni (3), myderris; Xhemal (4), myderris; Sheh Abdyrrahman; Murat beu (5); Masar beu (6); Xhemal Aga (7): Myslim Aga (8); Muharrem Aga (9); Reshit Petrela; Jusuf Elezi; Salih Dauti; Hasan Bakiu; Beqir Luga; Hajdar Hidri; Mehmet Ali Fortuzi; Fan Koja; Ali-Hulusi; Hasan Sula; Mahmut Daja.
____________
(2) Ndroqi, (3) Dalliu (vëllai i Hafiz Ibrahim Dalliut); (4) Pazari, (5) Toptani; (6) Qoralliu; (7) Beshiri, (8) Beshiri, (9) Karrapici.