Sa herë përmendim në shkrime fjalët pavarësi e sovranitet, nuk janë të paktë ata që na akuzojnë se nuk jemi “properëndimorë”. Mirëpo, pa këto terma nuk ka shtet në kuptimin e plotë të fjalës, por e shumta një farë kolonie. Pa bërë asnjë debat me ata që e quajnë normale humbjen e pavarësisë dhe sovranitetit të atdheut, le t’i kthehemi historisë, madje ditëve më të vështira, periudhës 1919-1920, kur në Paris mbahej konferenca e Paqes që do të përcaktonte, pos të tjerash edhe fatin e Shqipërisë.
Në shtator 1919, Federata “Vatra” dhe “Partia Politike” të dyja me seli në Boston MASS. nëpërmjet Parashqevi Qirjazit, i përcollën Dërgatës së qeverisë së Durrësit pranë Konferencës së Paqes në Paris kopjen e një programi mbi të cilën të dy shoqëritë kishin rënë dakort për veprim të përbashkët.
Në pikën e tretë të programit thuhej: “Të punojmë për emërimin e një Komisioni Qeveritar nga ana e Ligës së Kombeve, i cili të përbëhet kështu: dy shqiptarë, tre amerikanë dhe dy italianë … për të qeverisur vendin deri sa të punojë indipendentarisht një Qeveri Shqiptare”.
Mirëpo, kryetari i delegacionit qeveritar pranë konferencës së Paqes në Paris, Luigj Bumçi, u tërhiqte vëmëndjen sidomos për këtë pikë, pasi sipas tij, kjo pikë binte në kundërshtim me vendimet e mbledhjes kombëtare dhe nuk i përgjigjej më nevojave të vendit.
Mbledhja kombëtare e Vlores nga e cila ishte formuar Qeveria e Përkohëshme, sipas Bumçit, kishte për themel politik tre parime: tërësinë, pavarësinë dhe sovranitetin e Shqipërisë.
Nëse qeverisja e Shqipërisë, – theksonte Bumçi, – lëshohet në dorë të një komisioni, që nuk rrjedh prej vullnetit të kombit shqiptar e në të cilën shumica do të ishte e përbërë prej njerëzve të huaj merret vesh vetiut, se për një kohë të pacaktueme pavarësia e syprania (sovraniteti, – shënimi im) e Shqypnisë vihet në rrezik.
Bumci u tërhiqte vëmendjen se “do të ishte punë e dobishme fort që në zhvillimin e programit, si “Vatra” si “Partia Politike” të vihen në një pikpamje me qeverinë e me Dërgatën zyrtare, domethënë të mbrojmë indipendencën e plotë dhe sypraninë e Shtetit shqiptar”.