Federata “Atdheu” e krijuar në Vlorë në fillim të viteve 1920, nën drejtimin e Avni Rustemit, përfshinte në radhët e saj shoqëritë që ishin krijuar deri atëherë. Bazën e federatës e përbënte klubi “Bashkimi”. Ajo financohej nga buxheti i shtetit.
Një kontroll i Prefekturës Vlorë në federatën “Atdheu” rezultoi se të 13.000 fr. ari që i kishte dhënë arka e shtetit, ishin shpenzuar vetëm për rroga. Degët e saj nuk kishin bërë asnjë relacion financiar. Për këtë arsye, prefekti propozoi riorganizimin e shoqërisë.
Kontrollin në degën e Durrësit të federatës “Atdheu” e bënë gjytari paqëtues Ali Tabaku dhe kryesekretari i prefekturës Mihal Bellkameni. Ata raportonin shkelje dhe i luteshin qeverisë të urdhëronte “mbylljen e shoqërisë për të mos dëmtuar popullin”.
Duke qënë se federata u mbyll, në nëntor 1922, Avni Rustemi kërkoi nga prefektura Vlorë të rihapte klubin “Bashkimi”, por duke parë se atë nuk e simpatizonin, kërkoi ndihmën e Qazim Koculit. Ata synonin ta kthenin klubin në parti politike, por nuk patën sukses. Rustemi kërkoi një takim në Durrës me ministrin e Brendshëm Ahmet Zogun dhe të Luftës, I. H. Tatzati.
Në telegrafin e datës 6 dhjetor 1922, Zav. i Prefekti i Vlorës, Z. Prodani, i raportonte ministrisë së Brendshme:
“Z. Avni Rustemi sot u nis për aty. Në qoftë e mundun urdhënoni Prefekturën e Durrësit t’i baj lehtësinat. Por, i cili këtu mbasi asht bamë vegël e verbët e intrigantëve, lutemi të këshillohet mirë megjithëqë neve ja kemi thanë faqeza gabimet e tija. Masat që murëm rezultuen shkatërrimin e partisë qi desh të bante para se ta formonte”. AQSH, fondi 152, viti 1922, dosja 32.