Në një telegraf shifër të Lef Nosit, në Shëndre 1913, dërguar nga Vlora Irfan Beut në Elbasan, midis të tjerave marrim vesh se në Elbasan kishte filluar kryengritje dhe se Aqif Pasha i kishte kërkuar Komisionit të Kontrollit që të jepte leje për të goditur kryengritësit. Mirëpo, komisioni i kontrollit nuk dha leje dhe këtë Lef Nosi e shpjegonte:
“E para asht se ata si të huaj i gjykojnë punët me gjak të ftohtë e pa anësi edhe mendojnë që pasi koha e ardhjes së mbretit u afrua të mos derdhet gjak nga shkaku i dy partinave që mundohen për fuqi edhe në qoftë thonë se njëna parti i merr tjetrës një vend le t’ia marrë se po Shqipni do të jetë po vetëm ndryshimi të bëhet pa gjakderdhje.
E dyta, asht se nuk besojshin që me të vërtetë mund të bahesh përpjekje duke thënë që përditë na thoni për veprimet e kryengritësve edhe gjë s’bahet.
E treta asht se pasi në çeshtjet e Beqir agajt u gjind në mos shumë pak edhe Ismail beu, kontrolli e hoq besimin që kish më parë dhe çdo që t’i thotë s’i japin rëndësinë e parë. Natën e shtunë shkumë Ismail beu edhe unë e Qemal beu në mbledhje të kontrollit që t’i tregojshim nevojën e përpjekjes me kryegritësit.
Unë me Qemal benë si elbasanas u përpoqmë t’i bajmë të kuptojnë se kryengritësit do të thyeheshin shpejt edhe zjarri do të shuhesh, po birturli nuk bindeshin. Si u bënë mjaft fjalë të ashpra e shtërnguan kryetarin t’i thotë pashës të mos u bjerë kryengritësve e të bëjë vetëm mydafa. Mua ma vunë barrë të thërrisje në nesret Turtullin e Tsilkën qi të pyesnin veçan akvalin e punës.
Kur u murën vesht në mëngjes qi përpjekja u ba pandehën qi dha urdhër Ismail beu edhe urdhëruan pashën t’a pushojë. Turtulli me shokët i thanë se asht nevoja të bajë devamë lufta po deshën. Nashti me telegrafin e sotëm nuk di ç’rrugë do të marrë. Myfit beu më duket se u shtrëngua të vijë aty n’Elbasan. Mbreti do të vijë në Durrës pas tri javësh a nji muaji. Nesër nis muhaqemeja e Beqirit në divan harb nën kryesi të Thomsonit. Gjitha këto thuja pashës t’i dijë.
Me Mirditën lidhja asht me fjalë e jo me punë si duhesh”.